Behrami përgjigje për “manipuluesit e VV-së”: Bllokues keni qenë në 2014, bllokues jeni edhe tash
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami ka reaguar pasi zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje krahasuan bllokadën e vitit 2014 me situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, ai ka theksuar se në vitin 2014 VV-ja nuk e kishte pranuar rezultatin zgjedhor.
Ai po ashtu ka theksuar se atëherë nuk kishte pasur vendim të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Përgjigje për manipuluesit e Vetëvendosjes
Këto janë dallimet rrënjësore ndërmjet zgjedhjeve të vitit 2014 dhe këtyre të vitit 2026:
1. Në vitin 2014, VV-ja nuk e kishte pranuar rezultatin zgjedhor.
2. PDK-ja e pranon rezultatin zgjedhor të vitit 2026.
3. Në 2026, VV-ja i ka votat e mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
4. Në vitin 2014, PDK-ja nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë.
5. Në këto zgjedhje e kemi aktgjykimin e vitit 2025 të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, afat mandator, pra jo të fillojë konstituimi, por të përfundojë.
6. Në zgjedhjet e vitit 2014, nuk kemi pasur një vendim të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese.
7. Në vitin 2014, PDK-ja e kishte filluar seancën konstituive brenda afatit kushtetues dhe nuk kishte qartësi kushtetuese si tani në vitin 2026.
8. Në këto zgjedhje, partia fituese simulon dialogun.
9. Në zgjedhjet e vitit 2014, PDK-ja kishte kërkuar dialog real, por ishte bojkotuar nga blloku opozitar.
10. Bllokues keni qenë në 2014. Bllokues jeni edhe në vitin 2026”, ka shkruar ai.