Intervistë me Janina Ymerin: Abdixhiku i nxori “para faktit të kryer”, gjashtëshja ia preu “Jo”-në
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka artikuluar një nga kundërshtimet më të ashpra brenda partisë ndaj marrëveshjes së Lumir Abdixhikut për procesin e zgjedhjes së presidentit. Ajo thotë se deputetët janë vënë përballë një marrëveshjeje të përfunduar pa konsultim, e konsideron Bekim Sejdiun kandidat jokonsensual, refuzon idenë se gjashtë deputetët kundërshtues janë përgjegjës për zgjedhje të reja dhe paralajmëron se presioni partiak nuk do ta ndryshojë votën e saj.
Janina Ymeri, njëra nga gjashtë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kundërshtuan marrëveshjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, për çështjen e presidentit, ka dhënë një nga shpjegimet më të plota deri më tani për deklarimin kundër akordit Kurti-Abdixhiku.
Në një intervistë për Gazetën Nacionale, Ymeri e vendosi problemin fillimisht te mënyra se si, sipas saj, është zhvilluar procesi. Deputetja shpjegoi se pas një diskutimi paraprak brenda LDK-së për tërheqjen nga negociatat për qeverinë dhe orientimin drejt një presidenti konsensual, komunikimi me deputetët është ndërprerë. Ajo tha se marrëveshjen përfundimtare e kanë mësuar praktikisht njësoj si publiku.
“Kur është ardhur kryetari, është ardhur me marrëveshje jo veçse të kryeme, po në fakt që e kemi marrë vesh në media”, deklaroi Ymeri.
Për Ymerin, kundërshtimi nuk lidhet vetëm me procedurën. Ajo e konteston edhe vetë kandidaturën e Bekim Sejdiut dhe argumenton se emri i tij nuk i plotëson kriteret politike që ajo pret nga një figurë presidenciale.
“E para është procesi. E dyta, presidenti nuk ka qenë konsensual. Figura e Bekim Sejdiut si e tillë nuk është konsensuale”, tha ajo.
Ymeri shkoi edhe më tej, duke argumentuar se kandidati, sipas vlerësimit të saj, nuk përfaqëson figurën balancuese që duhet të jetë kreu i shtetit.
“Nuk është konsensuale në kuptimin që nuk është unifikues, nuk është balancues në figurën edhe përvojën e tij karshi pushtetit”, deklaroi deputetja.
Ajo ishte kategorike edhe kur foli për raportin e LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje, duke refuzuar çdo perceptim se partia e saj duhet ta përshtatë vendimmarrjen me logjikën politike të partisë në pushtet.
“Ne nuk jemi degë e madhe e Vetëvendosjes, edhe jemi parti më e vjetër se Vetëvendosja, po ashtu ideologji komplet tjetër”, tha Ymeri.
Një pjesë qendrore e pozicionimit politik të Ymerit vazhdon të jetë sektori i energjisë. Deputetja e saj në këtë fushë kanë ndikuar drejtpërdrejt në qëndrimin e saj kritik ndaj pushtetit. Sipas saj, mënyra se si është menaxhuar energjia ka dëmtuar ekonominë dhe ka ekspozuar dobësi më të gjera institucionale.
Ymeri përsëriti akuza të rënda për atë që ajo e quan “mafia energjetike”:
“Edhe çka tash unë si deputete, duke e pa këtë sallamahi me njerëz në proces negociator, me sistemin e drejtësisë të dobët ndaj kësaj mafie energjetike, me validu? Kjo është e fundit”, deklaroi ajo.
Përballë paralajmërimeve për pasoja politike brenda partisë, ajo këmbënguli se vota e saj buron jo vetëm nga përkatësia partiake, por edhe nga mandati individual i marrë nga qytetarët.
“Pra, unë e kam një kontratë elektorale me të cilën nuk e tradhtoj besimin që ma kanë dhënë.”
Për Ymerin, çmimi personal apo politik i kundërshtimit nuk është vendimtar. Ajo tha se ishte e vetëdijshme për mundësinë e pasojave brenda LDK-së dhe se ato i kishte marrë parasysh.
Deputetja tha se kapitali i saj politik do të dëmtohej më shumë nëse do të vepronte kundër asaj që u kishte premtuar votuesve sesa nëse do të humbiste privilegje apo përkrahje nga struktura partiake.
“Njerëzit e kanë vendos, njerëzit më kanë ngritë, fama mundet me të humbë brenda minutit. Mundet me të humbë dje për vete, se unë të gjithë kapitalin politik e kisha humbë dje me pas vendos diçka që unë i kam rrejt njerëzit”, tha Ymeri.
“Një parti ku sot kushtëzohet votimi si akt i fundit, edhe që i ngjan më shumë një partie tjetër sesa LDK-së si qasje, për mua nuk ka vlerë kërcënimi edhe nuk ka vlerë presioni se nuk jam e varur prej kësaj. Lirisht unë dhe sot mund me u kthy me punu në një fabrikë, edhe gajle nuk e kam për këtë punë”, shtoiajo.
Ymeri kundërshtoi gjithashtu narrativën se gjashtë deputetët që refuzuan marrëveshjen janë përgjegjës për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje. Sipas saj, ekzistojnë alternativa të tjera parlamentare dhe përgjegjësia nuk mund t’i faturohet vetëm grupit kundërshtues brenda LDK-së.
“Gjashtë deputetë nuk domethënë që e bëjnë fajin për me shkuar në zgjedhje”, tha ajo, duke argumentuar se qëllimi i Kurtit, sipas saj, është dërgimi i vendit në zgjedhje dhe transferimi i kostos politike te LDK-ja.
Ajo tha se, në kushtet e asaj që e cilësoi si injorim të institucioneve dhe të situatës politike, përgjigjja mund të dalë përtej zgjedhjeve.
“Nuk e kam fjalën për zgjedhje sa e kam fjalën një vetëdijësim kombëtar me anë të protestave. Për vete po flas”, deklaroi Ymeri.