Ambasadori i ri evropian merr detyrën: Kosovës i nevojiten institucione funksionale - NACIONALE

Ambasadori i ri evropian merr detyrën: Kosovës i nevojiten institucione funksionale

1 orë më parë

nga NACIONALE

Dirk Schuebel ka marrë detyrën si ambassador i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në një njoftim për media nga Bashkimi Evropian, thuhet se Schuebel është zyrtar i lartë evropian, shtetas gjerman, me përvojë të gjatë diplomatike dhe me një karrierë të përqendruar kryesisht në politikën e jashtme të BE-së.

Ai ka shërbyer në dy mandate si ambasador i BE-së: si Ambasador dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi nga viti 2019 deri në vitin 2022, si dhe në Moldavi nga viti 2009 deri në vitin 2013. Së fundmi, ai ka shërbyer si Shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprimin e Jashtëm.

“Pres me padurim të punoj me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet, për të ndihmuar që një Kosovë multietnike të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në kushte të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha Schuebel.

“Do të mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna për realizimin e saj kërkon një përpjekje nga e gjithë shoqëria dhe një angazhim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE një prioritet përtej ndarjeve politike. Gjithashtu, do të mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në Dialogun Beograd-Prishtinë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.”

Duke shprehur vlerësimin për përafrimin vullnetar të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Schuebel theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës.

“Së bashku, mund t’i shndërrojmë aspiratat evropiane të Kosovës në përparim konkret për të gjithë qytetarët e saj”, shtoi ai.

Schuebel bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve, gjë që do t’i mundësonte Bashkimit Evropian të angazhohej plotësisht me Kosovën dhe të ofronte ndihmën që është në dispozicion për Kosovën.

“Përpara nesh ndodhet një dritare e rëndësishme mundësish. Për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i nevojiten institucione funksionale, të afta për të realizuar reformat e nevojshme dhe për të shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes së BE-së dhe financimin e rëndësishëm të ardhshëm nga IPA. Shfrytëzimi maksimal i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe një fokus të qartë në reformat dhe agjendën e integrimit evropian”, tha ai.

Në cilësinë e Ambasadorit të BE-së, Schuebel do të ofrojë këshilla dhe mbështetje të BE-së në proceset politike dhe do të promovojë koordinimin e përgjithshëm politik të BE-së në Kosovë. Ai do të mbikëqyrë angazhimin dhe bashkëpunimin e BE-së me Kosovën, përfshirë reformat që lidhen me rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Në ushtrimin e detyrave të tij, Ambasadori Schuebel do të mbështetet nga Zëvendës Shefi i sapoemëruar i BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, si dhe nga ekipi i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Lajme të ngjashme