“Sikur para një komisioni hetimor”: KPK në stilin e VV-së, presion ndaj kryeprokurorit Isufaj gjatë raportimit - NACIONALE

“Sikur para një komisioni hetimor”: KPK në stilin e VV-së, presion ndaj kryeprokurorit Isufaj gjatë raportimit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku për të raportuar për punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025 është ftuar kryeprokurori Blerim Isufaj.

Pas raportimit, anëtarët e KPK-së i kanë drejtuar Isufajt një sërë pyetjesh tendencioze dhe kritikash për punën e PSRK-së. Në një moment, kryeprokurori e ka krahasuar mënyrën e pyetjeve me një komision hetimor.

S’po më duket që jam tu raportu para KPK-së, po sikur para një komisioni hetimor”, ka deklaruar Isufaj.

Krasniqi ka ngritur kritika ndaj punës së Prokurorisë Speciale, ndërsa Isufaj është përballur me pyetje të drejtpërdrejta rreth mënyrës së ushtrimit të detyrës dhe rezultateve të institucionit.

Kjo deklaratë erdhi pas pyetjeve të anëtarit të KPK-së, Visar Krasniqi, i cili tha se kishte ankesa nga prokurorët e Prokurorisë Speciale se nuk janë mbajtur kolegjiume për rreth katër vjet. Isufaj e ka mohuar këtë, duke thënë se mbahen takime me departamentet përkatëse dhe diskutohen sfidat me të cilat përballen prokurorët.

Krasniqi e ka pyetur gjithashtu Isufajn për herën e fundit kur ka raportuar para KPK-së, ndërsa kryeprokurori është përgjigjur se ka raportuar më herët dhe se Krasniqi ka qenë vetë prezent.

Përplasja ka vazhduar edhe rreth efikasitetit dhe numrit të prokurorëve. Isufaj ka deklaruar se Prokuroria Speciale ka nevojë për së paku shtatë prokurorë të rinj, pasi numri i lëndëve është rritur. Në anën tjetër, Krasniqi ka thënë se sipas analizës së Këshillit, PSRK-ja ka tetë prokurorë më shumë se sa i nevojiten.

Isufaj, megjithatë, ka thënë se gjatë vitit 2025 Prokuroria Speciale ka pasur rezultate në trajtimin e rasteve, duke përmendur aktakuza ndaj ministrave, ish-ministrave, drejtorëve dhe udhëheqësve të bordeve.

Në një moment, kryesuesi Arian Gashi tha se për rastet që Prokuroria Speciale ka në hetim, gjithsesi duhet të njoftohet publiku por “pa bërë filma”.

Po m’u njoftu gjithsesi, por pa bërë filma”, u shpreh Gashi.

Ndërsa Isufaj iu përgjigj se publiku njoftohet për rastët me interes.

Raportimi është shoqëruar me përplasje të dukshme mes kryeprokurorit dhe disa anëtarëve të KPK-së, veçanërisht rreth performancës, organizimit të punës dhe kapaciteteve të Prokurorisë Speciale.

Përplasja mes Gashit dhe Isufajt gjatë raportimit në KPK

Arian Gashi: “Nuk jeni ju këtu me na bo pyetje neve. Ne jemi këtu për me të bo pyetje ty. Ti je për me raportu, t’i i përgjigjesh pyetjeve që i bën secili anëtar.”

Blerim Isufaj: “I përgjigjem pyetjeve dhe ju jap argumentin.”

Arian Gashi: “Anëtarët e KPK-së nuk janë aty për të raportuar para jush.”

Blerim Isufaj: “Mirë, por jo të bëni pyetje dhe të parashtroni tek anëtarët, sepse anëtarët nuk janë këtu që të raportojnë para jush. Kryesues, unë kam qenë kryesues para teje, e di. Unë nuk jam duke i bërë pyetje askujt. Cilën pyetje e bëra?”

Arian Gashi: “Ka kaluar koha kur anëtarët kanë raportuar para kryeprokurorit. Të lutem, unë po flas, ti vetëm dëgjo. Tani është koha kryeprokurori me raportu para anëtarëve dhe para Këshillit dhe i përgjigjesh pyetjeve që t’i bën anëtari.”

Ndërkohë, kryeprokurori Blerim Isufaj ka qenë prej kohësh objekt i kritikave nga pushteti, veçanërisht nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ndërsa më herët i kishte thënë: “Dil e matu me vota”.

Kurti e ka cilësuar Isufajn si "emrin e përveçëm" të shumicës së problemeve në sistemin prokurorial, duke insistuar publikisht se ai nuk guxon dhe nuk duhet të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.

KPK nuk e miraton raportin e Isufajt, katër anëtarë votojnë kundër

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, tha se nuk kishte marrë përgjigje të kënaqshme në pyetjet që ia kishte drejtuar Isufajt, veçanërisht lidhur me zbatimin e ndarjes elektronike të lëndëve. Ai njoftoi se do të votojë kundër raportit dhe se për çështjet e ngritura do ta informojë Kryeprokurorin e Shtetit.

Kundër raportit votuan Dardan Vuniqi, Elza Bajrami-Kastrati, Arlinda Muqa dhe Visar Krasniqi, ndërsa pro tij votuan kryesuesi Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

Pas votimit, kryesuesi Arian Gashi tha se, në bazë të rregullores, raporti i kthehet Isufajt, pasi nuk mori miratimin e Këshillit. Ndërkaq, Sekretariati i KPK-së do të obligohet ta publikojë pjesën e raportit që duhet të jetë e qasshme në ueb-faqen e Këshillit.

Lajme të ngjashme