Abdixhiku “harron” lëvdatat që ia bëri Kurti, kritikon 6-shen e LDK-së: Ndihen të përmbushur nga lëvdatat e kundërshtarëve
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka sulmuar serish 6 deputetët e LDK-së që nuk janë pajtuar me ujdinë e tij me VV-në.
Ai ka bërë me dije se ata janë fajtorët kryesore për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
Në profilin e tij në Facebook, Abixhiku ka shkruar se ata po ndihen të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këte pozicion. Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar? Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora!”, ka shkruara ai.
Sipas tij, zgjedhje e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së.
“Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj! Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses. Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!”, ka shkruar ai.
Derisa Abidxhiku kritikon kolegët e tij se po ndihen të përmbushur nga kritikave e kundershtarëve të LDK-së, ai nuk i ka përmendur fare lëvdatat që Albin Kurti ka pasur mbrëmë për te.
Lideri i VV-së dje e ka falënderuar Abdixhikun dhe grupin e LDK-së për bisedimet.
“Me keqardhje na duhet ta themi që marrëveshjen politike që e arritëm me aq shumë mund – falënderoj edhe njëherë ekipin negociator të LDK-së – e arritëm me konstruktivitet, mirëbesim, kreativitet dhe përkushtim për të bërë marrëveshje”, ka deklaruar Kurti.
Në mbledhjen e djeshme të Abdixhikut me Grupin Parlamentar të LDK-së është bërë me dije se 6 deputetë të kësja partie nuk do të përkrahin kandidatin e për president të propozuar nga LDK dhe VV.
Gjatë ditës së djeshme, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtm Shala kanë treguar arsyet pse nuk do të përkrahin këtë marrëveshje.
Deputetja Hykmete Bajrami ka bërë me dije se nuk e ka deleguar votën të askush.
“Mbështetja që kam marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk më është dhënë për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit. Përkundrazi, këtë besim e kam marrë se besoj fort se kam arritë të jem zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit, kam punuar e jam angazhuar për interesin e vendit dhe kam mbrojtur e ruajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa kam mundur. Prandaj, për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit. Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.