PDK e Aleanca sërish i bëjnë thirrje VV-së për seancën: Kurti po bllokon institucionet - NACIONALE

PDK e Aleanca sërish i bëjnë thirrje VV-së për seancën: Kurti po bllokon institucionet

1 orë më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar edhe sot me aksionin simbolik para Qeverisë, në shenjë revolte për moskrijimin e institucioneve të reja. Opozita ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurtin, se po e mbajnë peng Kuvendin dhe procesin e konstituimit të institucioneve.

Për bllokaden instuticionale, ka folur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu si dhe deputeti nga Aleanca. Burim Ramadani.

Deliu tha se Kosova po përballet me ditë të rënda pa institucione, ndërsa theksoi se janë tejkaluar afatet kushtetuese e ligjore.

Ajo u bëri thirrje Kurtit dhe kryesuesit të seancës, Glauk Konjufcës, që ta ftojnë seancën dhe të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit.

Sipas saj, bllokada institucionale po e dëmton vendin dhe po shkakton pasoja për qytetarët. Deliu kërkoi që Kurti “ta lërë egon” dhe t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja, duke shtuar se pas konstituimit të Kuvendit mund të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentit, nëse sigurohen votat e nevojshme.

“Se jemi sot këtu bashkë me kolegët deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës, po ashtu jemi edhe me asamblistët e Drenasit. Natyrisht, po e shprehim prapë shqetësimin tonë, sepse Kosova po i kalon ditët e saj më të rënda, pa institucione. Ju e keni parë dhe jeni dëshmitarë të deklarimeve të kryesuesit të seancës plenare, zotit Dehari, i cili kur diskutonte për thirrjen e seancës, kërkonte që të ketë një marrëveshje politike. Mbrëmë qartazi e pamë të gjithë: nuk ka marrëveshje politike dhe Albin Kurti nuk po e thërret seancën.Prandaj, edhe sot e përsërisim thirrjen tonë që e bëjmë tash e sa kohë. Albin Kurti duhet ta ftojë seancën, të kthehet në Kuvend, t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. E thashë dhe po e ripërsëris: janë ditë të rënda që po i përjeton qytetari i Kosovës. Kosova po stagnon në të gjitha drejtimet e saj. Dje e kemi parë një protestë në sheshin e qytetit ku komunat e Kosovës, qytetarë nga të gjitha komunat kanë protestuar për shkak të diskriminimit dhe qasjes joserioze që po e bën Albin Kurti dhe përfaqësuesit e partisë së tij.Prandaj, kërkesa jonë sot është që ta lërë njëherë e përgjithmonë egon e tij, t’i kthehet krijimit të institucioneve të reja dhe ta ndalë bllokadën politike që po e bën si parti që ka marrë besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Ia kemi borxh këtij vendi, ia kemi borxh gjeneratave të reja, por mbi të gjitha ia kemi borxh Kosovës që t’i hapim rrugë krijimit të institucioneve të reja, dhe thirrja ime sot është që zoti Dehari ta ftojë seancën sepse nuk ka më kohë për të pritur.Kemi tejkaluar çdo afat kushtetues, çdo afat ligjor dhe jemi përtej çdo norme demokratike e kushtetuese. Prandaj po e përsëris: kthehuni në seancë, konstituoni Kuvendin, pastaj mundësitë janë që ai, nëse i ka votat, të procedojë me zgjedhjen e presidentit”, tha Deliu.

Ndërsa, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se opozita do të vazhdojë të qëndrojë dhe të rezistojë në mbrojtje të Kushtetutës, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Kosovë.

Ramadani ka akuzuar pushtetin se, sipas tij, qëllimi ka qenë që vendi të dërgohet në zgjedhje përmes “lojërave politike”, duke e cilësuar këtë si në kundërshtim me demokracinë dhe rendin kushtetues.

Ai tha se Aleanca, së bashku me PDK-në dhe qytetarët e Kosovës, nuk do ta pranojnë një situatë ku, “një njeri, sikurse është Kurti, është edhe kryeministër, edhe president, edhe parlament, edhe gjithçka”.

“Ne nuk e pranojmë këtë, nuk do ta pranojmë dhe për këtë besoj që qytetarët do t’i japin përgjigjen së shpejti”, ka deklaruar Ramadani.

Lajme të ngjashme