Abdixhiku dhe paradoksi i mbijetesës
Shkruan: Jon Krasniqi
Kriza dhe dobësimi i opozitës në rajonin e Ballkanit e ka përfshirë edhe Kosovën. Sot LDK efektivisht paraqet një parti të ndarë në dy fraksione dhe mbërritja e unitetit do të jetë proces shumë i ndërlikuar. Me zgjedhjet që me gjasë po afrojnë, koha është e shkurtër.
Lumir Abdixhiku e mori drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në një nga momentet më kritike të historisë së saj, pas rezultatit më të dobët zgjedhor në zgjedhjet nacionale, në shkurt të vitti 2021. Një muaj më pas, në mars 2021, ai u zgjodh kryetar i partisë me premtimin për një drejtim të ri, për modernizimin e LDK-së dhe për rikthimin e saj në rolin e një alternative serioze qeverisëse. Në vitet që pasuan, kjo ide u konkretizua përmes projektit të “Rruga e Re” , një koncept politik që synonte ta paraqiste LDK-në si alternativën ndaj Vetëvendosjes dhe si forcë të gatshme për ta udhëhequr vendin. Rruga e Re ishte prezantuar si plan zhvillimor katërvjeçar, me investime të planifikuara prej rreth 5 miliardë eurosh.
Për këtë arsye, zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ishin testi i parë i madh për projektin e tij politik. Rezultati, në pamje të parë, ishte pozitiv: LDK-ja mori 18.27 për qind të votave dhe 20 mandate, krahasuar me 12.65 për qind dhe 15 mandate në vitin 2021. Rritja ishte reale dhe nuk duhet mohuar, por ajo nuk ndryshoi një fakt themelor: LDK-ja mbeti partia e tretë.
Ky fakt duhej të ishte pikënisja e një analize më të thellë, sepse qëllimi i “Rrugës së Re” nuk ishte thjesht që LDK-ja të merrte disa vota më shumë se në vitin 2021. Synimi ishte që ajo të rikthehej si alternativë qeverisëse në plan afatgjatë, duke u pozicionuar si kundërpol i pushtetit, por edhe politikbërjes tradicionale në përgjithësi – për këtë Rruga quhej “E Re”. Në zgjedhjet e shkurtit 2025, Vetëvendosje mori 48 mandate, PDK-ja 24, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8. Tri partitë shqiptare të opozitës, nëse do të bashkoheshin, kishin 52 mandate, jo mjaftueshëm për ta formuar të vetme qeverinë, por mjaftueshëm për t’i dhënë LDK-së një rol të rëndësishëm në çdo përpjekje për krijimin e një shumice të re.
LDK-ja nuk zgjodhi ta shndërronte këtë peshë në rezultat konkret institucional. Në vend të një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë për formimin e qeverisë, Abdixhiku propozoi një qeveri tranzitore ose nacionale, me mandat të kufizuar deri në zgjedhjen e presidentit. Në qershor 2025, ai paraqiti një plan prej 15 pikash për një qeveri të tillë. Në teori, ishte përpjekje për ta nxjerrë vendin nga bllokada. Në praktikë, propozimi nuk prodhoi zgjidhje. Kosova hyri në një krizë të gjatë institucionale dhe Kuvendi dështoi dhjetëra herë ta zgjidhte kryetarin e tij, deri në zgjedhjen e Dimal Bashës më 26 gusht 2025, pas rreth gjashtë muajsh bllokadë.
Pastaj erdhi dhjetori. Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 ishin momenti kur çdo interpretim optimist duhej të ndalej. LDK-ja ra nga 18.27 në 13.24 për qind dhe nga 20 në 15 mandate. Ndërkohë, Vetëvendosje u rrit në 51.10 për qind dhe 57 mandate. Kjo ishte një humbje e konsiderueshme krahasuar me rezultatin e arritur vetëm disa muaj më herët.
Një rezultat i tillë duhej ta vendoste seriozisht në tavolinë përgjegjësinë politike të kryetarit dhe mundësinë e hapjes së një gare të re për lidershipin. Drejtimi i ndjekur jo vetëm që solli rezultate të dobëta në nivel nacional, por edhe atë lokal, ku LDK humbi Komuna me rëndësi në zgjedhjet lokale të vitit 2025. Përpos rezultateve zgjedhore që lenin për të dëshiruar, kriza e legjitimitetit të Abdixhikut filloi të shfaqej edhe lidhur me aftësitë menaxhuese, ku figura me peshë elektorale, por edhe histori më të vjetër se ai vetë në parti, filluan të shfaqnin pakënaqësi me mënyrën e udhëheqjes.
Abdixhiku e ofroi dorëheqjen para Kuvendit të LDK-së, por jo në mënyrë të parevokueshme; vendimi u shndërrua në votëbesim dhe delegatët e mbajtën në detyrë. Kjo ishte një procedurë legjitime partiake, por votëbesimi nuk mund të shërbente si zëvendësim për analizën e humbjes. Pyetja kryesore mbeti pa përgjigje: pse një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që në shkurt kishin votuar LDK-në, vetëm disa muaj më vonë vendosën të mos e bënin më këtë? A kishte dështuar mesazhi, organizimi, përzgjedhja e kandidatëve apo vetë perceptimi i Abdixhikut si alternativë ndaj Albin Kurtit? Pa një përgjigje bindëse ndaj këtyre pyetjeve, mbijetesa e kryetarit rrezikonte të trajtohej si dëshmi se strategjia kishte qenë e drejtë.
Zgjedhjet e 7 qershorit 2026 e komplikuan edhe më shumë këtë tablo. LDK-ja u rikuperua nga 13.24 në 16.69 për qind dhe fitoi 18 mandate, kësaj radhe me Vjosa Osmanin si bartëse të listës, mund të thuhet e kthyer në parti pa debat të hapur, me zgjedhjen e Abdixhikut. Por, ky rikuperim nuk ia ndryshoi pozitën themelore: LDK-ja mbeti e treta, pas PDK-së me 19.44 për qind dhe 22 mandate.
Prej këtyre rezultateve të njëpasnjëshme duhet nxjerrë mësimi se përmirësimi elektoral dhe fitorja politike nuk janë e njëjta gjë. Kalimi nga 13 në afro 17 për qind është rritje, por nëse projekti politik është rikthimi i LDK-së si alternativa kryesore qeverisëse, objektivi nuk mund të jetë vetëm rikuperimi nga rezultati i dobët paraprak. Duhet të jetë ndryshimi i raportit politik në vend.
Rezultati i qershorit e ktheu LDK-në afërsisht në pozitën e shkurtit 2025, por nuk e çoi përtej saj. Pas zgjedhjeve të qershorit 2026, LDK-ja u gjend para një dileme tjetër. Me 53 deputetë, Vetëvendosje mund ta kërkonte shumicën për qeverinë përmes përfaqësuesve të komuniteteve, por nuk i kishte numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Deputetët e LDK-së u bënë kështu veçanërisht të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës institucionale.
Këtu Abdixhiku bëri atë që vetëm disa muaj më herët dukej shumë më pak e mundshme; u ul në tavolinë me Albin Kurtin për të diskutuar për krijimin e institucioneve. Takimet u shpeshtuan dhe në proces u përfshi edhe Vjosa Osmani. U raportua për formula të ndryshme bashkëqeverisjeje, që përfshinin pozitën e zëvendëskryeministrit, disa ministri dhe drejtimin e Kuvendit, por asnjë marrëveshje për qeverinë nuk u finalizua.
Më 13 gusht, Abdixhiku deklaroi se LDK-ja heq dorë nga kërkesat për poste dhe do të qëndronte në opozitë. Ofertën për pozitën e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri e konsideroi rol “dekorativ”. Në të njëjtën kohë, ai bëri të qartë se LDK-ja do të vazhdonte të angazhohej për zgjedhjen e një presidenti jopartiak dhe konsensual.
Prandaj, vazhdimi i bisedimeve për presidentin nuk ishte në vetvete kundërthënie. Qëndrimi në opozitë dhe kontributi për zgjedhjen e presidentit mund të bashkëjetojnë. Problemi thelbësor ishte tjetër: çfarë roli politik po ndërtonte LDK-ja për vete dhe me çfarë mandati e kohezioni të brendshëm do ta mbështeste marrëveshjen e arritur?
Më 31 gusht, Vetëvendosje dhe LDK u pajtuan për Bekim Sejdiun si kandidat të përbashkët për president. Marrëveshja u paraqit si zgjidhje për krizën institucionale dhe si rezultat i një procesi ndërpartiak për gjetjen e një figure konsensuale. Në këtë situatë shfaqet paradoksi më i madh i gjithë procesit afro dy vjeçar.
Konsensus ndërpartiak, por jo brenda grupit parlamentar?
Bekim Sejdiu është zyrtarisht kandidat i përbashkët i LDK-së dhe Vetëvendosjes. Ekipi negociues i LDK-së kishte autorizim nga organet e partisë, ndërsa më 1 shtator Kryesia e LDK-së e mbështeti unanimisht nominimin e tij. Megjithatë, gjashtë nga 18 deputetët e LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri deklaruan se nuk do ta votonin kandidaturën. Në këtë situatë, zgjedhjet nacionale duken të mundshme, madje ndoshta të pashmangshme.
Pra, problemi nuk është se marrëveshja nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të LDK-së. Problemi është se qëndrimi zyrtar i partisë nuk po arrin të shndërrohet në unitet të grupit të saj parlamentar. Pajtimi i arritur me Vetëvendosjen ka nxjerrë në pah mungesën e konsensusit mes vetë deputetëve të LDK-së. Tani më, nëse votimi dështon, LDK-ja rrezikon të marrë pjesë të përgjegjësisë për vazhdimin e krizës.
Kjo përplasje nuk erdhi në një parti të bashkuar, por të çarë. Pas zgjedhjeve të qershorit, Abdixhiku u përball me një tjetër përpjekje për shkarkim. Në votimin e fshehtë të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, 170 delegatë e mbështetën, 152 votuan për shkarkimin e tij dhe pesë abstenuan. Abdixhiku mbijetoi sërish, por rezultati dëshmoi një ndarje të thellë brenda partisë.
Në të njëjtin Kuvend, delegatët miratuan edhe një deklaratë që i obligon zyrtarët dhe përfaqësuesit e LDK-së t’i zbatojnë vendimet e organeve kompetente, duke parashikuar masa statutare ndaj atyre që veprojnë në kundërshtim me to. Linjëzimi partiak është legjitim dhe i nevojshëm për funksionimin e një subjekti politik, por, kur vendoset mbi një parti pothuajse të ndarë në gjysmë rreth legjitimitetit të kryetarit, ajo ka shumë më shumë shancë ta thellojë konfliktin në vend që ta zgjidhë atë.
Prandaj, nuk duhet diskutuar vetëm nëse Abdixhiku po e centralizon LDK-në. Pyetja është nëse ai është në gjendje ta bashkojë atë pa i margjinalizuar figurat që e kundërshtojnë. Hoti,
Bajrami, Gashi, Zemaj dhe figura të tjera kritike përfaqësojnë më shumë se vetëm vota individuale në Kuvend; ato përfaqësojnë rrjete, struktura dhe pjesë shumë të madhe të elektoratit të LDK-së.
Humbja ose largimi i tyre mund ta konsolidojë kontrollin e kryetarit, por njëkohësisht mund ta zvogëlojë partinë.
Abdixhiku ka dëshmuar aftësi për mbijetesë politike brenda LDK-së. Pas rënies elektorale në zgjedhjet e dhjetorit, dorëheqja e tij nuk u pranua. Pas rezultatit të qershorit, i mbijetoi edhe një votimi të ngushtë për shkarkim. Por, pyetja mbetet: a po e mat suksesin me kohën që qëndron në krye të LDK-së, apo me krijimin e një figure kredibile opozitare, që ishte premtuar në 2021?
Se një figurë e re si politikisht ashtu edhe në aspektin e moshës, dështoi të shndërrohej në figure opozitare, kur në 2021 perspektiva dukej e hapur, tashmë duket qartazi. Nëse objektivi ishte “Rruga e Re”, rezultati nuk mund të jetë vetëm një kryetar që mbetet në detyrë përmes betejave brendapartiake. Opozitarizmi kërkon organizim politik që bind dhe ofron njerëz, fiton më shumë vota dhe mbi të gjitha, ofron qartësi për të ardhmen.
Kjo është ndoshta kriza më e madhe e LDK-së sot: mungesa e një përgjigjeje të qartë se për çfarë ekziston politikisht në raport me Vetëvendosjen. Nëse dëshiron të jetë alternativa e pushtetit, LDK duhet të bindë votuesin pse është më e besueshme se Vetëvendosje. Nëse dëshiron të jetë parti institucionaliste, duhet ta dëshmojë këtë me vendime të qëndrueshme dhe të shpjeguara. Nëse dëshiron të jetë opozitë, duhet ta bëjë opozitarizmin pjesë të një strategjie dhe jo thjesht pozicionin që mbetet pasi negociatat për qeverinë dështojnë. Dhe nëse dëshiron të jetë partia që mundëson zgjedhjen e një presidenti konsensual, duhet të jetë në gjendje ta ndërtojë mbështetjen për këtë vendim, duke nisë nga grupit i vet parlamentar e pastaj në raport me Vetëvendosjen, e jo e kundërta.
Përndryshe, gjithçka vazhdon të duket si reagim ndaj momentit: nga opozitarizmi te negociatat për qeverinë, nga kërkesa për president të LDK-së te kandidati i përbashkët me Vetëvendosjen dhe, në fund, te përpjekja për ta bindur vetë LDK-në që ta zbatojë marrëveshjen e kryetarit të saj. Kjo do të ishte humbja më e madhe e LDK-së: jo që Lumir Abdixhiku të humbë edhe një palë zgjedhje, por që ai të fitojë çdo betejë për të qëndruar në krye, ndërsa partia humb betejën që ka më shumë rëndësi, ta bindë Kosovën se ende meriton të jetë alternativa e saj e parë.
Paradoksi i Abdixhikut është se, sa më shumë dëshmon se di të mbijetojë në krye të LDK-së, aq më pak po arrin të dëshmojë se di ta kthejë LDK-në në krye të Kosovës.