Zelensky thotë se Ukraina po e finalizon marrëveshjen për dronë me Gjermaninë
Ukraina është duke finalizuar një marrëveshje për dronë me Gjermaninë, tha të mërkurën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas një telefonate me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Marrëveshja, e propozuar nga Ukraina disa muaj më parë, pritet që ta mbulojë zhvillimin e përbashkët të llojeve të ndryshme të dronëve, raketave dhe softuerëve përkatës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ekipet tona tashmë janë duke e finalizuar tekstin e marrëveshjes për dronë dhe kjo, mes tjerash, definitivisht do t’u ofrojë Gjermanisë dhe Ukrainës kapacitete mbrojtëse shtesë” – tha Zelensky në rrjetin “Telegram”.
Marrëveshja do ta fuqizojë bashkëpunimin ekzistues ukrainaso-gjerman në mbrojtje, përfshirë një program multimilionësh për ta furiznuar Kievin me rreth 15 mijë dronë pengues “Strila”, të dizajnuar për t’iu kundërvënë dronëve sulmues të llojit “Shahed”.
Në prill, kompania gjermane e teknologjisë së mbrojtjes, “Quantum Systems”, dhe prodhuesi ukrainas, “WIY Drones”, e njoftuan themelimin e ndërmarrjes së përbashkët, “Quantum WIY Industries”, për rritjen e prodhimit të dronëve pengues dhe teknologjisë përkatëse për mbrojtjen ajrore.
Gjermania gjithashtu do të financojë një porosi për 50 mijë dronë sulmues “Shrike” të prodhuar nga prodhuesi ukrainas, “SkyFall”, njëra nga blerjet më të mëdha të njohura të dronëve për Kievin nga një qeveri perëndimore.
Në një postim në rrjetin X, Zelensky tha se ai dhe kancelari gjerman diskutuan për marrëveshjen për dronët, mbështetjen e re gjermane për mbrojtje ajrore dhe planet për një takim sy më sy.