Daja: Mirëmbrëma Kosovë - bijtë e juaj jua dedikojnë këtë fitore - NACIONALE

Daja: Mirëmbrëma Kosovë - bijtë e juaj jua dedikojnë këtë fitore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ilir Daja foli me entuziazëm dhe krenari pas fitores së madhe që Ballkani arriti ndaj Sivassporit me rezultat 3:4 në Ligën e Konferencës.

Pas ndeshjes, ai shfrytëzoi rastin që t'ia dedikojë tërë Kosovës këtë fitore: "Mirëmbrëma Kosovë. Bijtë e saj, futbollistët e Ballkanit, ia dedikojnë të gjithë Kosovës fitoren."

Ai thuri elozhe të madhe për të besuarit e tij që zbritën në fushë: "Këta djem kanë personalitet dhe karakter. Megjithëse që kishim të gjithë ato mungesa, edhe lojtarët që u futën e vazhduan atë përpjekjen që kanë bërë edhe lojtarët e formacionit bazë"

Trajneri shqiptar vlerësoi se lojtarët që kanë zëvendësuar titullarët që mungonin, kanë ruajtur elementin bazë: entuziazmin.

"Me këta djem që kemi përballuam mungesat. Lojtarët që u futën ruajtën entuziazmin. Edhe pse u barazua rezultati, gjetëm forca për të reaguar", nën vizoi ai.

Ballkani prodhoi gjallëri në lojë, duke qenë ekip që krijoi volum të lartë të lojës, e po ashtu edhe raste të ndryshme për gol.

“Ajo që do të veçoja është se kemi prodhuar lojë gjatë gjithë ndeshjes. Po të tregoheshim më shumë klinikë do ta mbyllnim ndeshjen edhe më herët. Këta djem nuk kanë përfaqësuar vetëm Ballkanin dhe Therandën, por të gjithë Kosovën", theksoi ai.

Thaqi, Korenica dhe Potoku shprehen të lumtur për fitoren

Armend Thaqi edhe sot ishte lider në fushë. Ai shënoi golin e barazimit për 1:1 në minutën e 20-të, falë një goditje nga distanca që ishte kryevepër.

"Ndeshje e filluam në mënyrën më të keqe të mundshme, aq më tepër kur kalon në disavantazh 0:1 dhe luan në udhëtim. Këtu u tregua karakteri i ekipit dhe cilësia e madhe që kemi në ekip. Kështu, përmbysëm rezultatin”, tha ai fillimisht.

Mbrojtësi me përvojë u shfaq kritik për mënyrën se si i kanë pranuar golat: "Mund të them lirisht që ishim vetë ne që e rikthyem në lojë Sivassporin përmes atyre gabimeve që nuk është deshur të ndodhin. Ia falëm dy gola dhe e rikthyem në lojë. Zoti na ndihmojë, sepse e bëmë mundin. E shënuam golin e katërt dhe e fituam një ndeshje shumë të rëndësishme dhe shumë me meritë.”

Pas fitore së sotme, Ballkani ka filluar të ëndërrojë për një kualifikim drejt fazës së eliminimit në Ligën e Konferencës.

"Deri sot kemi thënë se jemi të kënaqur me këto arritje, por ndeshja e sotme na ka sjellë një motiv për të arritur diçka edhe më të madhe, që nuk besoj se e ka arritur ndonjë ekip shqiptar. Jemi në rrugë të mirë. Kemi kualitet dhe ekip që të mos kënaqemi vetëm me pjesëmarrjen në grupe. Shpresojmë që edhe në ndeshjen e kthimit që e kemi në Prishtinë të kemi një paraqitje të mirë dhe të vazhdojmë me tre pikë", u shpreh ai.

Deklarata më të shkurtëra dhanë Meriton Korenica dhe Arbër Potoku. Që të dytë shënuan gola të rëndësishëm në sfidën e sotme, duke mundësuar këtë triumf unik të Ballkanit.

Korenica vuri theksin te karakteri i fortë i skuadrës: "E treguam një karakter shumë të fortë. Rikthyem rezultatin në 3:4. E treguam më të mirën e mundshme. Shpresoj që edhe në ndeshjet tjera ta tregojmë një karakter të fortë, duke përfaqësuar gjithë Kosovën.”

Ndërkaq Potoku tha se të gjithë investimet e bëra viteve të fundit, tashmë po arsyetohen në fushë: "Treguam mjaft personalitet në këtë ndeshje dhe me mjaft meritë e fituam. Prej që ka hyrë në Superligë jam pjesë e Ballkanit. Ky është vit i pestë. Me të vërtetë është bërë një punë shumë e madhe. Rezultatet në vitin e fundit po tregojnë se të gjithë ato investime që janë bërë deri më tani ia kanë vlejtë. Shpresojmë që me punën e përbashkët me stafin, kryesinë dhe lojtarët - do të mund të ecim edhe më shumë.”

Lajme të ngjashme