Ballkani e trondit Sivassporin duke e arritur fitoren e parë historike në Ligën e Konferencës - NACIONALE

Ballkani e trondit Sivassporin duke e arritur fitoren e parë historike në Ligën e Konferencës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani ka shënuar fitoren e parë në Ligën e Konferencës, pasi mposhti në udhëtim Sivassporin me rezultat 3:4.

Ballkani ka shënuar një fitore të artë në tokën turke, duke shënuar edhe historinë e futbollit kosovar dhe atë të veten.

Ndonëse edhe në këtë ndeshje nuk u nis si favorit, ekipi therandas theu të gjitha parashikimet, duke dalë me tre pikët e plota kundër Sivassporit.

Skuadra kampione në fuqi e Kosovës edhe në këtë sfidë tregoi cilësitë e veta, veçmas në fazën ofensive, ku krijoi raste të shumta për gol, ku jo të gjitha i konkretizoi.

Raporti i ndeshjes Sivasspor 3:4 Ballkani

Nuk kaluan as 60 sekonda lojë dhe gjithçka nisi keq për ekipin kosovar, pasi Sivasspor gjeti epërsinë me golin e shënuar nga Ulvestad.

Ky gol erdhi si rezultat i një vendosje jo të mirë në vijën defansive nga mbrojtja e Ballkanit.

Ballkani nuk qëndroi duarkryq dhe filloi që ta qarkullonte shumë mirë topin, duke krijuar kështu edhe rastet e para për gol.

Goli i barazimit erdhi përmes një kryevepre të kapitenit Armend Thaqi. Ai shënoi në minutën e 20-të për ta barazuar rezultatin. Goditja e tij nga 20 metra mori një trajektore sublime, që la të fjetur portierin kundërshtar.

Ballkani vijoi të kishte mbizoëtrim të plotë në lojë. Me një futboll kërkues në fazë ofensive, ia doli që të krijonte edhe aksione tjera të rrjedhshme për shënim.

Kështu, therandasit përmbysën rezultatin në minutën e 31-të me Arbër Potokun. Ai shfrytëzoi mjaft mirë një pasim tokazi nga Ermal Krasniqi, duke shtyrë topin në rrjetë nga afërsia për 1:2.

Ky ishte rezultati me të cilin skuadrat iu drejtuan zhveshtores për pauzën 15-minutëshe mes dy pjesëve.

Në pjesën e dytë Sivasspor ndërmori tre zëvendësime të menjëhershme, por as kjo nuk i ndali orvatjet e Ballkanit në sulm.

Ishte dyshja mahnitëse e Ballkanit Thaqi – Korenica ajo që prodhoi golin e radhës. Pas një kombinimi të mirë në zonën e rreptësisë në minutën e 66-të, Thaqi shërbeu mirë Korenicën, i cili nga një pozitë gjysmë këndore goditi bukur për ta lënë të shtangur portierin turk.

Sivasspor provoi të rikthehej në lojë me anë të golit të dytë që gjeti në ndeshje në minutën e 75-të përmes Yesilyurt.

Çereku i fundit i nishte shumë i gjallë, me aksione nga të dy anët e fushës. Vlen të cekët një pritje madhështore nga Stivi Frashëri në minutën e 88-të, që ia pamundësoi Yalcinit realizimin e golit nga afërsia.

Pak çaste pasi gjyqtari i ndeshjes akordoi për tetë minuta shtesë, ishte Yatabare ai që shënoi për 3:3, duke shfrytëzuar një pakujdesi të mbrojtjes.

Sidoqoftë, momenti magjik erdhi në minutën e 94-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një tollovie të krijuar në mbrojtjen e ekipit turk, më së miri u gjend Ermal Krasniqi, i cili shënoi për golin e fitores në minutën e 94-të.

Kjo ishte fitore e madhe për ekipin kosovar, duke ia mundësuar që të kalojë në pozitën e dytë tabelore në grup.




Lajme të ngjashme