“S’shohim arsye për gjysmëmasa”: Rusia e hedh poshtë propozimin për armëpushim në Detin e Zi - NACIONALE

“S’shohim arsye për gjysmëmasa”: Rusia e hedh poshtë propozimin për armëpushim në Detin e Zi

54 minuta më parë

nga NACIONALE

Rusia të premten e hodhi poshtë idenë e një armëpushimi me Ukrainën në Detin e Zi, duke thënë se nuk sheh arsye për “gjysmëmasa” që do t’i ofronin lehtësim palës tjetër.

Ukraina dhe Rusia i kanë shtuar sulmet në javët e fundit kundër anijeve tregtare në Detin e Zi, duke shkaktuar rritje të çmimit të drithit në botë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një deklaratë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e akuzoi Ukrainën për “akte të pacipa të terrorizmit” kundër transportit detare, por nuk i përmendi sulmet e vendit të saj.

“Ne i shohim këto sulme [nga Ukraina] si politikë të qëllimshme që e ka për synim destabilizimin e transportit detar civil në rajonin e Detit të Zi për t’i përshkallëzuar më tej tensionet dhe për ta zgjatur konfliktin, e tëra me miratimin flagrant të fqinjëve rajonalë” – tha Zakharova.

“Në të njëjtën kohë, ne nuk shohim shenja të përmirësimit të situatës dhe, rrjedhimisht, as arsye për gjysmëmasa që thjesht i japin regjimit të Kievit një hapësirë të përkohshme për frymëmarrje” – shtoi ajo.

Zakharova tha se po e komentonte deklaratën e ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, në një intervistë se Ankaraja u ka paraqitur propozime Rusisë dhe Ukrainës për një moratorium mbi operacionet ushtarake në Detin e Zi.

Ajo tha se Rusia nuk ka pranuar ndonjë propozim formal nga Turqia.

Agjencia “Reuters” raportoi të enjten se Ukraina i kishte dërguar një ofertë Rusisë përmes një pale të tretë që të dyla palët t’i ndalin sulmet ndaj caqeve civile në Detin e Zi.

Lajme të ngjashme