Partia e Netanyahut e krahason kryetarin e Nju-Jorkut me krerët e Iranit e Hezbollahut
Partia e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, përmes një fushate me billborde, e ka krahasuar kryetarin e Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, me udhëheqësit e Iranit dhe Hezbollahut.
Billbordi i vendosur në qendër të Tel-Avivit e paraqet Mamdanin krahas presidentit turk, Rexhep Erdogan, liderit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, dhe shefit të Hezbollahut, Naim Qassem, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ata duan që Netanyahu të humbë... Mos i lini ata të fitojnë” – thuhet në pankartën që e mban logon e partisë djathtiste, Likud.
Netanyahu e ka nisur stilin e qeverisjes në fushatë për ta mbajtur në pushtet koalicionin e tij djathtist, pasi Kuvendi i Izraelit u shpërnda në korrik para zgjedhjeve të tetorit – të parat që nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Mamdani ka qenë kritik i zëshëm i luftës së Izraelit në Gaza që nga fillimi i fushatës së tij për kryetar të qytetit të famshëm amerikan, por lufta e tij me fjalë me Netanyahun u ashpërsua muajin e kaluar, kur ai tha se kryeministri izraelit është “kriminel lufte” i cili “i përket Hagës”.
Kryetari i Nju-Jorkut gjithashtu u ka bërë thirrje autoriteteve amerikane që ta zbatojnë urdhërarrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Netanyahun, kur ai të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Netanyahu është kundërpërgjigjur duke e akuzuar Mamdanin për “nxitje të urrejtjes” dhe për cytje të grupeve të ndryshme fetare në qytet për të dalë kundër njëri-tjetrit.