Dështimet e klubeve kosovare në Evropë - trajnerët Sejdiu dhe Morina japin shpjegimet e tyre - NACIONALE

Dështimet e klubeve kosovare në Evropë - trajnerët Sejdiu dhe Morina japin shpjegimet e tyre

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Në përjashtim të Dritës, të gjitha skuadrat kosovare patën rezultate të dobëta në Evropë. Për Gazetën Nacionale në lidhje me këtë temë u prononcuan trajnerët Arbnor Morina dhe Gani Sejdiu.

Ballkani, Gjilani dhe Llapi, zhgënjyen të gjithë ata që prisnin rezultate më të mira nga këto skuadra në rrethin e parë kualifikues të kompeticioneve evropiane.

Në përgjithësi, përjashto ndonjë periudhë të lojës, u pa një mungesë e të qenit konkurues mjaftueshëm për t'i përballur këto nivele të garave. Për dikë më shpejt sesa që pritej erdhi deri te eliminimi i skuadrave të sipërpërmendura.

Ndryshe nga to, Drita bëri detyrën, duke përmbysur për mrekulli rezultatin kundër Inter Turkut (1:0 ndeshja e parë e humbur), falë fitores 3:0 në Prishtinë.

Ballkani dhe Drita ndeshjet e radhës do t'i luajnë javën e ardhshme. Therandasit do të përballën ndaj skuadrës sanmarineze La Fiorita, kurse Drita ndaj asaj belge Antwerp. Të dy skuadrat ndeshjen e parë do ta luajnë në udhëtim, por në dy data të ndryshme: Ballkani më 19 korrik, kurse Drita dy ditë më vonë, më 22 korrik.

Për t'i analizuar të gjitha detajet që u vunë re nga ndeshjet e skuadrave kosovare në kualifikimet për arenë evropiane dhe për t'i evidentuar mangësitë që u panë, Gazeta Nacionale kontaktoi trajnerët vendorë, Gani Sejdiun dhe Arbnor Morinën.

Çalesat te Ballkani dhe Gjilani sipas Morinës

Për trajnerin e KF Ferizajt, Arbnor Morina, të dy skuadrat, Ballkani dhe Gjilani, kanë vënë në spikamë disa çalesa, të cilat ai për Gazetën Nacionale i përmendi.

"Po mendoj se te Ballkani ka pasur më tepër individualitet në disa momente, që i atribuohet eksperiencës në gara evropiane dhe aspektit psikologjik. Përndryshe, mendoj se me një agresivitet më të shtuar, ndoshta do të ndryshonte diçka.

"Gjilani mendoj se është vonuar me disa prurje, të cilat nuk e kanë të qartë se si frymon ekipi dhe Gjilani si klub. Po ashtu, është vënë re një mos syçelësi në momentet vendimtare", shtoi ai.

Llapi me barrë psikologjike, Drita skuadër e kompletuar

Ndërkaq, sa i përket dy skuadrave tjera, Drita dhe Llapi, Morina thurri elozhe për gjilanasit e udhëhequr nga Nuhiu, kurse arsyetoi Llapin për eliminim.

"Drita ka luajtur sigurt, por edhe ka ekip të kompletuar në të gjitha repartet. Llapi e ka pasur barrën e madhe psikologjike për arsye të publikut, por prapë në shumë momente ka qenë superior dhe me pak fat gjërat do të ishin ndryshe.
Mendoj se ka shumë gjëra rreth ekipeve, të cilat na penalizojnë në garat evropiane. Për këto nuk mund të punojnë vetëm klubet, por edhe strukturat shtetërore të kyçura në sport. Për këtë fenomen jam duke folur shpesh dhe mendoj se është një nga pengesat në rrugëtimin evropian", përfundoi Morina.

Prapëseprapë lojtarët e Superligës nuk duhen paragjykuar për të mos u ftuar në Kombëtare

Pavarësisht kritikave të mëdha që dominuan në opinionin publik për paraqitjen e ekipeve kosovare, për trajnerin Sejdiu kjo nuk nënkupton që lojtarët nga Superliga nuk e meritojnë ftesën në Kombëtaren e Kosovës.

"Akoma nuk mund të thuhet se bie poshtë teza për mosftesën e lojtarëve të Superligës për shkak të mospërballimit të ritmit, sepse ftesat janë individuale e jo ekipore. Mendoj se kemi lojtarë premtues, të cilët duhen shikuar nga një kënd optimist."

"Problemi tek ne si është qasja inferiore ndaj çdo gjëje që është e jona dhe që e cila mund të bëhet vlerë. Pra, nuk mendojmë në perspektivë, për të cilën nevojitet kohë, durim dhe projekt. Por, gjykojmë në moment dhe atë shpesh gabimisht", tha Sejdiu.

Faktorët e dështimit sipas Sejdiut

Trajneri mitrovicas, Gani Sejdiu, ka renditur një varg arsyesh, të cilat sipas tij kanë çuar deri te një ngërç në këto ndeshje.

"Është e vërtetë, sepse niveli i të gjitha skuadrave tona ishte mbi kundërshtarët, por vetëm Drita kaloi tutje, duke llogaritur edhe Ballkanin, i cili ka edhe një rast tjetër
."

"Janë shumë faktorë që ndikojnë, të cilët duhet një kohë e gjatë për t'i analizuar dhe gjetur shkaktarin, por shkurtimisht mendoj se ne nuk po arrijmë të krijojmë stabilitet të gjatë nëpër klube, falë ndryshimeve të shpeshta që ndodhin çdo sezon dhe kjo po na penalizon."

"Pastaj, edhe një gjë që mendoj si shkas në krahasim me kundërshtarët është euforia më e lartë sesa që duhet dhe e cila mandej në lojë prodhon jo qetësinë e duhur në momente të caktuara apo edhe egoizëmm të tepruara prej dëshirës së madhe"
, nënvizoi ai.

Funksionimi i klubeve me eufori

Për trajnerin Sejdiu po vërehet një fenomen i keq te klubet kosovare, i cili ka të bëjë me operimin euforik të tyre, që në fund nuk sjell fryte.

"Në opinionin tim në futboll duhet t'i bëjmë zgjidhjet ashtu siç e kërkojnë situatat. Pra, nuk zgjidhet gjithçka vetëm me angazhim apo me forcë, por edhe me inteligjencë. Duhet gjetur një balancë mes këtyre, e që normal nuk është e lehtë."

"Superliga e Kosovës normal që nuk ka shënuar progresin e duhur, ndonëse progres ka, por kjo temë është e një rëndësie të veçantë dhe duhet trajtuar me seriozitet. Kjo ka të bëjë me mënyrën euforike të funksionimit të klubeve, sidomos atyre që ndjekin Evropën."

"Metodë e cila i shtyn klubet që në mënyrë të pakontrolluar të bëjnë shpenzime, të cilat më vonë mund të sjellin pasoja, sepse bëhën pa asnjë standard."

"Normal që pa investime nuk mund të shkohet përpara, por ato duhet të mos jenë vetëm tek ekipi i parë, por paralelisht edhe në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe infrastrukturë. Gjithë kjo duhet të bëhet në mënyrë të kontrolluar", theksoi Gani Sejdiu.

Lajme të ngjashme