Llapi nuk ia del ta përmbysë rezultatin, eliminohet nga Buducnosti - NACIONALE
1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi barazon në Fadil Vokrri ndaj Buducnostit, ëndrra evropiane mbaron këtu

Llapi ka arritur që të marrë një barazim në ndeshjen kthyese ndaj Buducnostit në raundin e parë të Europa Conference League, por që nuk ishte i mjaftueshëm për t’u kualifikuar tutje. Ndeshja në Fadil Vokrri pas 90 minutave përfundoi me rezultatin 2:2, ndërsa rezultati i përgjithshëm 4:2 në të mirë të Buducnostit.

Llapi ishte më kërkuese që nga fillimi i ndeshjes, që ishte edhe e kuptueshme pas disavantazhit që kishte nga ndeshje e parë 2:0.

Rasti i parë serioz në ndeshje i takoi Llapit, kur Rivera goditi mirë nga afërsia në minutën e shtatë të takimit, por portieri i Buducnostit ishte i vëmendshëm.

Edhe pse Llapi po e kërkonte më shumë fitoren, ishte Buducnosti që shënoi golin e parë të takimit në minutën e 23 të takimit me anë të sulmuesit Djukanovic.

Llapi deri te goli i barazimit pati disa raste të mira por që portieri malazez në formë nuk lejoi që topi të kalonte prapa krahëve të tij.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, gjyqtari akordoi penallti për Llapin, ku Alef Firmino qetësisht realizoi për rezultatin 1:1, e që ishte edhe epilogu i pjesës së parë.

Edhe në pjesën e dytë ishte i njëjti episod, Llapi e kërkonte fitoren ndërsa Buducnosti realizoi sërish e para.

Në minutën e 64 të takimit ishte Djokovic ai që shënoi golin e dytë për skuadrën mysafire dhe të epërsisë 2:1.

Nuk vonoi shumë, kur pas shtatë minutash Kurtaj i Llapit me një gol fantastik sërish barazoi rezultatin në 2:2.

Në minutat shtesë të takimit, Llapi kishte mundësinë për të kaluar në epërsi për herë të parë por Festim Alidema nuk shënoi nga pika e bardhë, dhe rezultati final i takimit ishte ai i minutës së 70-të, pra 2:2.

Llapi këtu përfundon rrugëtimin në Evropë, dhe i mbetët të punojë fort për sezonin e ri në Superligën e Kosovës.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi humb penaltinë

90+4' Llapi shpërdoron rast të artë nga pika e bardhë. I pasaktë u tregua Festim Alidema.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi pranë eliminimit

85' Pavarësisht angazhimit të madh të lojtarëve llapjanë, kjo nuk po u mjafton që ta rikthejnë shpresën për kualifikim. Minutat flasin kundër tyre, pasi fundi i ndeshjes po afron dhe Llapi është shumë pranë që të eliminohet nga rrethi i parë kualifikues në Conference League.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi barazon rezultatin

70' Kurtaj me anë të një predhe nga distanca shënoi një gol magjeps. I ndihmuar paksa edhe nga një devijim i kundërshtarit, por gjithsesi, vlen për t'u përmendur paraqitja e tij shumë e mirë prej që hyri në fushë. Tanimë rezultati është baras, 2:2.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Batatina bën dy zëvendësime tjera

67' Batatina ka bërë dy zëvendësime tjera. Në lojë janë inkuadruar Da Silva dhe Alidemaj, kurse nga loja dolën Shabani dhe Progni.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Kurtaj provon të shënojë

65' Kurtaj provoi të shënojë nga një pozitë e vdekur e fushës, më saktësisht nga vija e këndores, por topi shkoi jashtë shtyllës së dytë pingule.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Buducnost rikthen epërsinë

64' Ekipi malazez ka rikthyer epërsinë në favorin e vet. Në mënyrë pragmatike Djokovic shënoi golin e dytë të tij në ndeshje. Llapi pranë eliminimit.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Batatina bën zëvendësimin e parë

59' Trajneri llapjan ka bërë zëvendësimin e parë. Nga loja është larguar Maliqi, kurse në vend të tij hyri Kurtaj.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi i afrohet golit të dytë

58' Llapi fare pranë iu afrua golit të dytë. Maliqi për pak nuk përfitoi nga një rrëshqitje e portierit malazez.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Dominim i Llapit

54' Pas nëntë minutave lojë në pjesë të dytë mund të konstatohet që Llapi ka qenë më dominues. Progni për mrekulli u lirua nga këndi i djathtë, harkoi në zonë, por Maliqi për fare pak nuk arriti ta devijojë topin drejt portës.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Nis pjesa e dytë

46' Ka nisur pjesa e dytë mes Llapit dhe Buducnostit.

Llapjanët duhet t'i shënojnë edhe dy gola tjerë për ta barazuar rezultatin e përgjithshme, që do t'i hapte rrugë kualifikimit.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Mbyllet pjesa e parë baras

Ka përfunduar pjesa e parë me rezultat baras, 1:1.

Gjithë pjesa e parë kishte gjallëri në lojë. Llapi në shumicën e kohës kishte iniciativën në lojë, por dinak dhe konkret u tregua edhe Buducnost, duke përfituar nga çdo lëshim i llapjanëve.



Në minutën e 19-të, skuadra e Llapit me këmbëngulte që t'i akordohej një penalti, pasi dyshohet se një lojtar i Buducnostit ka prekur topin me dorë. Përkundër presionit të lojtarëve që i bënë, gjyqtari nuk ndryshoi vendim.
Skuadra malezeze gjeti epërsinë në minutën e 23-të, me sulmuesin Djukanovic. Në minutat në vazhdim Llapi hasi në një kolaps psiqik, duke mos arritur të reagojë. Si pasojë, Buducnost goditi shtyllën, duke iu afruar golit.



Por, tek pas minutës së 37-të, Llapi filloi të besojë te barazimi i rezultatit. Firmino me dy goditje nga distanca shkundi skuadrën.

Kjo orvatje e lojtarëve llapjanë u shpërblye, pasi gjyqtari i ndeshjes në minutën e 45-të akordoi penalti në favor të tyre. Nga pika e bardhë nuk gaboi Firmino, i cili barazoi rezultatin në 1:1.


Tanimë Llapi duhet t'i shënojë edhe dy gola, në mënyrë që ta barazojë rezultatin e përgjithshëm dhe ta rihapë çështjen e kualifikimit.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi barazon rezultatin

45+1' Firmino mjeshtërisht shënoi nga pika e bardhë për ta barazuar rezultatin në 1:1.
Stadiumi "Fadil Vokrri" kaloi në delir pas golit të brazilianit.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Penalti për Llapin

44' Gjyqtari i ndeshjes ka akorduar penalti për Llapin.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Portieri malazez ia mohon Llapit një gol të sigurt

42' Firmino filloi ta shkundë Buducnostin. Ai sërish provoi një goditje nga distanca e afërt. Kësaj radhe goditja e sulmuesit brazilian ishte akoma më dinake dhe fortë, por portieri malazez u shkëput lart në cepin e majtë të portës së tij për ta devijuar mrekullisht topin në këndore.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Firmino provon goditjen nga distanca

39' Sulmuesi brazilian i Llapit, Firmino, provoi nga 20 metra distanca të godiste nga pozita qëndrore, por topi përfundoi fare pranë shtyllës së parë pingule të portierit malazez.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi i pafuqishëm deri më tani

35' Deri në këtë periudhë të lojës, të besuarit e Tahir Batatinës nuk po ia dalin assesi që t'i afrohen golit të barazimit, që do t'i hapte rrugë edhe një rikthimi eventual në lojë, për t'i kthyer shpresat për kualifikim të mëtejm.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Buducnost godet shtyllën

27' Buducnost vijon të jetë skuadër më e matur në fushë. Vetëm shtylla shpëtoi portën e Llapit nga një gol i radhës i malazezëve.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Buducnost shënon golin e epërsisë


23' Sulmuesi i ri malazez, Djukanovic, përfitoi më së miri nga një huti e mbrojtjes llapjane, për ta çuar topin brenda kuadratit. Buducnost tani është në epërsi me rezultat 0:1.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi kërkon penalti, gjyqtari hesht

19' Skuadra e Llapit me këmbëngulje po kërkon që t'i akordohet një penalti, pasi dyshohet se një lojtar i Buducnostit ka prekur topin me dorë. Përkundër presionit të lojtarëve që i bënë, gjyqtari nuk ndryshoi vendim.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Portieri malazez zhagit lojën

12' Dragojevic ka ftuar stafin mjekësor që të intervenojë për ta asistuar, duke u ankuar në një lëndim. Në fund, ai pas një minuti, u ngrit në këmbë, sa për ta dëshmuar që ishte vetëm një arsyetim për ta vonuar lojën.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi i afrohet golit të epërsisë

7' Llapi ndërtoi një aksion të mirë në fazën sulmuese. Rivera u gjend në zonë të rreptësisë dhe provoi të godiste, por portieri kundërshtar u shfaq i vëmendshëm për ta shmangur rrezikun.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Vonohet fillimi i ndeshjes

Po vonohet fillimi i ndeshjes si pasojë e disa hedhjeve të mjeteve piroteknike. Gjyqtari i ndeshjes i ka ftuar të dy skuadrat për t'u konsultuar.

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Ndeshja e dytë e raundit të parë të Europe Conference League, ndërmjet Llapit dhe Buducnostit zhvillohet sot në Fadil Vokrri. Llapjanët synojnë rikthimin me një përkrahje masive të tifozëve, pasi në ndeshjen e parë në udhëtim u mposhtën 2:0.

Sot stadiumi kombëtar i Kosovës, pritet të jetë i mbushur me tifozë nga të gjitha anët e Kosovës, pas një thirrjeje të vetë klubit llapjan për një përkrahje masive për të arritur deri te fitorja dhe kualifikimi në raundin e dytë.

Ndërkohë të dy trajnerët kanë publikuar formacionet që do ta nisin ndeshjen nga fillimi.

Llapi me trajnerin Tahir Batatina fillon ndeshjen me këtë 11-she: Ilir Avdyli (P), Bujar Idrizi (C), Ilir Krasniqi, Kushtrim Shabani, Fernandinho, Arbnor Ramadani, Drilon Fazliu, Francisco Rivera, Gerhard Progni, Firmino dhe Adem Maliqi.

Aleksander Nedovic te Buducnosti do t’i kundërpërgjigjet me këtë formacion: Milos Dragojevic (P), Miomir Durickovic, Damjan Dakic, Vladan Adzic, Andrija Raznatovic, Vasilije Terizic (C), Branislav Jankovic, Luka Mirkovic, Lazar Mijovic, Stefan Milosevic dhe Viktor Dukanovic.

Lajme të ngjashme