Shkëlqen Arbnor Muja, Drita i jep leksion Inter Turkut dhe avancon tutje - NACIONALE

Shkëlqen Arbnor Muja, Drita i jep leksion Inter Turkut dhe avancon tutje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drita ka shënuar fitore bindëse në shtëpi ndaj Inter Turkut, duke prerë "biletën" për të avancuar në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Nënkampioni i Kosovës triumfoi me rezultat 3:0 për të avancuar tutje, derisa rezultati i përgjithshëm doli të jetë 3:1.

Seriozitetin Drita në takim e tregoi pas vetëm dy minutave lojë, ku pas një super aksioni sulmuesi Marko Simonovski realizoi nga afërsia që të ndez atmosferën në "Fadil Vokrri".

Dominimi i Dritës vazhdoi gjatë tërë kohës, por që ishin të pafat për të gjetur rrugën drejtë rrjetës.

Vlen të ceket se edhe skuadra finlandeze që kishte fituar ndeshjen e parë me rezultat 1:0, kishte disa raste të mira më shumë përmes kundërzbritjeve, por mbrojtja vendase ishte gjithmonë në vendin dhe kohën e duhur.

Ashtu si në pjesën e parë, edhe në të dytën "Intelektualët" hynë furishëm në fushë. Nga një harkimi nga këndi, Arbnor Muja gjuajti nga afërsia fillimisht duke goditur shtyllën e pastaj, nga topi i kthyer e dërgoi në rrjetë (49').

Por, festa nuk u ndal me kaq. Më saktësisht Muja tregoi kualitetin vetëm dy minuta më vonë pas një kundëraksioni të shpejtë duke realizuar sërish dhe nisur festën në stadium (51').

Edhe pse pësoi dy gola, Inter Turku nuk është se u nxitua pasi që nuk ndryshuan mënyrën e lojës. Finlandezët prisnin për ndonjë gabim të skuadrës vendase që të nisnin kundërsulmet me anë të anësorëve, gjë që nuk ndodhi.

Muja gjithashtu kishte një rast të artë që të kompletonte het-trikun, mirëpo dështoi në mundësinë një kundër një ndaj portierit.

Kështu, Drita në raundin e dytë kualifikues do të ketë një sfidë jo të lehtë, pasi përball ka skuadrën e madhe të Belgjikës, Royal Antwerp FC.

Lajme të ngjashme