Conference League: Gjilani me paraqitje të dobët, eliminohet nga Liepaja
Një paraqitje tepër e dobët e Gjilanit bëri që të eliminohej nga Conference League, pasi humbi në Letoni ndaj Liepajas me rezultat 3:1 (3:2 rezultati i përgjithshëm).
Gjilani vinte nga një rezultat relativisht i përshtatshëm, pasi e kishte kapitalin e një goli epërsi, marrë parasysh fitoren që kishte arritur në ndeshjen e parë me rezultat 1:0.
Trajneri Ramadani hyri në fushë me një formacion ku nuk bëri shumë ndryshime për dallim nga ndeshja e parë. Me Koliqin në portë, Hoxhën, Krivanjevën, Prekazin, Beqjen në mbrojtje, Aziz, Dabiqaj në mesfushë, si dhe Zabërgjën, Kelmendin, Calen dhe Krasniqin në repartin sulmues - e nisi e ndeshjen.
Pjesa e parë
Lehtësisht mund ta përshkruajmë si njëren prej atyre pjesëlojëve ku monotonia triumfoi mbi gjithçka. Për 45 minuta të tërë nuk u shënua asnjë rast shënimi, i cili do t'ia vlente të përmendej.
Gjilani e nisi ndeshjen me një qasje defanzive, me qëllim që ta mbronte epërsinë e krijuar nga ndeshja e parë në "Fadil Vokrri".
Liepaja nuk bindte me lojë, edhe pse kishte më shumë qarkullim të topit në anën e saj. Në tërësi, në pjesën e parë u vunë re pasimet e ngadalshme, ndërprerjet e shpeshta dhe shumë pak lojë efektive.
Skuadrat hezitonin që të rrezikonin diçka më shumë. Gjilanit ritmi i ulët i lojës dukej se po i konvenonte, sepse nuk përpiqej fare që të nisej shpejt qoftë edhe në kundërsulme.
Zbehtë, pa energji të duhur, pa aksione të rrjedhshme dhe me portat e patundura, përfundoi pjesa e parë me rezultatin 0:0.
Pjesa e dytë ngjalli ndeshjen
Fillimi i pjesës së dytë shënoi një pikë kthese. Liepaja rriti ritmin e saj të lojës. Kjo filloi ta vënte në vështirësi Gjilanin.
Në minutën e 48-të të takimit, gjyqtari i ndeshjes akordoi një goditje dënimi në favor të ekipit letonez nga një distancë e madhe në pozitën ballore.
Ndërprerja në fjalë nuk premtonte shumë, por topi i harkuar në brendi të zonës, doli të ishte përcaktues për t'u zhbllokuar rezultati. Kjo pasi sipas gjyqtarit të ndeshjes mbrojtësi mitrovicas, Arbër Prekazi, faulloi në zonë me duar kundërshtarin e tij.
Penaltia e kontestuar
Për hir të vërtetës, nga pamjet televizive u duk një kontakt shumë i lehtë për t'u konsideruar si penalti. Megjithatë, gjyqtari akordoi penalti në favor të Liepajas.
Nga pika e bardhë nuk gaboi Karasauskas, i cili dërgoi topin në cepin e majt të portës së Enea Koliçit, duke e sjellë në epërsi Liepajan në minutën e 49-të me rezultat 1:0.
Kundërpërgjigja e Gjilanit
Gjithsesi, Gjilani nuk qëndroi duarkryq. Ekipi i udhëhequr nga trajneri Ramadani provoi që të kundërpërgjigjej shumë shpejt.
Një gjë të tillë gjilanasit e bënë pas dy minutave, kur Aziz provoi harkimin nga një pozitë qëndrore. Në brendi të zonës qendërmbrojtësit e ekipit nikoqir u hutuan dhe nga kjo rrëmujë përfitoi sulmuesi Blerim Krasniqi, i cili u gjend i vetëm brenda zonës të rreptësisë.
Krasniqi për mrekulli zgjati këmbën dhe devijoi me sukses topin, për ta barazuar rezultatin në 1:1.
Liepaja nuk u dorëzua
Sidoqoftë, duhet thënë se Liepaja kishte ndërruar qasje dhe filozofi të lojës. Ishte skuadër shumë më kërkuese. Iniciativa në lojë i takonte asaj, me Gjilanin që qëndronte i tërhequr në gjysmëfushën e vet.
Liepaja u pa më me energji në pjesë të dytë. Letonezët arritën që pas dymbëdhjetë minutave ta rikthenin epërsinë në rezultat.
Zhvillohej minuta e 63-të kur Karasauskas lëshoi një predhë nga distanca e largët, duke goditur trasversalen. Topi u kthye në zemër të zonës dhe aty u gjend i lirë Belakovic, i cili me portën e boshatisur e pati të lehtë të shënojë për rezultatin 2:1.
Mentalitet i dobët nga Gjilani
Sulmet e Liepajas nuk kishin të rreshtur në minutat në vazhdim. Një gjë e tillë vinte edhe për shkak se Gjilani tregonte mentalitet të dobët, duke qëndruar në gjysmëfushën e saj, pa bërë ndonjë aksion efikas në pjesën e dytë.
Frytet e një loje shumë të qartë dhe më sulmuese për Liepajan nuk vonuan. I inkuadruari në pjesën e dytë, Besar Musolli, zgjati këmbën për ta penguar kundërshtarin në zonën e rreptësisë.
Gjyqtari akordoi për penaltinë e dytë në ndeshje në favor të nikoqirëve. Kështu, në minutën e 88-të, nga pika e bardhë nuk gaboi sulmuesi me përvojë brazilian, Dodo, i cili la të shtangur Koliqin, duke dërguar topin në këndin e majtë të portës.
Deri në fund të ndeshjes Liepaja ruajti këtë epërsi dhe me meritë në fund iu gëzua kalimit në rrethin vijues të Conference League. Ndërkaq, për Gjilanin aventura evropiane mbaron këtu, me një shije tejet të hidhur.

