Conference League: Gjilani e mposht Lipeajan në ndeshjen e parë kualifikuese - NACIONALE

Conference League: Gjilani e mposht Lipeajan në ndeshjen e parë kualifikuese

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Gjilani ka arritur fitore minimale në ndeshjen e raundit të parë kualifikues në Europa Conference League me rezultat 1:0, ndaj skuadrës nga Letonia, Liepaja, në ndeshjen që u zhvillua në Fadil Vokrri.

Skifterat zhvilluan një ndeshje mjaft të bukur në të dy pjesët e takimit, ku gjatë tërë takimit u tregua më kërkuese se skuadra mysafire.

Edhe pse kishte dominimin total në pjesën e parë, Gjilani arriti të kalojë në epërsi vetëm në 10 minutat e fundit të pjesës së parë, kur kapiteni i skuadrës, Albert Dabiqaj, shënoi në minutën e 37-të pas një asistimi të brazilianit Elton Cale.

Pjesa e dytë nisi pakëz më qetë, me Gjilanin që kujdesej për rezultatin e që herë pas herë sulmonte me disa dalje të rrezikshme e të shpejta.

Ndërsa skuadra mysafire nga Letonia nuk tregoi asgjë gjatë tërë takimit, dhe kjo është meritë kryesisht e trajneri shkupjan, Zekirija Ramadanit, i cili po vërehet se ka dhënë tjetër frymë në skuadër që nuk ishte parë në vitet e kaluara.

Rastin e vetëm të rrezikshëm skuadra mysafire e pati në minutën e 77-të të takimit kur Soladio Kandolo me një goditje të fuqishme rrezikoi shumë skuadrën kosovare, por në vend ishte portieri shqiptar, Enea Koliçi, i cili bëri një super pritje në atë moment.

Deri në fund të takimit nuk pati më raste për t’u veçuar dhe rezultati i takimit ishte ai i pjesës së parë 1:0 me golin e kapitenit Albert Dabiqaj

Gjilani në ndeshjen kthyese që e zhvillon si mysafire synon që ta mbrojë rezultatin e arritur në Fadil Vokrri, që të arrijë kualifikimin në raundin e dytë të Europa Conference League.

Ndeshja kthyese mes Liepajas dhe Gjilanit zhvillohet më 14 korrik me fillim nga ora 16:00 në Dougavas Stadium në Letoni.

Lajme të ngjashme