Zekirija Ramadani: Ndeshjet e para gjithmonë janë të vështira
Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani, pas ndeshjes ka thënë se ishte një ndeshje e vështirë pasi që skuadra mysafire ndërroi sistemin e lojës.
“Ndeshja e parë gjithmonë janë të vështira. Patëm vështirësi sepse kundërshtari ndërroi sistemin e lojës dhe nuk luajti siç kishte luajtur në ndeshjet e fundit. Më duhet ta pranojë se nuk e luajtëm lojën që kishim përgatitur por ne e dhamë maksimumin. Fusha në Fadil Vokrri ishte e rënduar dhe nuk ishte e përshtatshme për pasime të shkurta të cilat në rast gabimi mund të përfundojnë me ndëshkim. Gjyqtari i takimit nuk gjykoi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme por që ato gabime që bëri nuk ndikuan në rezultat. Te Cale nuk duhej të toleroheshin aq shumë kundërshtarët pasi që po e godisnin pa ndalë.”
Edhe shënuesi i vetëm i takimit, kapiteni i skuadrës, Albert Dabiqaj, foli pas takimit duke thënë se ishte ndeshje e vështirë, pasi që kundërshtarët veçse kanë nisur kampionatin ndërsa për Gjilanin vetëm ndeshja e parë.
“Kundërshtarët luajtën mirë fizikisht, kjo na e vështirësoi paksa ndeshjen. Gjithmonë është kënaqësi të shënosh. Kjo sot për ne ishte ndeshja e parë zyrtare, ndërsa kundërshtarët veçse e kanë nisur kampionatin. Edhe pse fituam ne nuk luajtëm aspak bukur. Në ndeshjen e kthimit do të shkojmë sikur rezultati të jetë 0:0.”
