Dita vendimtare: Gjilani për kualifikim ndaj Liepajës, Llapi synon përmbysjen kundër Buducnostit - NACIONALE

Dita vendimtare: Gjilani për kualifikim ndaj Liepajës, Llapi synon përmbysjen kundër Buducnostit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjilani do të provojë të ruaj rezultatin pozitiv ndaj Liepajës, derisa Llapi synon një përmbysje të çmendur në "Fadil Vorri" kundër Buducnostit, në kuadër të ndeshjeve kthyese për raundin e parë të Conference League.

Dy klubet kosovare synon të ndjekin rrugën e Ballkanit dhe Dritës që të mbërrijnë në rrethin e dytë kualifikues. "Intelektualët" eliminuan Inter Turkun me rezultat të përgjithshëm 3:1, derisa "Xhebrailat" avancuan direkt pas humbjes ndaj Zalgiris në Ligën e Kampionëve.

Gjilani me një rezultat pozitiv avancon tutje në rrethin e dytë kualifikues

Sport Club Gjilani ka rastin e artë që të avancojë në rrethin e dytë kualifikues, pasi vetëm i nevojitet të ruaj rezultatin pozitiv të takimit.

"Skifterët" triumfuan në ndeshjen e parë me rezultat minimal 1:0, sfidë të cilën e dominuan prandaj do ta synojnë të njëjtën gjë edhe si mysafir.

Ishte ndeshja e parë zyrtare dhe gjithnjë ndeshjet e para janë të vështira, sidomos kur luan në Evropë. Ishte kundërshtar që ka luajtur me modul tjetër nga tri ndeshjet e kaluara. Kjo na krijoi pak vështirësi. E dhamë maksimumin, por nuk luajtëm lojën që e kishim përgatitur. Një prej faktorëve ishte edhe fusha, që nuk ishte adekuate për pasime të shkurtra pasi mund të gabonim dhe të ndëshkohemi nga kundërshtari që ka shumë përvojë”, ishte deklarata e trajnerit Zekirija Ramadani pas fitores së parë.

Yjet e Gjilanit në fakt janë optimist për fitore në këtë sfidë dhe një gjë të tillë e bëri të ditur, sulmuesi Baton Zabërgja që për Nacionalen nënvizoi që se bashku do ta kalojnë Liepajën.

Sa i përket ndeshjes së kthimit kundër Liepajës, besoj në trajnerin, bashkëlojtarët dhe menaxhmentin se kështu siç jemi si një trung i vetëm me gjithë këtë ujdi, do të kalojmë pa problem raundin”, deklaroi ai ditën e hënë.

Përballja mes Liepajës dhe Gjilanit do të nis në ora 16:00 dhe zhvillohet në stadiumin "Daugavas".

Llapi ëndërron për përmbysje ndaj Buducnostit

Edhe pse takimi i parë përfundoi me rezultat 2:0, Llapi është më optimist se kurrë për një përmbysje të çmendur në “Fadil Vokrri” ndaj ekipit malazez.

Buducnost zhvilloi paraqitje të mirë në Podgoricë, por në fund tifozët e tyre bën gjeste të pahijshme duke gjuajtur gjësende drejt bankinës së skuadrës kosovare.

Kështu, Llapi që pas asaj takimi ka ofruar bileta falas që janë blerë nga kompani të ndryshme për tifozëri të ndryshme që t’i mbështesin ditën e enjte, ftesë që për 21 tifozëri ka qenë pozitive.

Por, ky optimizëm nuk vlen vetëm në aspektin që pritet një stadium të jetë i plot, mirëpo edhe para ndeshjes trajneri Tahir Batatina deklaroi se i dinë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit, andaj do të luajnë lojë ofensive.

Përshtypja ime e parë rreth skuadrës për këtë ndeshje, duke e ditur që është ndeshje e veçantë pasi që kemi ndeshjen e dytë kthyese dhe shpresoj që ne do të kemi marrë të gjitha masat si skuadër që ta bëjmë maksimumin në çdo aspekt. Kemi informacionet e duhura për kundërshtarin pasi i dimë të gjitha pikat e forta dhe të dobëta. Mendoj që duhet të ndryshojmë taktikisht”, nënvizoi ai ditën e mërkurë.

Përpos kësaj, Llapi edhe i ka motivuar futbollistë në aspektin financiar duke ofruar 20 mijë euro si premi.

Llapi gjithmonë ka pasur bonuse edhe në ndeshjet vendore si skuadër. Mendoj që lojtarët kanë një bonus të mirë të cilët do ta marrin nesër. Bonusi i tyre do të jetë i përfshirë mes lojtarëve, stafit dhe njerëzit që janë përreth, do të marrin një premi prej 20 mijë eurove për kualifikimin tutje”, ishte deklarata e Batatinës.

Në fund, kujtojmë se sfida mes Llapit dhe Buducnostit zhvillohet me fillim nga ora 20:00.

Lajme të ngjashme