Kush është La Fiorita – kundërshtarja e Ballkanit në Conference League?
La Fiorita, kampionia e San Marinos do të jetë kundërshtari i ardhshëm i kampionit të Kosovës, Ballkanit, në Evropë. Të dy skuadrat vijnë nga humbjet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe si pasojë do t'i vijojnë kualifikimet në Europa Conference League - garën e kategorisë së tretë të futbollit evropian.
Skuadra nga Suhareka, Ballkani, si kampion i Kosovës kishte fituar të drejtën për të luajtur në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, por këtë mundësi nuk e shfrytëzoi pasi u mposht nga Zalgiris dhe tani do ta kenë edhe një mundësi por tash në Europe Conference League, ku në raundin e dytë të kësaj gare takohen me La Fioritan.
La Fiorita, kampione e San Marinos për tre vite radhazi, njëjtë si Ballkani, u mposht në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku përballë kishte skuadrën Inter d’Escaldes nga Andorra.

Megjithëse nuk i ka shijuar ndonjëherë grupet e asnjërës prej ligave evropiane, La Fiorita qëndron më mirë se Ballkani kur bëhet fjalë për përvojën evropiane.
Debutimin e saj në kualifikimet për në gara evropiane e filloi në sezonin 2012/13, në atë kohë u eliminua nga rivali i tanishëm i Gjilanit, Liepaja.
Në 10 tentimet e mëhershme, La Fiorita, lëre që nuk ka kaluar asnjë raund por nuk ka arritur që në asnjë ndeshje të shënoi fitore, shpeshherë duke u mposhtur thellë me rezultatet si 10:1, 9:0, 8:0, 7:0, 6:0.

Historiku i kësaj skuadra tregon për një nivel të ulët në ligën shtetërore të San Marinos.
Ndërsa kampionia kosovare, Ballkani, këtë vit debuton për herë të parë në ndonjë garë evropiane, pasi që vitet e kaluara pavarësisht që ishte konkurrent shumë i fortë nuk kishte arritur që të siguronte një plasman të tillë.

Ndeshjet ndaj Zalgiris, treguan më së mirë për këtë, që më para se të gjithash pati një mungesë përvoje edhe si skuadër por edhe lojtarët që ishin të rrallë që kishin luajtur në këtë nivel.
Ndeshja e parë ndërmjet La Fioritas dhe Ballkanit, do të zhvillohet në javën e ardhshme, përkatësisht më 21 korrik ndërsa orari i saktë nuk dihet ende. Kjo ndeshje zhvillohet në San Marino, kurse menjëherë pas një jave më 28 korrik zhvillohet ndeshja e kthimit që me shumë gjasë zhvillohet në Fadil Vokrri.

