Ballkani përshëndetet nga Liga e Kampionëve, eliminohet nga Zalgiris
Ballkani ndërpret rrugëtimin kualifikues në Ligën e Kampionëve. Kampioni në fuqi i Superligës pësoi humbje kundër Zalgiris me rezultat 1:0 (2:1 rezultati i përgjithshëm).
Sot, u luajt edhe ndeshja e kthimit. Kësaj radhe, për dallim nga ndeshja e parë, Zalgiris pati aksionet më të mira për shënimin e golave dhe kishte më shumë qartësi në lojën e saj që aplikoi në fushë.
Pjesa e parë
Me fillimin e ndeshjes, mesfushori anësor i ekipit lituanez, Kyeremeh, u shfaq menjëherë i rrezikshëm në minutën e 6-të të takimit, por portieri Frashëri me dy ndërhyrje shpëtoi portën e tij, duke bërë pritje fantastike. Ai falë reflekseve mahnitesë arriti që ta ndalojë hyrjen e topit në kornizë të portës, duke e larguar në vijë, pak para se të përfundonte brenda katërkëndshit të tij.

Në përgjithësi, në 20 minutat e para ishte Zalgiris skuadër më kërkuese dhe më sulmuese në fushë. Për fat të mirë, Ballkani ia doli t'i mënjanojë sulmet kundërshtare.
Pas minutës së 20-të, Zalgiris uli ritmin e lojës dhe baraspesha në lojë filloi të ndiehej. Në minutën e 35-të, sulmuesi anësor këmbëshpejtë kosovar, Ermal Krasniqi, ishte në një pozitë ideale për të shënuar, por ai e shpërdoroi mundësinë që iu dha, pasi gjuajtja që koordinoi para portierit ishte e plogësht.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin baras 0:0.
Pjesa e dytë
Ballkani pjesën e dytë e nisi më i qetë dhe më i përshtatur në klimën dhe stilin e lojës që aplikonte Zalgiris.
Ndeshja për 25 minutat e para të pjesëlojës së dytë u zhvillua më shumë në mesfushë, duke bërë që skuadrat të mos rrezikonin shumë.
Kur mungonte diç më shumë se një çerek lojë deri në përfundim të ndeshjes, siç ndodh rëndom me skuadrat kosovare, lojtarët e Ballkanit filluan ta ndiejnë lodhjen, me ç'rast edhe shtrirjet në fushë nuk munguan, duke u ankuar në zgjatje muskujsh apo goditje të ndryshme.

Në minutën e 71-të, Zalgiris u tregua sërish i rrezikshëm. Ai u gjend në afërsi të portës, por goditjen e tij e ndali sërish portieri Frashëri, i cili me gjakftohtësinë dhe reflekset e tij po tregohej një hero i vërtetë për portën therandase.
Frashëri së bashku me kapitenin Edvin Kuc ishin dy pika të pathyeshme të Ballkanit gjatë ndeshjes së sotme, duke treguar qetësi, pjekuri dhe sigurinë e duhur për ndeshje të peshës së tillë.
Në minutën e 85-të fati ishte në të mirën të Ballkanit. Oliveira u gjend i lirë në brendi të zonës, ku e kishte portën e zbrazur tërësisht, por nga gjysmëafërsia dështoi që ta fuste topin në rrjetë.
Deri në fund të ndeshjes, Armend Thaqi rrezikoi me një goditje nga 20 metra, por portieri vendas u tregua i kujdesshëm, duke e larguar topin në rivënie këndore.
Me rezultatin 0:0 përfundoi edhe koha e rregullt e lojës.
Vazhdimet fatale për Ballkanin
Që Ballkanit i kishte humbur freskia, u vërejt edhe në 20 minutat e fundit të lojës së rregullt. Një katandisje e tillë fizike ishte vendimtare në vazhdimin e ndeshjes.
Trysnia drejt portës së Frashrit nuk kishte të ndalur në minutat e para të vazhdimeve. Ky rendiment i lojës i dha frytet e saj për ekipin nikoqir. Një pasim vertikal drejt zonës e çorientoi tandemin e qendërmbrojtjes therandase, ku më së miri përfitoi me shpejtësinë e tij Oyewusi.

Sulmuesi anglez 23-vjeç mbërriti te topi më shpejt se Frashri që kishte dalë nga porta, duke e dribluar atë dhe pastaj nga një pozitë relativisht e papërshtatshme, këndore, futi topin brenda rrjetës, kur po zhvillohej minuta e 97-të e takimit.
Ballkani nuk kishte më energji për ta përballuar kundërshtarin. Lojtarët e Ilir Dajës dukeshin të dorëzuar dhe pa fuqi për t'iu kundërvënë Zalgirisit.
Pas pesë minutave pauzë, filloi edhe pjesa e dytë e vazhdimeve. Ekipi lituanez nuk pushoi së kontrolluari lojën, si dhe duke sulmuar kur kishte korridore të lira.
Në minutat në vijim Zalgiris pati edhe dy mundësi të arta shënimi, por fati ishte në anën e Ballkanit. Në një rast, topi i goditur nga nikoqirët përfundoi në shtyllë.

Balkani u mundua përmes disa aksioneve sporadike në sulm që të rrezikonte, por pa treguar ndonjë efikasitet të lakmueshëm.
Në fund, duhet të thënë se Zalgiris me meritë fitoi ndeshjen e sotme, pasi dëshmoi më shumë energji dhe vendosmëri për të dalë triumfues.
Ballkani vazhdon në Conference League
Përkundër humbjes së pësuar dhe eliminimit nga rrethi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve, skuadra therandase do ta vazhdojë rrugëtimin e saj evropian. Kësaj radhe, Ballkani do të luajë në Conference League, ku do të ndeshet ndaj kundërshtarit modest nga San Marino, La Fiorita.

Ndeshja në fjalë e rrethi të dytë të Conference League do të zhvillohet më 21 korrik. Ndeshja e parë do të luhet në San Marino, kurse ajo e kthimit pas një jave do të zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri".
Në letër Ballkani llogaritet favorit për ta kaluar me sukses këtë kundërshtar, ndonëse nuk duhet nënvlerësuar.

