Kosova sërish në fund të renditjes së PISA-s, rezultatet mbeten shumë të ulëta - NACIONALE

Kosova sërish në fund të renditjes së PISA-s, rezultatet mbeten shumë të ulëta

52 minuta më parë

nga NACIONALE

Kosova vazhdon të renditet ndër vendet me performancën më të dobët në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), pavarësisht se rezultatet e vitit 2025 në shkencë dhe lexim kanë mbetur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2022.

Sipas rezultateve të publikuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në PISA 2025 morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës.

Në shkencë, nxënësit kosovarë kanë marrë mesatarisht 357 pikë, ndërsa në lexim 340 pikë. Në matematikë, rezultati është 350 pikë, pesë pikë më i ulët se në PISA 2022. Në të katër treguesit kryesorë të vlerësimit, performanca e Kosovës mbetet nën mesataren e vendeve të OECD-së.

Rezultati më i lartë i Kosovës është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një hendek të dukshëm gjinor, veçanërisht në lexim. Vajzat kanë shënuar 366 pikë në shkencë, kundrejt 347 pikëve të djemve, ndërsa në lexim kanë marrë 358 pikë, krahasuar me vetëm 322 pikë të djemve. Në matematikë diferenca është minimale: 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.

Një nga të dhënat më shqetësuese të PISA 2025 është përqindja e ulët e nxënësve që arrijnë të paktën Nivelin 2 të aftësive, i cili konsiderohet niveli bazë i kompetencave.

Vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë e kanë arritur këtë nivel në shkencë, 15 për qind në matematikë dhe rreth 16 për qind në lexim.

Në anën tjetër, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i vogël.

Rezultatet tregojnë kështu një problem në të dy skajet e sistemit arsimor: një numër i madh nxënësish nuk zotërojnë kompetencat bazë, ndërsa shumë pak arrijnë nivele të avancuara.

PISA 2025 nxjerr në pah edhe problemin e vijueshmërisë në shkolla.

Rreth 54 për qind e nxënësve kanë deklaruar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 për qind kanë raportuar se kanë munguar të paktën në një orë mësimore.

Ministria vlerëson se këto të dhëna kërkojnë mekanizma më të mirë për monitorimin e vijueshmërisë dhe bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollave, prindërve dhe nxënësve.

Komunikata e plotë:

Lajme të ngjashme