Vjeshta e vetmisë së madhe: Kurti i vetëm për targat, pa SHBA-në, BE-në, opozitën (dhe ndoshta pa Vjosën)
Çështja: targat. Rezultati: aktualisht qorrsokak. Vetmi, shumë vetmi. Çarje. Kritikë nga aleatët. Zgjidhja? Kompromis, ose izolim. Pak a shumë, kështu do të mund të tingëllonte situata aktuale me targat në një gjuhë kaderiane. Në njërën anë, kërkesa e ndërkombëtarëve për shtyrjen e zbatimit, në anën tjetër, një “zbutje” e kryeministrit Albin Kurti, por krejtësisht e pamjaftueshme për bashkësinë ndërkombëtare.
Targat ilegale serbe në Kosovë janë kryetema e muajve të fundit. Shumë takime në Bruksel, diplomaci fluturuese për në Kosovë e Serbi të aktorëve ndërkombëtarë, e përfshirje direkte e njeriut më të fuqishëm të Departamentit të Shtetit e kanë karakterizuar krejt ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje, natyrisht kompromisi, e të pranueshme për të dyja palët.
Për Qeverinë e Kosovës, ndalimi i targave ilegale serbe është e ndërlidhur pazgjidhshmërisht me çështjen e sovranitetit shtetëror. E kundrejt vendimit të Kurtit për shkallëzim në zbatim të reciprocitetit të targave, SHBA e BE kanë qenë të një fjale, duke sqaruar se një qëndrim i tillë nuk është i mjaftueshëm.
Përveç “miqve ndërkombëtar”, edhe opozita kosovare e kritikoi Kurtin. PDK, LDK dhe AAK, që janë opozitë e LVV-së së Kurtit, ftuan shefin e ekzekutivit të ruajë marrëdhëniet me aleatët e Kosovës.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i dha një këshill Kurtit përkitazi me çështjen e targave, duke vlerësuar se marrëveshja gjithëpërfshirëse është e mundur.
“Kryeministër, mos humbë kohë me targa. Konteksti gjeopolitik është në anën tonë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër është e mundur nëse punojmë mençur dhe me maturi.”,shkroi zonja Çitaku në Facebook.
Sibel Halimi, zëdhënëse e LDK-së, e dha qëndrimin e partisë së udhëhequr nga Lumir Abdixhiku.
“Kosova gjendet në një situatë të ndjeshme politike, si rrjedhojë është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët tanë, ShBA-të dhe BE-në. Konstatimi i Qeverisë Amerikane karshi mosmarrjes parasysh të rekomandimeve të saj, mjaft shqetësues. Ndaj, kërkojmë që partia në pushtet të përcaktohet strategjikisht për ruajtjen e këtij relacioni të një rëndësie jetike për zhvillimin e vendit tonë.”, theksoi zonja Halimi.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi se Kurti duhet t’i përfill kërkesat e vendeve mike.
“Vendimi i fundit i Kryeministrit për targat, i paharmonizuar dhe i pakonsultuar me aleatët perëndimorë, posaçërisht me SHBA, është një vendim shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin.”, shkroi Haradinaj.
Ndërsa, shefja e shtetit, pra zonja Vjosa Osmani, çuditërisht ende nuk është deklaruar për qëndrimin e Kurtit, ndonëse kohë më parë ajo deklaroi se presioni ndërkombëtar duhet të ushtrohet mbi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Nuk dihet se cili është qëndrimi i Osmanit në lidhje me “ofertën” e Kurtit për një zbatim të shkallëzuar të reciprocitetit për targa.
Provoni përsëri...
Kryeministri Kurti i dha një përgjigje në “kërkesën personale” të sekretarit të DASH-it, Antony Blinken, për shtyrjen 10 muajshe të zbatimit të reciprocitetit për targa me Serbinë.
“Kemi zhvilluar diskutime të brendshme se kemi ardhur në përfundim të sjellim një vendim që bën shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të vendimit”, deklaroi më tutje kryeministri, transmeton Nacionale.
Por, me këtë shkallëzim nuk u pajtuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila nëpërmjet një deklarate të DASH-it tha se është e zhgënjyer nga kjo “ofertë” e Kurtit.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Njëjtë, Bashkimi Evropian deklaroi se ndonëse Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, ajo ndihet e zhgënjyer që këshilla e saj dhe e SHBA-së nuk është ndjekur.
“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”,sqaroi BE në një komunikatë.


