BE demanton Kurtin: Jemi të zhgënjyer, vendimi për targat nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut - NACIONALE

BE demanton Kurtin: Jemi të zhgënjyer, vendimi për targat nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Bashkimi Evropian ka reaguar pas planit të Qeverisë së Kosovës për të shkallëzuar zbatimin e vendimit për targat, duke thënë se i njëjti nuk është në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel. Kryeministri Albin Kurti ndërkaq, të premten deklaroi se partnerët ndërkombëtarë i konfirmuar se plani është në përputhje me këtë marrëveshje.

Para pak minutave, Bashkimi Evropian ka dalë me një komunikatë për media në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë Kurti.

“BE-ja ka marrë parasysh vendimin më të fundit të qeverisë së Kosovës në lidhje me targat. Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Tutje, theksohet se vendimi është një hap në drejtim të duhur, por nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut.

Po ashtu, njëjtë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe BE-ja është shprehur e zhgënjyer që kërkesa e tyre nuk është përfillur.

“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”, thekson komunikata.

Në fund, BE-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të shamngin veprimet që mund të rrezikojnë sigurinë në veri të vendit.

“Është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në fund.

Demantohet Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten kur dha detaje për vendimin në një postim në Twitter, tha se “partnerët ndërkombëtarë kanë konfirmuar se vendimi është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit”.

“Qeveria jonë miratoi sot zbatimin gradual të politikës për targat ilegale të shpallura në qershor, për të cilën partnerët tanë ndërkombëtarë konfirmojnë se është plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Vendimi i zbatimit garanton sundimin e ligjit nga njëra anë dhe paqen dhe sigurinë nga ana tjetër”, ka thënë ai.

Ndryshimi i këtij vendimi nga kryeministri Kurti është quajtur “shkallëzim” dhe përbëhet nga tri masa.

Fillimisht, do të ketë qortim tri javë, masë e gjobitjes dy muaj, targa provuese dy muaj, nga prilli konfiskim.

Kurti para mediave dje, tha se vendimi nuk është shtyrë, që ishte një prej kërkesave kryesore të partnerëve ndërkombëtar, por vetëm është shkallëzuar.

“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.

Aleati më i madh i Kosovës, po ashtu i zhgënjyer me Kurtin

Refuzimi i Albin Kurtit për të shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për targat, ka qenë arsyeja që Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu të premten publikisht pakënaqësitë me Qeverinë e Kosovës.

Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të DASh-it, u kërkua edhe njëherë që të shtyhet ky vendim.

Komunikata, nuk dihet ende nëse është përgatitur para, apo pasi Qeveria Kurti prezantoi planin e ri në lidhje me këtë çështje.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhej në reagimin e SHBA-së.

Pjesa tjetër e kësaj komunikate, theksonte qartë zhgënjimin dhe shqetësimin e Amerikës pasi nuk u dëgjua kërkesa e tyre.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.

Njwë deklaratë të ngjashme si kjo komunikatë e DASh-it, të premtën e ka dhënë edhe sekretari Antony Blinken.

Lajme të ngjashme