‘Bllokimi përqendrohet te partia e Kurtit’: Mediat e huaja raportojnë vendimin e Kushtetueses - NACIONALE

‘Bllokimi përqendrohet te partia e Kurtit’: Mediat e huaja raportojnë vendimin e Kushtetueses

5 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Gjykata Kushtetuese pasditen e së enjtes doli me vendim pas kërkesës së opozitës për sqarim lidhur me votimin e fshehtë, ku mes tjerash, subjektet politike janë obliguar për 30 ditë ta konstituojnë Kuvendit, ndonëse nuk sqarohet se çka ndodhë më tutje. Ky zhvillim ndërkaq, ka rikthyer në vëmendjen e mediave të huaja 37 dështimet e partisë në pushtet për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Media të njohura ndërkombëtare si “Associated Press” dhe “The Washington Post” kanë raportuar rreth vendimit të Kushtetueses.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten kërkoi nga deputetët e rinj të vendit që t’i japin fund bllokadës tre mujore dhe ta zgjedhin kryeparlamentarin e ri për 30 ditë.

Lëvizja e gjykatës erdhi pas kërkesës së 11 deputetëve, dhe nuk është e qartë se çka ndodhë nëse ata dështojnë t’i përmbahen kërkesës së gjykatës” – raportohet tutje, transmeton Nacionale.

Mediat përmendin se parlamenti ka dështuar ta zgjedh kryesuesin që nga seanca e parë më 15 prill për shkak se partitë tjera nuk kanë dashur të punojnë me atë që drejtohet nga Albin Kurti, Lëvizjen Vetëvendosje.

Për këtë, theksohet fakti se ka marrë vetëm 48 nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, si dhe rënia nga 58 sa kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2021.

“Partia e Kurtit ka dështuar në 37 raunde të votimit që t’i marrë 61 votat e nevojshme që të zgjidhet një kryeparlamentar i ri” – thuhet tutje në këta artikuj.

Ndërkohë, “Bloomberg" raporton se “bllokimi përqendrohet te partia e kryeministrit Albin Kurti”:

“Partia e Kurtit kërkoi të zgjidhte një nga ministrat e saj si kryetar të kuvendit, por ligjvënësit e opozitës e kanë refuzuar vazhdimisht atë duke e quajtur kandidaturën e saj "përçarëse". Ata refuzuan të propozonin një alternativë”.

Mes tjerash rreth vendimit të Kushtetueses raportohet:

“Vendimi i gjykatës e bëri të qartë se të gjithë ligjvënësit duhet të marrin pjesë në proces dhe se grupi më i madh parlamentar kërkohet të konsultohet me partitë e tjera me "besim të mirë" dhe nuk mund të bllokojë konstituimin e plotë të Kuvendit”.

Sot s’pati votim

Derisa këtë të premte parashihej vazhdimi i seancës konstituive, çështja nuk u hodh fare në votim. Kjo pas konsultimeve, ku u vendos që mos të votohet për shkak që t’u hapet rrugë bisedimeve të nesërme.

Kryeministri në largim, Albin Kurti ka ftuar partitë në takim për nesër, ndërsa kryesuesi i seancës Avni Dehai u shpreh:

“Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e solli dje, sot u mblodhëm me përfaqësues të partive politike për një konsult paraprake. Të gjithë ishin të mendimit që seanca sot të ndërprehet, pasi të mbahet nesër takimi i liderëve politik që është ftuar nga subjekti më i madh, të vazhdojmë me datën 29.06.2025 në ora 11:00. Urojmë që t’i jepet fund këtij ngërçi”.

Lajme të ngjashme