Deklarohet edhe sekretari Blinken për targat: Jam i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës - NACIONALE

Deklarohet edhe sekretari Blinken për targat: Jam i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Numri tre i administratës amerikane, Antony Blinken është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila ka refuzuar t’i respektojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për të shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për targat.

Blinken i ka thënë mediumit The Pavlovic Today se Kosova ka të drejtë që ta implementojë vendimin nën Marrrëveshjen e Brukselit, por se kërkesa që të shtyhet afati, u refuzua nga kryeministri Kurti.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë sekretari amerikan.

Tutje sipas mediumit në fjalë, Blinken ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që urgjentisht të punojnë për arritjen e një marrëveshje, me qendër njohjen reciproke.

“Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime që tregojnë përkushtimin e tyre për një bashkëpunim konstruktiv që të sigurohet një e ardhshme stabile për rajonin”, ka thënë ai.

Nuk dihet nëse Blinken ka dhënë këtë deklaratë para apo pas vendimit të ri që mori sot Qeveria e Kosovës në lidhje me targat.

DASh-i del edhe me komunikatë

Një komunikatë e ngjashme me deklaratën e sekretarit Blinken, është publikuar të premten edhe në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Aty i kërkohet Kosovës që ta zgjasë afatin për zbatimin e vendimit për targa.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e ShBA-së.

Edhe këtu, përmendet se shteti amerikan është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me Qeverinë e Kosovës pasi nuk po i dëgjon kërkesat e tyre.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.

Çfarë bëri Qeveria me vendimin për targat?

E shkallëzoi. Kështu konfirmoi kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, për të dhënë më pas detaje në një konferencë për media.

Fillimisht do të ketë “masa të qortimit”, pastaj “masa të gjobitjes”, ndërkaq në fund, konfiskim të veturave.

“Për 3 javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori për 2 muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri pretendoi paragazetarëve se kjo nuk nënkupton që zbatimi i vendimit është shtyrë, por vetëm është shkallëzuar.

“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.

Lajme të ngjashme