'Dridhi' me fjalë në Beograd e Prishtinë: Escobari e bëri Grenellin të duket 'i butë' (Deklaratat më direkte) - NACIONALE

'Dridhi' me fjalë në Beograd e Prishtinë: Escobari e bëri Grenellin të duket 'i butë' (Deklaratat më direkte)

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-emisari i Administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka qenë shumë i drejtpërdrejtë në kërkesat e tij gjatë kohës sa mbante këtë pozitë. Sidoqoftë, ajo që kemi parë këto ditë te i dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e bën Grenell të duket më i butë. Escobar ishte mjaft i qartë në deklaratat e tij, ndërsa zbuloi edhe disa detaje nga prapaskenat e takimeve që nuk diheshin deri më tani.

Fillimisht, duhet të përmendim deklaratën që e dha sot për Radiotelevizionin Serb. Escobar konfirmoi se numri tre i Administratës Biden, sekretari Antony Blinken ka një kërkesë personale për Kurtin – shtyrja e vendimit për targat.

Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të Quintit dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha Escobar.

Kur është fjala te targat, ai përmendi afatin për shtyrje prej 10 muajsh, për të cilën foli edhe sa ishte në Kosovë.

“Ne kemi kërkuar për ta shtyer vendimin për një vit, në mënyrë që të përgatiten më mirë, vetë ata madje. Dy muaj kanë kaluar prej atëherë, kështu që ne jemi duke shikuar për 10 muajt që mbesin”, theksoi diplomati amerikan, derisa konfirmoi se kërkuan që vendimi të fillojë të implementohet më 1 shtator të vitit të kaluar.

Çfarë tha tjetër Escobar nga Beogradi?

Nëse palët pajtohen për një marrëveshje që nuk përfshin njohjen reciproke, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin këtë.

Escobar në RTS deklaroi se shteti që ai përfaqëson e përkrah njohjen reciproke, por se qëllimi i dialogut është që palët të gjejnë një zgjidhje që u përshtatet e tyre.

“Nëse dy palët pajtohen, po”, tha emisari amerikan kur u pyet nëse SHBA pranon marrëveshje pa njohje reciproke.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin edhe propozimin franko-gjerman, duke thënë madje se ky duhet të konsiderohet nga të dyja shtetet.

Deklaratën që e dha para disa ditësh në Kosovë, Escobar e përsëriti edhe në Serbi.

“Kam thënë, është një propozim franko-gjerman që ne e përkrahim. Është një propozim që duhet të merret parasysh dhe do të na ndihmojë neve që të bëjmë progres në dialog shumë shpejt. Nuk kam parë ende asnjë afat për këtë dhe propozimi është ende në kuadër të dialogut që udhëhiqet nga BE-ja. Neve nuk na takon të vendosim afate, por me aq sa di, as evropianët nuk kanë vendosur afate”, ka thënë ai.

Escobar s’i kurseu deklaratat e forta as nga Kosova

Emisarin amerikan e pamë këtë javë në Prishtinë në një intervistë për Kanal10, ku i dha disa deklarata mjaft të forta dhe u shfaq i drejtpërdrejtë si asnjëherë më parë.

Escobar gjatë kësaj intervistë, veçse e paralajmëroi vizitën e ambasadorëve të QUINT-it në zyrën e Kurtit (e cila u zhvillua sot). Këtu, ai pati një këshillë, ku tha se duhet të dëgjohen rekomandimet e tyre.

“Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato. Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga QUINT-i që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë”, tha ai.

Veç kësaj, Escobar deklaroi se nga kolegët e tij evropianë, ka dëgjuar se nuk bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshje në çështje muajsh apo vitesh, por JAVËSH.

“Një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar qëndrueshmëri, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”, tha ai.

Ai nuk u rezervua as në dhënien e detajeve për takimin me presidenten Vjosa Osmani, ku tha se e kanë diskutuar çështjen e Asociacionit, temë e ndjeshme kjo për partnerin qeverisës të znj.Osmani, kryeministrin Albin Kurti.

“Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën", theksoi diplomati amerikan.

Kujtojmë se edhe nga qeveria Gjermane i kanë thënë gazetës Nacionale gjatë ditës së djeshme se kërkojnë që çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet në mënyrë më të shpejtë e më të vendosur.

Si zakonisht, Escobar qartësoi se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

"Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë,që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar”, tha ai.

Lajme të ngjashme