Haxhiu i bën jehonë qëndrimit të VV-së nga Presidenca: Kosova s’ka nevojë për zgjedhje të reja, por për marrëveshje
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, të cilën opozita nuk po e njeh si ushtruese e detyrës së presidentes, ka folur pas takimit që ka pasur sot m shefin e tij dhe partnerët qeverisës të VV-së.
Nga Presidenca, ajo i ka bërë jehonë qëndrimit të VV-së.
Në një konferencë për media, Haxhiu k thënë se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për marrëveshje politike.
“Ishin 11 liderë të partive politike, të cilët përfaqësohen edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Qëllimi i këtij takimi ishte që në rrethanat në të cilat jemi, të shohim që a kemi ndonjë rrugë për të ecur bashkë përpara, në mënyrë që të shmangim ngërçin institucional dhe zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Haxhiu ka treguar për qëndrimet e partive politike.
“Ju e dini që para nesh janë dy qëndrime politike: Së pari, kemi qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve që në qoftë se hyjmë në konstituimin e Kuvendit pa një marrëveshje për presidentin, mund të përsëritet kriza e vitit të kaluar, por gjithashtu edhe e këtij viti. Dhe në anën tjetër kemi qëndrimin e subjekteve PDK, LDK, por edhe të Aleancës që të konstituohet Kuvendi e pastaj të flitet për qeverinë dhe për presidentin. Sigurisht unë nuk jam këtu për të gjykuar qëndrimet e partive politike, por duhet të theksoj se pas gjithë këtyre muajve nuk kemi nevojë që të hamendësojmë se çka sjell mungesa e marrëveshjes. E kemi parë këtë disa herë, e dimë ku na çon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve”, ka thënë ajo, duke u ankuar që opozita ka refuzuar ftesën e saj për takim.
“Unë sot kam dëgjuar qëndrimet e subjekteve politike, pra ato që ishin të pranishme në këtë takim. Të gjitha subjektet politike ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes për presidentin dhe patjetër duhet të shmangen zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës. Unë nuk pres që partitë politike të pajtohen për gjithçka, pres që të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër. Prandaj çështja që duhet ta trajtojmë me seriozitet është ajo që sot e mban të bllokuar perspektivën institucionale të vendit, pra është çështja e presidentit”, është shprehur ai.
Ndër të tjera, ajo ka folur edhe për shantazhin që VV-ja po ua bën partive tjera.
“Kryeministri Kurti, kryetari i Vetëvendosjes, theksoi që i ka votat për kryetarin e Kuvendit, i ka votat për qeverinë, dhe çështja është te marrëveshja për presidentin. Pra mund të jetë si çështje në rend të tretë, pra konstituimi, qeveria dhe presidenti, por është çështje prioritare sepse mund t’i bëjmë të dyja dhe mund të mos kemi marrëveshje për çështjen e presidentit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të panevojshme do të thoshja”, ka thënë Haxhiu.
Në fund të adresimit të saj, ajo ka bërë me dije se Albin Kurti gjatë takimit e ka njoftuar se shumë shpejt do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Unë uroj që takimet me partitë politike të vazhdojnë dhe ato do të ndodhin shumë shpejt. Pra sipas njoftimit që kryetari i Vetëvendosjes na dha, me LDK-në do të ketë një takim shumë shpejt, i përket atyre që tregojnë se kur do të ndodhë ky takim. Por uroj që këtyre takimeve t’i bashkohen edhe parti të tjera politike, pra jo të refuzojnë takimet sepse refuzimi i takimeve nuk çon drejt një marrëveshjeje”, ka thënë ajo.