Harresa amerikane e Kosovës
Shkruan: Ermal Musosmani
Kosova vazhdon të sillet në vorbullën vicioze të konfliktualitetit politik prej një kohe të gjatë.
Megjithëse Albin Kurti ka fituar në mënyrë plebishitare votat e shqiptarëve, në mënyrë sistematike, kolapsi i formimit të institucioneve ka vazhduar. Përballë tij është konsoliduar një koalicion politik që më shumë se me njëri tjetrin janë kundër Kurtit. Pra, ka një dikotomi të fortë politike që e çon Kosovën në kolaps institucional.
Kurti është më i fituari nga ky kolaps, kjo është e qartë. Ai është Kryeministër në detyrë, ka gjithë vartësit e tij "Ministra në Detyrë", ka një militante të tij "Presidente në detyrë" dhe vazhdon të bëjë çfarë të dojë. Për më tepër tani ka nxjerrë edhe "asin nën mëngë", kartën fituese historike të tij- viktimizimin.
Përballë tij ka një Opozitë të hutuar nga humbjet e njëpasnjëshme, që mendon se, duke mos bashkëpunuar me Kurtin, duke e bllokuar në mënyrë permanente në tentativat shtetformuese (konkretisht Presidentin e Republikës) Kurti do të dobësohet.
E kanë shumë gabim. Në rast se ka një gjë që e ndihmon Kurtin të rrijë në majë të shtetit është refuzimi opozitar. Konfliktualitet dhe ndarja e fortë është tema e doktoraturës politike të tij.
Zgjedhjet e njëpasnjëshme (3 brenda dy vitesh) e konfirmuan këtë.
I vetmi armik i Kurtit është qeverisja. Aty i shfaq të gjitha problemet. Me këtë strategji Opozita po e mban në kuotat më të larta kundërshtarin e vet më të fortë. Kështu më duket mua të paktën.
Megjithatë, nuk është kjo arsyeja e këtij shkrimi. Është një shqetësim edhe më i madh, shumë më i madh sesa kush e merr pushtetin në Kosovë.
Kosova është një shtet i brishtë. Gjysma e botës nuk e njeh, gjysma e atyre që e kanë njohur mezi presin ta heqin njohjen.
Shtëpia e Kosovës ka vetëm një tra, është ShBA. Nëse ekuilibret politike trumhazen, në një botë gjeopolitike me sizmikë të lartë, befas mund të ndodhë që "trau i shtëpisë së Kosovës" të lëkundet.
Kosova është në varkën amerikane si shtet. Ajo duhet të rrijë në atë varkë si një pasagjer klandestin që duhet të mbërrijë në bregun e ëndërruar. Nuk duhet ta lodhë varkëtarin. Duhet ta dëgjojë dhe të zbatojë pororsitë e tij deri më një. Sepse, sapo Amerika të japë sinjalin e lodhjes, peshkaqenët e detit të hapur do ta hanë si cironkën!
Evropa e pushtuar çdo ditë e më shumë nga e djathta nacionaliste, mezi do presë të shfaqë urrejtjen e saj të fshehur.
Mua më shumë se asgjë në ecjen e Kosovës si shtet më shqetëson mungesa e Amerikës. Ambasadorit amerikan i ka mbaruar mandati para 20 muajsh. Nga ambasada amerikane nuk ka asnjë lëvizje. Duket sikur janë me pushime, po masin kufinjtë e durimit. Nuk takojnë njeri, nuk japin deklarata, nuk bëjnë ndërmjetësime, nuk bëjnë as ceremoni të mëdha. Duket sikur nuk ekzistojnë! Sikur të jenë Ambasada e Çadit apo Tajlandës.
Bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës- garancinë e vetme të Kosovës shtet! Nëse dikur teprohej me vasalitetin ndaj tyre, situata e sotme është kryekëput më keq se atëherë- ata nuk duan të përzihen!
Ka shqiptarë ndër miqtë e mi që e shohin për mirë këtë qëndrim. Që Albin Baba ua ka "vnu" kufinin te thana dhe po qeveris si i pavarur!
Po çfarë pavarësie more qyqa...Nuk ka gjë më të trishtueshme se indiferenca amerikane në Kosovë! Më keq se kaq është vetëm edhe kënaqësia e Vetvendosjes për këtë indiferencë.