Paradoksi i pushtetit të Kurtit: E nderon Kushtetutën e Kaçanikut, e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës
Pushteti i Albin Kurtit sot është zgjuar duke e uruar Kosovën për 7 Shtatorin e vitit 1990, ditën kur është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut. Deputetët e VV-së kanë vlerësuar lartë përmbajtjen e aktit në fjalë, duke harruar se pushteti që përfaqësojnë vazhdon të shkel Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Derisa kanë lavdëruar guximin e deputetëve të kohës për miratimin e këtij akti, ata nuk kanë thënë asnjë fjalë për heshtjen e tyre ndaj krizës së rend institucionale që po kalon vendi.
Ndër të parët që ka përkujtuar këtë datë ka qenë deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila po e ushtron në mënyrë të kontestuar detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes
“Teksa Serbia po rrënonte autonominë e Kosovës, po shuante institucionet e saj dhe po përpiqej ta nënshtronte me dhunë vullnetin politik të qytetarëve, Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij. Pikërisht për këtë, rëndësia e saj shkon përtej tekstit juridik që u miratua atë ditë. Ajo dëshmon se edhe në kushtet e pushtimit dhe të represionit, Kosova kishte njerëzit, dijen dhe vullnetin për t’i dhënë formë juridike përcaktimit të saj politik. Në hartimin e saj qëndron puna e juristëve që, në kushte të jashtëzakonshme, ndërtuan një rend kushtetues mbi vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa në votën e delegatëve qëndron guximi i një brezi që mori mbi vete përgjegjësinë për t’i dhënë kërkesës për Republikë formën e një akti kushtetues”, ka shkruar ajo, duke shtuar se Kosova e ndërton këtë datë.
“Sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, nderojmë hartuesit e saj, delegatët që e miratuan dhe të gjithë ata që në vitet më të vështira e mbajtën të gjallë kërkesën për Republikë. Ajo që më 7 shtator 1990 mori formë kushtetuese ishte një përcaktim politik që historia e Kosovës do ta çonte përpara deri në pavarësi dhe shtetësi”, ka shkruar ajo.
Për guximin e ish-deputetëve të Kaçanikut ka shkruar edhe ish-shefja e Grupit Parlament të VV-së, Abëria Nagavci.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se 7 shtatori 1990 mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë shtetformuese të Kosovës.
“Në rrethana të vështira politike, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila hyri në histori si “Kushtetuta e Kaçanikut”. Dokumenti kushtetues ishte fryt i punës së akademikëve dhe njohësve të shquar të së drejtës, të udhëhequr nga profesor Gazmend Zajmi, dhe përfaqësonte artikulimin juridik të aspiratës së Kosovës për liri, demokraci dhe shtetësi. 36 vjet më pas, nderojmë guximin dhe vizionin e delegatëve të 7 shtatorit dhe kontributin e çmuar të të gjithë atyre që vunë një nga gurthemelet e shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar ajo.
Opozita ironizon me urimet e pushtetit të Kurtit
Me urimet e pushtetit për 7 Shtatorin, ka ironizuar edhe përfaqësuesit e opozitës.
Ata kanë rikujtuar se është pikërisht pushteti i Albin Kurtit ai që po e rrënon rendin kushtetues të Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar dallimin e deputetëve të 7 Shatorit dhe deputetëve të Albin Kurtit.
“Më 7 shtator 1990 këta burra e gra të guximshëm i dhanë Kosovës Kushtetutën e saj. Ajo gjeneratë e dinte se Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është mbrojtja e qytetarit. Është marrëveshja se askush, nuk është mbi shtetin. E pikërisht këtu qëndron ironia e dhimbshme e këtij 7 Shtatori. Në vitin 1990, nën represion, shqiptarët rrezikonin veten për ta krijuar një rend kushtetues. Në vitin 2026, në shtetin e lirë të Kosovës, Albin Kurtit vazhdimisht shkel kushtetuten dhe me plotë vetëdije i shtyn kufijtë e rendit kushtetues! Shteti u ndërtua me sakrificë. Kushtetuta u shkrua me guxim dhe asnjë pushtet nuk ka të drejtë me i përdhosë!”, ka shkruar Rama.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka thumbuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila sot ka përkujtuar Kushtetutën e Kaçanikut.
Ajo veprimin e Haxhiut e ka vlerësuar si hipokrizi.
Në profilin e saj në Facebook, Deliu-Kodra ka shkruar se Haxhiu po flet Kushtetutën e Kaçanikut , ndërsa po e mban peng shtetin e Kosovës.
“Sa hipokrizi: ta përkujtosh Kushtetutën e Kaçanikut, të flasësh për guximin e delegatëve dhe për themelet e Republikës, ndërsa sot ta mbash shtetin në krizë duke shpërfillur Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Delegatët e Kaçanikut e sfiduan Serbinë për ta themeluar Republikën; sot po sfidohet Kushtetuta vetëm për ta ruajtur pushtetin!”, ka shkruar ajo.
Pushteti i Albin Kurtit është pushteti i vetëm në Kosovë që brenda pak viteve dhjetëra herë ka shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Në këtë legjislaturë, VV-ja e ka shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit, i cili parasheh që Kuvendit duhet të konstituohet brenda 30 dite nga thirrja e seancës konstituive.
Madje, partia e Albin Kurtit e ka shkelur edhe interpretimin e vet për afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Kjo pasi zyrtarët e kësaj partie kishin thënë se kanë afat për konstituimin e Kuvendit deri më 6 shtator, ndërsa vazhdimi i seancës konstituive është thirrur më 9 shtator.
Deputetja Albulena Haxhiu vazhdon të ushtroi edhe pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes, ani pse Rregullorja e Punës së Kuvendit, neni 14, thotë që në momentin që është ftuar seanca konstituive kryesisë paraprake i përfundon mandati.
Gjithashtu, Albin Kurti dhe ministrat e tij deputete janë në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Supreme, i cili thotë se deputeti nuk mund të ushtrojnë detyra ekzekutive.