Draft-Statuti për Asociacionin: Gjermania nuk e mohon, "duhet më shumë vendosmëri e shpejtësi" - NACIONALE

Draft-Statuti për Asociacionin: Gjermania nuk e mohon, "duhet më shumë vendosmëri e shpejtësi"

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Nacionale ka publikuar sot një Draft-Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të përgatitur nga ekspertë gjermanë që burimet tona thanë se janë të lidhur me Qeverinë Federale të Gjermanisë. Nacionale ka dërguar pyetje direkte për çështjen te Qeveria Federale e Gjermanisë dhe ka marrë një përgjigje që do ta ndajë me lexuesit e saj.

Draft-Statuti në fjalë detajizonte Elementet Kyçe të Parimeve të Përgjithshme të Marrëveshjes së vitit 2015 të nënshkruar nga ish kryeministri kosovar Isa Mustafa dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Tashmë, komentet pas publikimit nga Nacionale në lidhje me këtë Draft-Statut janë të pafundme, me Qeverinë e Kosovës që po ashtu ka reaguar.

Nacionale ka pyetur Qeverinë Federale Gjermane në lidhje me pretendimet e burimeve tona se autorët e këtij dokumenti – ekspertët gjermanë – janë të lidhur me Qeverinë Federale të Gjermanisë.

“A mund ta konfirmoni apo mohoni këtë pretendim?” - ishte pyetja direkte e bërë drejt Zyres për Komunikim.

Nuk mohohet

Një zëdhënëse e Qeverisë Federale të Gjermanisë që ka kërkuar të mbetet anonime dhe t’i shkruhet vetëm pozicioni, është shprehur si vijon:

“Është në bindjen tonë të fuqishme që çështjet politike sa i përket rrugës drejt normalizimit të plotë duhen bërë në një formë më të vendosur dhe më të shpejtë në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim në terren,” – u shpreh ajo.

Përgjigja e saj vazhdoi duke thënë:

“Në takimet e fundit të nivelit të lartë kjo është theksuar dhe propozimet drejt këtij qëllimi janë diskutuar në një mënyrë konfidenciale. Diskutimet po vazhdojnë,” - shkroi ajo.

Së fundi është diskutuar gjerësisht edhe në lidhje me Propozimin Franko-Gjerman, ekzistencën e të cilit e ka pranuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla por për të cilin ka refuzuar që të flasë kryeministri Albin Kurti.

“Gjermania dhe Franca i japin mbështetjen e tyre të plotë dialogut të udhëhequr nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga përfaqësuesi special i BE-së për dialog Mirosllav Lajçak,” – u shpreh ajo.

Kryeministri i vendit Albin Kurti ishte shprehur pikërisht se Gjermania dhe Franca kishin pasur një iniciativë për fuqizimin e rolit të emisarit Lajçak në dialog.

“Unë kam propozuar kornizën e përgjithshme të dialogut, ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotit Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane,” - kishte thënë ai.

Ndërkohë, në një përgjigje për gazetën Nacionale, Përparim Kryeziu nga Qeveria e Kosovës është shprehur si vijon:

"Qëndrimi ynë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim. Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar sot në media, ai përveçse draft, është pa autor. Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë."

Lajme të ngjashme