Politologët flasin për pasojat që mund t'i vuajë Kosova nga masat ndëshkuese të BE-së - NACIONALE

Politologët flasin për pasojat që mund t'i vuajë Kosova nga masat ndëshkuese të BE-së

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Kosova tashmë është nën ndëshkime. Dhe megjithëse në politikën kosovare është bërë tabiat të bëhet “shumë zhurmë për asgjë”, për tema që s’kanë ndonjë rëndësi, ndëshkimet duket se nuk po arrijnë të provokojnë debate të frytshme. Për t’i dalë kundër kësaj ‘heshtjeje’ fola me dy politologë, njëri shqiptar dhe tjetri serb. Qe çka thanë ata.

Kosova po ndëshkohet nga Bashkimi Evropian. Ndëshkime tjera janë paralajmëruar edhe nga ShBA-ja.

Qeveria Kurti nuk ka dhënë ndonjë përgjigje serioze, ndërkohë që provon ta ndërtojë narracionin e saj se po provon ta shtrijë sovranitetin në veri. Besohet që pikërisht këtij mesazhi i shërben edhe ngujimi 36-ditor (deri tash) i Lulzim Hetemit në zyret e ndërtesës komunale në Leposaviq.

Por, përtej ‘përrallave’ të Qeverisë Kurti, çfarë impakti do të kenë këto ndëshkime?

Sociologu dhe politologu Shkodran Ramadani beson që efektet negative do të shtriheshin në çdo sektor shtetëror e shoqëror.

“Natyrisht, impakti do të jetë negativ dhe me pasoja afatgjate, sidomos nëse sanksionet zgjasin për kohë më të gjatë dhe përnjëmend ia pamundësojnë Kosovës qasjen në programe të tilla. Në atë rast, izolimi do bëhej më akut dhe efektet negative do të preknin çdo sektor shtetëror dhe shoqëror. Në veçanti ndërmarrësia digjitale do të goditej më së rëndi. Viteve të fundit, ky sektor ka hyrë në një hov të madh të zhvillimit.” - më tha fillimisht ai.

Tutje, z. Ramadani shpalos më detajisht dëmet që i bëhen vendit nga mospërfshirja në Programin e Evropës Digjitale.

“Çdo vit i humbur e djegë një brez programerësh. Pasojat bëhen edhe më të rënda kur marrim parasysh se mosha mesatare në Kosovës është 26 vjeç dhe 38% e popullsisë është më e re se 21 vjeç. Nëse shfrytëzojmë të gjitha mundësitë, atëherë rinia përbën një burim serioz për prosperitetin e Kosovës. Një fuqi punëtore e re dhe e trajnuar mirë mund të jetë një avantazh krahasues për zhvillim ekonomik. Nëse jo, rritja e numrit të të rinjve me aftësi të pakta për punë, do të rritë presionin mbi infrastrukturën aktuale, arsimin, ekonominë, shërbimet publike dhe stabilitetin politik. Kështu vlerëson USAID në strategjinë e vet 2020-2025 për zhvillimin e Kosovës. Sipas USAID, ky potencial duhet të shfrytëzohet tani pasi nivelet e fertilitetit kanë rënë dhe tashmë kanë arritur nivelet post-tranzicionit. Rënia e fertilitetit e bërë bashkë me migrimin, thënë thjesht, e fusin Kosovën në një proces plakjeje. Dritarja e mundësive që Kosova të realizojë dividendën e saj demografike është tejet e shkurtër. Tashmë përveç që Qeveria nuk e ka asnjë plan për kapitalizimin e këtij potenciale, ajo edhe po e fut Kosovën në një situatë edhe më të vështirë. Prandaj efektet e këtyre sanksioneve, nëse zgjasin, do të jenë tejet të këqija.” – thekson politologu.

Në anën tjetër, politologu serb nga Kosova, Ognjen Gogiq, merret konkretisht me pasojat në reputacionin ndërkombëtar të vendit.

“Një gjë është e sigurt, megjithatë. Këto masa do ta lëndojnë reputacionin e Kosovës. Pavarësisht sa të rrepta të jenë, vetë ideja që Kosova është nën sanksione të BE-së mjafton për të dëmtuar imazhin e saj në mbarë botën,” – e nisi argumentimin e tij ai.

Tutje, ai përmend faktin se si Kosova po bëhet shteti i vetëm evropian, jashtë BE-së, që po sanksionohet nga BE-ja. “Kjo flet vetë,” – thotë ai.

“Të gjithë investitorët e mundshëm do të mendojnë dy herë para se të angazhohen në Kosovë. Fakti që BE-ja dhe ShBA-ja po ndërmarrin veprime ndëshkuese ndaj Kosovës e portreton Kosovën si shtet të përjashtuar. Askush nuk do të thellohet për ta kuptuar situatën. Çfarë do ta marrë vëmendjen e tyre është se Kosova po shkakton telashe në Ballkan në kohën kur lufta në Ukrainë po vazhdon, prandaj BE-ja dhe ShBA-ja u detyruan të marrin masa për ta ndaluar këtë gjë.” - thotë Gogiq tutje.

Ai beson që Kosova do ta ketë shumë të zorshme që t’i shpjegojë veprimet e saj që çuan në sanksione.

Në anën tjetër, edhe Ramadani flet për dëmin e madh që i është bërë Kosovës në imazhin e saj.

“Psaojat tjera të kësaj qasjeje në përgjithësi përfshijnë edhe ftohjen edhe më të madhe të raporteve të Kosovës me BE-në dhe do ta dëmtojë perspektivën evropiane. Kosova do të llogaritet si palë në të cilën nuk mund të mbështeten ndërkombëtarët. Serbia do të afrohet më shumë me BE-në dhe ShBA-të, kurse ne do të largohemi gjithnjë e më shumë. Pra, një trend negativ që do të ketë pasoja afatgjata për balancat gjeopolitike në rajon. Kjo qasje është duke e përmbysur epërsinë që Kosova e krijoi me shumë përpjekje dhe zgjuarsi gjatë viteve ‘1990 dhe 2000’.” – u shpreh ai.

Lajme të ngjashme