Pushteti me përgjigje joserioze për masat ndëshkuese të BE-së - NACIONALE

Pushteti me përgjigje joserioze për masat ndëshkuese të BE-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës tashmë janë të konfirmuara. Megjithatë, deri tash nuk ka një zgjedhim koherent të përgjigjes së Qeverisë së Kosovës për to. Çka mund të kuptojmë nga ajo që u tha deri tash?

Duket se Qeveria e Kosovës nuk ka besuar se Bashkimi Evropian e kishte përnjëmend punën e ndëshkimeve.

Kjo meqë ka një mungesë përgjigjesh – që zakonisht nuk mungojnë – nga Kurti dhe vartësit e tij në qeveri e në parti.

Kryeministri foli edhe sot, dhe vazhdoi t’i quante “të padrejta” masat në fjalë. Megjithatë, ai u shërbye edhe me një argument të përdorur së pari nga ministri i tij, Hekuran Murati.

Padrejtësia

Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit, vazhdon të jetë i ngujuar në zyren e tij për ditën e 36 me radhë. Nuk dihet se cili është funksioni i këtij ngujimi, dhe nuk ka një shpjegim të qartë qeveritar për një gjë të tillë.

Megjithatë, dihet se Kurti po e konsideron padrejtësi qasjen e BE-së ndaj Kosovës sa i përket masave.

Edhe kryeministri i Kosovës por edhe vartësit e tij në vazhdimësi kanë përmendur qasjen destruktive të Serbisë dhe se si masat që po i vendosen vendit tonë janë të padrejta.

“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe Ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist," u shpreh Kurti dje në Shtime.

Marrëveshjet ndërkombëtare

E sot, ai e zgjatoi paksa këtë shpjegim duke e kthyer vëmendjen prej BE-së edhe te opozita kosovare.

“Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual të cilin do të mund ta largojmë bashkërisht në Kuvendin e Kosovës.” – tha sot Kurti.

Pra, e ka fjalën për disa marrëveshje ndërkombëtare vlera e të cilave mund të shkojë deri në 150 milionë euro, e të cilat nuk mund të kalojnë pa votimin e opozitës.

Të njëjtin argument e përdori edhe Hekuran Murati, ministri i Financave, që u shpreh me një gjuhë dukshëm më të ashpër:

“Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita,”tha ai.

Ndaj këtij pretendimi dje reagoi ish-ministrja Hykmete Bajrami nga LDK, që e akuzoi ministrin për propagandë.

“Jo Hekuran Murati, kjo propagandë nuk të kalon kësaj here. Ju keni dështu në çdo sferë e kulmi i dështimit janë sanksionet ndaj Kosovës si rezultat i eksperimenteve tuaja.” – i tha ajo.

Natyrisht, është e vështirë të marrim seriozisht relativizimin që provon t’i bëjë pushteti masave ndëshkuese të BE-së përmes mos-ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Por, logjikë mjaft shqetësuese kishin shprehur edhe akterë tjerë të rëndësishëm të pushtetit.

Mimoza Kusari Lila – shefe e Grupit Parlamentar të VV-së – ishte shprehur se BE-ja s’po mundte as t’i artikulonte ndëshkimet e saj ndaj Kosovës.

“Do të jetë e para herë në histori të BE-së dhe ndoshta e fundit që Komisioni Evropian vë masa (ndëshkuese) ndaj një demokracie për arsye që s’mund t’i artikulojë.”kishte thënë ajo.

Ndërkohë, po javën e kaluar, fjalë të çuditshme kishte thënë edhe Besnik Bislimi pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer kosovarë nga Serbia. Ai e kishte cilësuar Kosovën si demokracinë e vetme në Ballkanin Perëndimor, efektivisht duke fyer Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjen dhe Shqipërinë.

Lajme të ngjashme