'Kukama' e Besnik Bislimit pas lirimit të policëve duhet të na shqetësojë të gjithëve - NACIONALE

'Kukama' e Besnik Bislimit pas lirimit të policëve duhet të na shqetësojë të gjithëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zv. kryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori Besnik Bislimi – thënë kushtimisht – ka ‘eksploduar’ pas lirimit të tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga Serbia. Çka na thotë ky ‘eksplodim’ dhe kujt i drejtohet?

Ishte ora 14:43 e pasdites kur Bislimi vendosi ta truste butonin “posto” për të postuar një status të gjatë me rastin e lirimit të tre policëve të rrëmbyer. Ai do ta ndryshonte pak postimin 28 minuta më pas, në orën 15:11.

Në të nuk ndodhet asnjë shprehje e gëzimit që këta policë po i ktheheshin Kosovës, siç e kishte shprehur ta zëmë shefi i tij, kryeministri Albin Kurti.

Fjalët e z. Bislimi ishin të rënda, aq të rënda sa po i përshkruajmë me fjalën “kukamë”.

Serbia, Serbia, Serbia

Emisari i ShBA-ve Gabriel Escobar kishte thënë ditë më parë që kryeministri Kurti dhe zëvendësi i tij Bislimi kishin qejf të flisnin tepër shumë për Serbinë.

“...sa herë që flasim me këtë kryeministër dhe zëvendësin e tij, krejt për çka duan të flasin është Serbia. Ne duam të flasim për integrim më të madh.” – kishte thënë ai.

Eh, kjo na dokumentohet pikërisht te ky status, ku emri i Serbisë përmendet plot dhjetë herë.

Ai ‘shqetësohet’ se Vuçiqi po tallet me popullin serb, se po tallet me nocionin e sundimit të ligjit në serbi, se po shmang vëmendjen nga “pakënaqësitë enorme të qytetarëve serbë”, pastaj për “bankrotimit të shtetit ligjor të Serbisë” etj.

Kukama

Bislimi po na tregonte – në shqip – se si e gjithë kjo që ndodhi ishte strategji e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, të cilën e përshkroi si të tillë që implementohej me katër hapa.

“1. Tensionimi dramatik i situatës brenda territorit të Kosovës; 2. Propagandimi i fuqishëm me synim të ekspozimit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare të palës kosovare si fajtore për tensionim; 3. Nxjerrja e kërkesave për përfitime që do duhej t’i rridhnin atij si elemente të pashmangshme për deeskalim; 4. Marrja e hapave deeskalues që e nxjerrin atë si viktimë e gatshme për haba “konstruktivë”.

Dhe, e çuditshmja është se më pas, Bislimi na tregon edhe se çfarë po priste të korrte Vuçiqi nga një gjë e tillë, mes të cilave ishte edhe përmirësimi i pozicionit ndërkombëtar të Serbisë, shmangia e fokusit nga presionit ndërkombëtar për sanksionet ndaj Rusisë dhe shmangia e fokusit nga presionit e brendshme ETJ.

“Cili shtet me minimum demokracie dhe sundim tё ligjit do tё lironte nё mbrojtje nё liri, edhe me largimin e garantuar nё njё vend tjetёr, tre persona tё uniformuar tё njё shteti tjetёr tё cilёt kanё hyrё ilegalisht dhe tё “armatosur rёndё” nё brendёsi tё territorit tё tij?” - pyet Bislimi, po në shqip.

Kujtojmë se deri në këtë moment, z. Bislimi këtë status e ka shkruar vetëm në gjuhën shqipe, dhe jo edhe në atë angleze ku ndoshta mund të kuptohej nga ndonjë diplomat evropian.

Demokracia e vetme

Por, Besnik Bislimi ngutet. Dhe natyrisht, kush ngutet edhe bën fjali të tilla derisa po fliste për pasojat e veprimeve të Vuçiqit:

“...rrezikimin e demokracisë së vetme në Ballkanin Perëndimor duke e portretizuar Kurtin si palë jobashkëpunuese dhe të painteresuar për normalizim.”

Kosova, demokracia e vetme në Ballkanin Perëndimor? Po, Kosova është dhe ka qenë demokracia më e fortë në Ballkanin Perëndimor. Por, e vetmja? Përmes kësaj fjalie, z. Bislimi praktikisht po i thoshte Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjes se nuk ishin demokraci.

“Me shumë gjasë”

Por, zv. kryeministri Bislimi ka nënkuptuar se forcat anti-terror të Serbisë që arrestuan tre policët e Kosovës mund të kenë qenë brenda territorit tonë edhe për “ndonjë aktivitet tjetër subversiv.”

“...e ky ёshtё tek fakti qё forcat speciale antiterror tё Serbisё janё futur jo vetёm nё zonën neutrale, por edhe brenda territorit tё Kosovёs. Me shumё gjasё pёr ndonjё aktivitet tjetёr subverziv, por qё ka pёrfunduar me kidnapimin e tre policёve kufitarё.”

Megjithatë, ai nuk dha ndonjë shembull se për çfarë aktiviteti tjetër “subverziv” e kishte fjalën.

Në këtë shkrim, nuk po merremi fare me gabimet drejtshkrimore të tij. Por, çka na tregon ky 'shpërthim' në shqip i njeriut të dytë në Qeverinë Kurti? Më e pakta, se punët duket se nuk po shkojnë aspak mirë për vendin tonë.

Statusi i plotë:

Lajme të ngjashme