Gabimi që duhet t’i ketë kushtuar me karrierë Besnik Bislimit - NACIONALE

Gabimi që duhet t’i ketë kushtuar me karrierë Besnik Bislimit

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Pas një heshtjeje të gjatë, papritmas vetëm për një javë u dhanë katër intervista nga kryepushtetarët. Pas një kompromisi të dhimbshëm, papritmas Kosova hoqi dorë nga çdo përfitim. E gjithë kjo, mund të jetë për faj të një skandali të bërë nga njeriu i dytë në Qeverinë Kurti II.

Pas kritikave të shumta se nuk po tregoheshin transparentë ndaj publikut përmes intervistash dhe përballjesh në debatin publik, në një hark kohor prej vetëm një jave u dhanë katër intervista.

I pari që do të dilte në një intervistë ishte Besnik Bislimi (24 qershor), zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë. Ai konsiderohet edhe si krahu i djathtë i Albin Kurtit nga shumë njohës të zhvillimeve politike në vend. Bislimi kishte arsye specifike për të dhënë intervistë, e kishte nënshkruar një udhërrëfyes tepër të rëndësishëm dy ditë më parë. Por, menjëherë pas tij intervistë do të jepnin me një nguti të pashpjegueshme – dhe pa asnjë arsye specifike - edhe kryemininistri Kurti (27 qershor), presidentja Osmani (30 qershor) dhe shefja e diplomacisë Donika Gërvalla (1 korrik).

Në dukje të parë lihet përshtypja për një kuartet intervistash të koordinuara: Albin Kurti me krahun e djathtë në një anë, pasuar nga Vjosa Osmani me krahun e saj të djathtë në tjetrën. E vërteta duket të jetë më e trishtë: Besnik Bislimi në një anë, Albin Kurti me Vjosa Osmanin e Donika Gërvallën në tjetrin.



E gjithë ajo ‘valë’ intervistash duket se e ka burimin në një aksident të madh të shkaktuar nga i intervistuari i parë. U desh një huqje e rëndë prej tij, që më pas të kishim edhe tri intervista tjera nga krerët më të lartë të shtetit që provuan ta mbulonin atë.

Lodhja dhe gabimi i madh

Besnik Bislimi do të intervistohej nga gazetari Ermal Panduri më 24 qershor, të premten, ose vetëm disa ditë pas nënshkrimit të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë. Ai kishte detyrën që të arsyetonte nënshkrimin e tij, e me këtë edhe bekimin që i kishte dhënë shefi Albin Kurti atij nënshkrimi.

Nuk ishte punë e lehtë sepse Kurti i kishte kundërshtuar ashpër të dyja marrëveshjet, pak vite më herët.

Në intervistë Bislimi do të shfaqej i lodhur dhe në mënyrë arrogante do të lëshonte një varg deklaratash joserioze por duke e pësuar në fund me një huqje tepër të rëndë.

Fillimisht të merremi me joseriozitetin. Bislimi u shpreh se ishte absurde të mbaje të njëjtin qëndrim si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2022.

“Nuk mund t’i thuash pse nuk po thua që i ke 25 vjet në vitin 2022 dikujt që thoshte se i kishte 25 vjet në vitin 2018,”

Natyrisht, të shprehësh moshën nuk nënkupton të shprehësh një qëndrim politik, por Bislimi donte të mbronte Kurtin në një mënyrë sa më ilustrative. Megjithatë, ai do të ilustronte vetëm banalitetin që prodhojnë fjalitë e ndërtuara pa mendim.

Huqja e tij e rëndë do të vinte në fund të intervistës.

Kryenegociatori Besnik Bislimi e pranoi në mënyrë publike se nuk e dinte se si rregullohej përmes udhërrëfyesit të nënshkruar me dorën e tij çështja e banorëve shqiptarë në katër komunat veriore me shumicë serbe.

“A mund t’ia paguajnë banorët shqiptarë faturat KESCO-s e jo Elektroseverit?” – ishte pyetja e shtruar nga gazetari Panduri disa herë me radhë.

Bislimi provoi pa sukses të ikte nga situata e pakëndshme, por më pas e pranoi se nuk e dinte përgjigjen. Para kamerave, publikisht, ai u shpreh se nuk e dinte nëse shqiptarët në komunat me shumicë serbe kishin lirinë e zgjedhjes ose jo. Nuk e dinte nëse kjo ishte negociuar në Bruksel ose jo. Nuk e dinte se cila ishte marrëveshja që ishte arritur pas negocimit për këtë çështje.

“Në bazë të sistemit ekzistues energjetik, po them KESCO është ofrues universal i shërbimeve të furnizimit. Qysh funksionon kjo në rrafshin teknik, gjatë implementimit, duhet me i thirrë ekspertat edhe me spjegu në rrafshin teknik. Me mu duhet me folë politikisht,” - u shpreh Bislimi.

Ai u shfajësua duke thënë se ishte politikan dhe se për çështjen duheshin pyetur ekspertët sepse ajo ishte një teknikalitet. A s’ishte Besnik Bislimi ekspert dhe a s’quhej dialogu që ai e udhëhiqte dialog teknik?

Ai s’kishte marrë pjesë fare në zgjedhjet e vitit 2021 e as në zgjedhjet e vitit 2019, pikërisht duke u paraqitur si një ekspert, dhe si i tillë mori edhe dizgjinat e dialogut teknik me Serbinë. Kishte besimin e kryeministrit Kurti si ekspert, dhe jo si politikan. Dhe, nëse s’ishte ekspert por politikan, atëherë a s’ishte çështja e shqiptarëve në komunat veriore një çështje thelbësisht politike?

Marrë parasysh qëndrimet publike që kishte pasur për dialogun teknik Albin Kurti, përgjigja e z. Bislimi duhet ta ketë lënë të tronditur. Të jesh në krye të negociatave dhe të pranosh publikisht se nuk ke njohuri për njërën prej çështjeve më kryesore, përbën një skandal të cilin kryeministri as nuk mund ta kishte parashikuar.

Pak ditë më vonë, Besnik Bislimi do të shihej me një valixhe në dorë duke u nisur për në Antali të Turqisë për pushime verore. Lodhja e tij në këtë rast, më shumë se fizike dukej të ishte një lodhje politike.

Por, intervista e tij mund ta ketë shtyrë pushtetin që t’i bënte edhe tri intervista tjera nga tre krerët më të lartë të shtetit dhe meqë as këto intervista s’mjaftuan u orkestrua edhe një veprim që preku direkt Besnik Bislimin.

Fjalët e tij s’duheshin lënë të mbesnin në mbamendjen e njerëzve ashtu siç nuk duheshin lënë as veprimet e tij.

Fatkeqësisht, Besnik Bislimi e kishte dëshmuar edhe një herë tjetër në të kaluarën se nuk merrte vesh aq mirë se çka bëhej fjalë në një takim ku kishte marrë pjesë edhe vetë. Ai do të shprehej se njeriu i dytë i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, e kishte mirëpritur aplikimin e Kosovës, por ky i fundit i reagoi publikisht duke e përgënjeshtruar.

Kurti si kompozitor

“Unë po bëj pranimin minimal të realitetit për maksimumin e ndryshimit të tij,” – do të ishte fjalia që do të përsëritej parreshtur prej Albin Kurtit për të mbrojtur veten nga udhërrëfyesi i nënshkruar nga Besnik Bislimi. Dukej se ishte një gjetje ‘magjike’ për të ikur nga përgjegjësia e krejt qëndrimeve të shkelura.

Dhe, natyrisht se ishte magjike (dhe, natyrisht se nuk ekziston magjia) meqë në rrafshin e arsyes nuk mund të hynte. Asnjë lider i ndonjë vendi demokratik nuk e ka thënë publikisht se nuk e pranon pjesën më të madhe të realitetit. Liderët mund të kenë pasur qëndrime të gabuara, jashta realitetit të dhënë, por ato kanë qenë realiteti i tyre i pranuar. Përveç kësaj, si mund të njihet realiteti si realitet por të pranohet veç minimalisht ai?

Kundërthëniet logjike të kësaj fjalie janë të pafundme sepse në fund të fundit kemi të bëjmë me një gjë fare të thjeshtë: lojën e dy fjalëve antonime me njëra-tjetrën (minimum dhe maksimum) për të dhënë një tingull sa më të besueshëm. Nuk ka rëndësi logjika, por tingulli. Nuk ka rëndësi përmbajtja, por paraqitja.

Megjithatë, ai tingull e ajo paraqitje s’do të mjaftonte. E meqë nuk mjaftoi, dy veprime ndodhën njëkohshëm – që duket të jenë të lidhura me njëra-tjetrën: Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të nisej për në Antali të Turqisë siç tashmë e thamë, derisa negociatat e udhëhequra prej tij do ta pësonin një goditje të rëndë.

Albin Kurti do të vendoste reciprocitet në letërnjoftime.

Bislimi jo që s’ishte në Kosovë që të bënte ndonjë akrobacion fjalësh, por nuk ka qenë fare i përfshirë në këtë vendim që prek direkt procesin e udhëhequr prej tij. Vendimi për reciprocitetin në letërnjoftimeve mund të merrej edhe më herët, shumë kohë më herët, por u mor vetëm pasi ai pranoi që s’e dinte nëse shqiptarëve në komunat me shumicë serbe iu ishte dhënë liria e zgjedhjes se ku donin ta paguanin rrymën.

Intervistat e dhëna nga Kurti, Osmani e Gërvalla ishin të kompozuara për të dhënë tinguj që të fashitej skandali i bërë nga Besnik Bislimi.

Përkundër kompromisit të madh të bërë në Bruksel dhe përpjekjes gjigante për ta paraqitur Kosovën si palë konstruktive në dialog, reciprociteti në letërnjoftime s’u prit aspak mirë nga emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak. Nga po i njëjti që pak ditë më parë, më 21 qershor, e kishte përgëzuar Kosovën. Në kohën e këtij vendimi, Lajçak ndodhej në një vizitë treditore pikërisht në vendin tonë.

Nuk besohet që Besnik Bislimi do të shkarkohet nga pozita që mban në krye të negociatave në Bruksel pas kthimit të tij nga pushimet – sepse kjo do të godiste vetë Kurtin, dhe sepse do të ishte pranimi i një gabimi të madh – por është e qartë se pushteti i tij si kryenegociator do të jetë vetëm formal.

Në anën tjetër, nuk dihet as nëse ngërçi i ri potencial në dialog do ta afektojë zbatimin e udhërrëfyesit për zbatim të nënshkruar nga Besnik Bislimi.

Lajme të ngjashme