I miri, i keqi, i shëmtuari: Çka na thotë në të vërtetë analiza e Wellerit që këshilloi Kurtin për dialogun në Bruksel?
Tash e disa ditë, një analizë e profesorit të shquar Marc Weller po shpërndahet nëpër rrjete sociale si e vërteta përfundimtare e Qeverisë së Kosovës për atë që ndodhi e s’ndodhi në Bruksel. Po shpërndahet edhe nga njerëz që me shumë gjasë, as që e kanë lexuar. Sepse... nuk është edhe aq e mirë për Qeverinë. Çka na thotë ajo analizë?
Analiza në fjalë është botuar më 15 qershor dhe mban titullin “Çfarë shkoi keq në dialogun e Brukselit”. Analiza provon të na tregojë, siç mësohet edhe nga titulli, se çka shkoi keq në dialogun e Brukselit, më saktë prej kohës kur ai u intensifikua me ardhjen e iniciativës franko-gjermane.
I keqi
Profesori Weller – që haptas ishte përfshirë në procesin negociator në anën e Kurtit, siç e kishte bërë më herët në anën e Thaçit – nuk ngurron për të lënë faj. Ai ka emër e mbiemër. Quhet Mirosllav Llajçak. Por, siç do ta shihni më poshtë, ai ka emër e mbiemër, quhet Llajçak, megjithatë vetëm përkohësisht.
Ai e akuzon emisarin e BE-së për dialog se i ka mbajtur anën Serbisë. Se ka shkelur zotimet e veta ndaj Kosovës për të kënaqur Serbinë. Se dy netë para nisjes për në Ohër kishte ndryshuar Projekt-Aneksin e Zbatimit në favor të Serbisë. Se nuk e kishte lënë Qeverinë e Kosovës që ta fotokopjonte tekstin e dërguar në mënyrë që të punonin më mirë. Se e kishte bërë veten “arbitër përfundimtar”. E kështu me radhë.
Të merremi me të fundit. Weller e ka shkruar një kapitull të titulluar “Lehtësuesi si car” në të cilin tregon se Llajçak e ka propozuar veten në rolin e kryesuesit të Komitetit të Përbashkët Monitorues. Pra, në komitetin që do të themelohej për të mbikëqyrur zbatimin, e që do të jepte edhe shpërblime por edhe ndëshkime.
“Kjo bëri që Kosova të kuptonte se Lehtësuesi, në fund, thjesht do ta impononte vizionin e tij për atë se si do të dukej mekanizmi i nenit 7 në rolin e tij si “arbitër përfundimtar,”
Komiteti i Përbashkët Monitorues u themelua më 18 prill, rrafsh 30 ditë pas marrëveshjes së Ohrit. Dhe po, Llajçak ishte kryesues por në të u përfshi edhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq megjithëse jo edhe kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi. Në vend të Bislimit – gjë që na i ilustron dallimet mes palëve – Kosova e propozoi ambasadorin Agron Bajrami.
Ajo që s’na thotë z. Weller është se ideja ishte që Komiteti i Përbashkët Monitorues të kishte kryenegociatorët e negociatave teknike në krye. Dhe se Kosova mendonte ndryshe.
Megjithatë, përkundër numrit të madh të fjalëve rënduese që thotë ndaj Llajçakut si ndërmjetësues, ai më pas... i heq krejtësisht fajet personale atij duke ia lënë BE-së. Lexojeni me vëmendje këtë fjali:
“Natyrisht, tekstualisht në të gjitha instancat e kaluara, Serbia është mbështetur mbi këtë qasje paksa naive dhe qartazi të pabarabartë të bashkëbiseduesve ndërkombëtarë për të fituar maksimumin e koncesioneve, ndërkohë që në fund, edhe ashtu, nuk do ta nënshkruante rezultatin përfundimtar (Rambouillet, Ahtisaari, Marrëveshja Bazë).”
Pra, kishte Llajçakë edhe para Llajçakut. Në fakt, të gjithë bashkëbiseduesit e BE-së ishin Llajçakë?
E përtej kësaj, kjo na e zbulon një tjetër rrenë të Qeverisë së Kosovës: se Kosova nuk është trajtuar barazisht siç pretendonte kryeministri i Kosovës asnjëherë nga Bashkimi Evropian përgjatë këtij procesi. Të kalojmë te "i miri" dhe pastaj dalim te "i shëmtuari".
I miri
Qeveria e Kosovës, ose që ta themi troç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk del aspak bukur në këtë analizë.
Aty thuhet ashiqare, se Kosova është dashur ta bënte vetë menjëherë pas 2015-s Asociacionin sipas vizionit të vet dhe në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese “ashtu që të shmangte dimensionin shumë të theksuar territorial – që tash ka ardhur në qendër të një procesi ndërkombëtar ku shumëçka është në lojë.”
Fajtori pse nuk kishte ndodhur një gjë e tillë? Albin Kurti, i dënuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, institucionin më të lartë të Republikës.
Një tjetër pranim në këtë analizë nga Weller është se Serbia ka përfituar koncesione të rëndësishme, derisa Kosova nuk ka fituar atë që priste të përfitonte. Atë për të cilën na fliste e na fliste vazhdimisht Albin Kurti.
“E negocioi Marrëveshjen Bazë të datës 27 shkurt dhe fitoi koncesione të rëndësishme në proces.” - shkruan Weller.
Kosova e humbi përfitimin kyç pas humbjes së njohjes, sipas Wellerit, pasi Serbia refuzoi të nënshkruante. Por, të ndalemi pak te njohja: Qeveria e Kosovës e humbi edhe qëllimin e dialogut, që ishte njohja formale nga Serbia. E pse? Për shkak se po favorizohej Serbia nga ndërmjetësuesi, dhe për shkak se Kurti nuk deshi t’ia prishte Gjermanisë dhe Francës. Sipas Wellerit.
“Kjo marrëveshje qëllimisht dhe madje me shumë bujari është kornizuar, nga prindërit e saj intelektualë, Franca e Gjermania dhe BE-ja, si thjesht “një hap në shtegun drejt normalizimit”, duke ia mundësuar Serbisë të përparojë pa e njohur formalisht statusin e Republikës së Kosovës. Kjo shkon kundër interesave të Kosovës, por u pranua nga Prishtina në nderim të partnerëve të saj ndërkombëtarë.” – shkruan profesori Weller. Pra, ai përpiqet ta tregojë Kosovën si konstruktive duke treguar se i doli kundër interesave të saj në nderim të partnerëve ndërkombëtarë. A iu kujtohet se si fliste Kurti në Kuvend kur i kërkohej të jepte përgjigje pse mungonte njohja? Thoshte, Serbia nuk na njeh neve por as ne nuk e njohim Serbinë. Nga njohja reciproke kemi kaluar në mos-njohje reciproke.
Të vazhdojmë tutje.
“Kjo disbalancë në substancë gjithashtu reflektohet në disbalancën në proces. Debakli i Ohrit shërben si shembull.” – thotë tutje Marc Weller. Me të drejtë, ishte debakël. Ishte më shumë se debakël. Por, nëse e mbani mend, kryeministri i Kosovës me emrin Albin Kurti, dilte pas 18 marsit e krekosej se në fakt marrëveshja e Ohrit ishte e mirë. Se si në fakt e fituam njohjen de fakto. E kështu me radhë. Qe, ai që e këshillonte tregon se ishte DEBAKËL.
I shëmtuari
Edhe nga analiza e z. Weller e kuptojmë se gjithçka shkoi keq në fakt, kur në lojë seriozisht u fut Asociacioni.
Weller edhe në një shkrim të kaluar kishte thënë se ishte shans për Kosovën që Asociacioni nuk përmendej askund në Marrëveshjen Bazë. Naive pak? Shumë.
Në fakt, edhe pse nuk përmendej, dihej se Asociacioni ishte themeli i Marrëveshjes Bazë. Ai ndodhej te Neni 7, e ndodhej edhe te Neni 10.
Dhe, ja çka shkruan Weller për marrëveshjen e 2013-s që është demonizuar aq keq nga Albin Kurti:
“...në Marrëveshjen Bazë të 2013-s, Kosova ofroi që t’u jepte komunave një mekanizëm nëpërmjet të të cilit do ta koordinonin politikën dhe veprimin e tyre në lidhje me kompetencat dhe kompetencat e zgjeruara që i kishin tashmë në bazë të dokumentit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Këto nuk do të ishin kompetenca të reja apo kompetenca të shtuara. Do të kishin të bënin me ushtrimin e kompetencave ekzistuese.”
A e mbani mend poteren që e bënte Kurti në prillin e 2013-s? Afër vetes e ka një njeri që shkruan kështu tash. Dhe që aktivistët e tij ia shpërndajnë shkrimin ku shkruhen këto fjalë. Ndërkohë, qe fjalia tjetër:
“Balanca e kësaj marrëveshjeje të 2013-s u humb në debatin aktual.”
Weller na tregon edhe se ku ka mbetur procesi. Po, është e shëmtuar, ka mbetur bash te Asociacioni. Ai tregon se si është nxjerrë nga hiçi ekipi menaxhues (në fakt, jo nga hiçi por ashtu disi) dhe se propozimi i saj tashmë ndodhet në tavolinë.
“Rezultati është se tash ekziston një tekst i gjatë mbi tavolinë, dhe nga këndvështrimi i Kosovës, plotësisht i papranueshëm, i propozimit të të supozuarit Komitet menaxhues, si bazë për bisedime.” - ka thënë z. Weller.
Pra, çështja është bash aty ku kemi raportuar ne se është: Kosova frikësohet që propozimi i Ekipit Menaxhues do të përdoret si poli i skajshëm për ta gjetur më pas një mes.
Megjithatë, Welleri thotë se Qeverisë mund t’i falet.
“Republikës së Kosovës mund t’i falet pse e ka humbur besimin në të gjithë procesin e negociatave të udhëhequr nga Lehtësuesi aktual.” – shkruan ai.
Por, marrë parasysh gjithë koncesionet që u bënë, a s’do të duhej që dikush të dilte para drejtësisë?
Lexo artikullin e plotë të z. Weller duke klikuar KËTU.