Prishja me Amerikën, efekt anësor i një 'drame' të vogël personale - NACIONALE

Prishja me Amerikën, efekt anësor i një 'drame' të vogël personale

10 muaj më parë

nga Jetlir Buja

S’erdh dita! Na erdh në fakt, nata! Një natë pisë e zezë, po ku megjithatë shihet qartë kiameti që afron! Një kiamet endemik, veç për ne, që s’do të zgjas pak ditë si në trillet fantashkencore por dekada të tëra. Një kiamet pa dramë! Një kiamet me përditshmërinë bajate në brendi! Një kiamet prej të cilit do të nxirren përfitime elektorale e biznesore, si prej çdogjëje tjetër! Por që natyrisht, mbetet kiamet sepse e jep fundin si fat!

Ky farë kiameti na erdh bash kur menduam që... erdh dita! Dykëmbëshi që zgjodhëm për të na prirë e kuptoi rrugës që s’bënte punë më të mirë se sa një dykëmbësh tjetër krejt i rëndomtë në shëtitoren Nënë Tereza! Mund të printe veç me një grup prej 20 deri në 30 vetësh, si kushëriri ynë shimpanzeja, por jo më shumë se kaq. Prandaj, ky farë dykëmbëshi lider që e kishte dhuntinë të fliste bukur provoi të na bënte të gjithëve si ata 20-30 vetë që ia përbëjnë nukleusin.

Aletin për të na bërë të gjithëve si një grup imagjinar 20-30 vetësh e quajnë propagandë. Dhe po, pati sukses goxha të madh. Ai alet na bëri gati të gjithëve 20-30. Nëse dikush nuk mendon si grupi imagjinar i liderit – që zgjatohet përmes do minionëve të vegjël dhe do servilëve helaq – atëherë duhet të zhduket meqë s’tolerohet ndryshimi. Minionët e servilët, mendojnë, se kur hoqën dorë ata nga njerëzia e tyre duhet të heqin dorë të gjithë, që të mos duket se vetëm ata kanë hequr dorë. Fundja, vazhdon mendimi i tyre, lideri me grupin e tij të vogël imagjinar i kanë shpëtuar nga ‘fatkeqësia’ e të qenit subjekt i lirë, individ, person. Dhe duhet të na shpëtojnë të gjithëve. Të gjithë, 1.7 milionë e kusur, duhet të shkrihemi në një 20-30she imagjinare.

Dikush thotë që s’duhet t’i projektojmë raportet shtetërore në raportet tona personale. Karakterin shtetëror mbi mangësitë e karakterit personal. E ka gabim!

Duhet luftuar për gjëra sa më të mëdha, të cilat natyrisht se janë të paqarta e të vagullta, në mënyrë që të mos duken përreth nesh ato që duken përreth nesh. Duhet të shohim veç në mënyrë të ndërmjetme.

Prishja me Amerikën po na vjen si komedi! Është e tillë! Ajo ndodhi derisa minionët e vegjël me operacionin e sjelljes joautentike online – përmes profilesh të rreme – e vodhën zërin e dykëmbëshve të vërtetë dhe e çkuptimësuan secilën vlerë në të cilën besonte shoqëria dikur. Liria, demokracia, toleranca, pluralizmi e kështu me radhë. Të gjitha ishin armike të përpjekjes për t’i rrudhur dy milionë efektivisht në 20-30 vetë në mënyrë që lideri më në fund të printe. Është komedi sepse u prodhua tolerancë e pafund ndaj urrejtjes, dehumanizimit, linçimit dhe mostolerancë ndaj ndryshimit. Kjo ndodh përditshëm, përorëshëm, përminutëshëm dhe askush s’ka çfarë të bëjë përpos të qeshet! Debati publik nën rrënoja, ndryshimet mes nesh nën rrënoja, qytetari i vërtetë i lëshon vendin profilit të rremë të Facebookut.

Sovraniteti në veri thanë. Sepse, ashtu duhej thënë në mënyrë që përpjekja për t’i shndërruar miliona njerëz në një grup të vogël të kishte sukses. Meqë qytetarët po e jepnin sovranitetin e tyre personal, duhej ndërtuar idenë se po luftohej për një sovranitet më të lartë. Shtetëror. Duhet hequr sytë e njerëzve nga hallet e tyre.

Megjithatë, s’është gjithçka aq e thjeshtë. Lideri në krye vazhdon të ketë telashe. Vazhdon të mëdyshet te zotësia e tij. Ndoshta s’jam i aftë t’i prijë as 20-30 vetëve, hamendet ai. Dhe kështu kemi dalje nga ëndrra në zhgjëndërr, nga mendja në çmendje. Me raste.

Bashkimi kombëtar i doli rrenë. Emri i partisë i doli rrenë. Kushtet për negociata i dolën rrenë. Banka Botërore i tha se Kosova e kishte zbutur varfërinë 35% për dhjetë vjet. Gjithçka i doli rrenë. Dhe kësisoj, së mbrami, i rrasi krejt banorët e një shteti – grupin e tij të vogël 20-30 vetësh me një milion brenda dhe grupin rezistent me një milion të tjerë – në brendi të dramës së tij personale. Gjithçka është personale!

Prijësi mund të prishej për targa ilegale. Për Elektroseverin serb. Për dokumentet që lëshoheshin në Rashkë. Për marrëveshjet e dëmshme që i bëri në Bruksel e Ohër. Sidomos për to. Ama jo, s’ishte qëllimi aty. Prishja – në këtë kohë – ishte veç një efekt anësor i pyetjeve ekzistenciale që prijësi nisi t’ia shtronte vetes: çkaje po i prijë unë?; a je prijës edhe nëse shkelë çdo qëndrim?; pse premtova ulje të çmimit të rrymës?; çka nëse jemi thjesht një simulacion kompjuterik? Çka nëse – qysh thotë solipsizmi – gjithçka rreth meje është produkt i imagjinatës time? Çka nëse prishem me krejt botën? Etj.

Në tjetrën anë, përtej dramës personale të liderit, minionët treguan efektshmërinë e zakontë që t’i bënin njerëzit ta zëvendësonin interesin e shtetit me atë të liderit. Siç i kishte bërë më herët që ta zëvendësonin interesin e tyre vetjak me atë të liderit. Më s’kishte fort gajle as për boshllëqet e mëdha në argumentim.

E tash? Asgjë. Terr. Fund.

Lajme të ngjashme