Titrimi shqip-shqip: Një gjerman rrëfente më së miri qysh e shohin në Shqipëri gjuhën e kosovarëve - NACIONALE

Titrimi shqip-shqip: Një gjerman rrëfente më së miri qysh e shohin në Shqipëri gjuhën e kosovarëve

11 muaj më parë

nga Jetlir Buja

Mbrëmë transmetimi i një filmi kosovar me titra në gjuhën standarde provokoi reagim të madh në Kosovë. Tallje, hidhërim, cinizëm etj. Por, çështja është mjaft serioze. Qe pse! Ose... ja përse!

Kur vjen puna te gjuha, shqiptarët e Kosovës janë mjaft të ndjeshëm. Nisur prej kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Krajës që kishte reaguar ashpër ndaj Nacionales për një shkrim për shkronjën Ë e deri te Zafir Berisha, ‘abuzues’ i po kësaj shkronje.

Kjo ndjeshmëri u pikas edhe dje me reagime të shumta për titrat e vëna nga kanali Top Channel për një film kosovar.

Por, a e kanë zor përnjëmend që shqiptarët e Shqipërisë ta kuptojnë shqipen e një kosovari?

Fiedleri

Përgjigja në pyetjen e mësipërme është: Po! Bile shumë të vështirë.

Albanologu dhe Ballkanologu i njohur gjerman Wilfried Fiedler para disa vitesh në një intervistë për Top Channel pak a shumë jepte të kuptohej se për popullin e thjeshtë në Shqipëri, për toskët, futja e paskajores, është si të mësonte gjuhë të huaj.

“Për sa i përket fjalorit sa më shumë të merret nga gegërishtja. Por për sa i përket strukturës duhet sipas mendimit tim – sepse është puna juaj, jo e të huajve – mua më duket se futja e infinitivit (paskajores) do të bënte vështirësi shumë të mëdha sepse toskët nuk janë në gjendje ta përdorin ashtu si duhet, populli i thjeshtë, ta përdor ashtu si duhet. Nuk është në gjendje, nuk do të duhej ta mësonte si gjuhë të huaj. E kuptoni?” – shprehej ai (Video: 08:41)

Nëse një standard me paskajore është gjuhë e huaj për toskët, popullin në Shqipëri, atëherë efektivisht nënkupton se edhe standardi aktual pa paskajore është gjuhë e huaj për ne, gegët në Kosovë.

Por, s’duhet ta gënjejmë veten. Natyrisht se ka vështirësi shumë të mëdha mes nesh dhe atyre.

Standardi e ka bazë toskërishten, dialektin jugor. Dhe kjo shkakton probleme në komunikim në të dy anët e kufirit. Por, e rëndësishme për t’u vënë re është se megjithëse dialekti i tyre është baza e standardit, në momentin e parë që flitet diçka në dialektin tonë, ata i vënë titrat.

Pra, është manifestim i qartë i mendjemadhësisë dhe superioritetit.

Te ne nuk ka ekzistuar asnjëherë kjo mendjemadhësi. Kemi provuar gjithmonë që ta kuptojmë, dhe prandaj edhe jemi ndjerë inferiorë gjuhësisht ndaj tyre. Ndërkohë, nëse e mbani mend, para disa muajsh dy çika të reja në Prishtinë u bullizuan gati nga krejt Kosova pasi flisnin anglisht. Pse flisnin anglisht ato, e pse do të flasin anglisht gati krejt të rinjtë e Kosovës është sepse standardi iu tingëllon si gjuhë e huaj, gjuhë e huaj dhe mjaft e vështirë.

Por, kjo duhet të marrë fund. Së mbrami, në shënimin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, disa gjuhëtarë kanë nisur peticion në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut për ndryshimin e standardit të shqipes dhe përafrimin e tij me dialektin verior.

Lajme të ngjashme