NDODHI: Kryetari i Akademisë së Shkencave kapet me Nacionalen për Ë-në - NACIONALE

NDODHI: Kryetari i Akademisë së Shkencave kapet me Nacionalen për Ë-në

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale përmes një shkronjë të vetme e ka provokuar një reagim të rëndë të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK). Bëhet fjalë për zanoren Ë.

Kryetari i AShAK, Mehmet Kraja, nuk arriti ta përmbante veten kur u njoftua se gazeta Nacionale e kishte marrë në pyetje shkronjën e tij të preferuar.

Megjithëse Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është kritikuar se nuk po reagon për tema të mëdha si ‘Asociacioni’, ‘Shkëmbimi i territoreve’, ‘dialogu me Serbinë’, etj., kësaj here pikëpyetjet ekzistenciale ishin më të mëdha: të mendonim mbi abuzimet e shkronjës Ë.

“Kurrë në jetë nuk kam lexuar një gjë më të shëmtuar për gjuhën shqipe”, tha me kapsllëk z. Kraja (Caps Lock).

Më pas, ai shkoi edhe më larg, duke pretenduar se kishte edhe njëfarë konspiracioni në këtë mes.

“Mos harroni se kjo ndodh në 50-vjetorin e Drejtshkrimit!”, vijon më tej kryetar i AShAK. Duhet t’i kujtojmë atij se dje ishte edhe 23-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, dhe ndoshta kemi dashur që përmes Ë-së ta tërheqim vëmendjen edhe prej lirisë së Kosovës.

Në fakt, që ta lëmë sarkazmën mënjanë, gazeta Nacionale nuk ka kohë që të ulet e të mendojë gjerë e gjatë se si ta godasë Kongresin e Drejtshkrimit, shkronjën Ë, apo ndonjë shkronjë tjetër. Nacionalja nuk ka kohë hiç që të merret me Kongresin e Drejtshkrimit, shkronjën Ë, apo ndonjë shkronjë tjetër të shenjtë për gjuhëtarët, megjithëse ka respektin më të madh për gjuhën shqipe (siç e dëshmoi edhe dje, duke e bërë tërheqës artikullin për një shkronjë të vetme).

Teksti i djeshëm nuk konstaton se shkronja Ë duhet hequr, duhet vrarë, apo duhet përndjekur politikisht. Teksti i djeshëm i trajtonte në formë sarkastike gabimet tona të përditshme në përdorimin e saj.

Prandaj, është shumë shqetësuese se si z. Kraja – kryeakademik – shpërndan një tekst pa e lexuar me kujdes. Dhe përveç kësaj, i lejon vetes edhe që të futet në konspiracione.

Çka të presim ne nga lexuesit e thjeshtë, nëse kryetari i Akademisë – që ishte gazetar – nuk merr vesh diçka kaq të thjeshtë dhe bën akuza të pabazuara?

Pa kërkimfalje, Nacionalja nuk do të ulet në tavolinë negociatash me z. Kraja, dhe as nuk do ta marrim në intervistë.

Për ta lexuar artikullin për Ë-në, klikoni KËTU.

Lajme të ngjashme