Padrejtësi në dy kohë - NACIONALE

Padrejtësi në dy kohë

2 ditë më parë

nga NACIONALE

Në moshën dymbëdhjetëvjeçare nuk e dija çfarë ishte përgjegjësia komanduese. Nuk e njihja hierarkinë ushtarake, nuk e kuptoja politikën dhe as mënyrën se si funksiononte drejtësia ndërkombëtare. Nuk dija asgjë për sallat e gjyqit, aktakuzat apo aktgjykimet. Unë shihja vetëm atë që kisha përpara syve.

Mos ma gjykoni lirinë

Kushtrim Gashi

Shihja shtëpitë që digjeshin. Shihja familjet që largoheshin. Shihja njerëzit që iknin maleve për të shpëtuar. Shihja frikën në sytë e fëmijëve dhe dëshpërimin e prindërve që nuk dinin nëse do ta shihnin mëngjesin tjetër.

Dhe shihja njerëz me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që qëndronin aty ku ne kërkonim shpëtim. Për fëmijën dymbëdhjetëvjeçar që isha, ata ishin heronj.

Jo sepse dikush ma kishte mësuar këtë në shkollë. Jo sepse e kisha lexuar në ndonjë libër historie. Por sepse, në ditët kur gjithçka rreth nesh po shembej, prania e tyre na jepte ndjesinë se dikush po përpiqej të na mbronte. Kjo ishte UÇK-ja që njoha unë.

Nuk ishte një ushtri e fuqishme shtetërore. Nuk e shihnim me makinerinë, logjistikën dhe armatimin e një ushtrie të rregullt. Shihnim mungesën e armëve, mungesën e ushqimit dhe të mjeteve më elementare. Shihnim njerëz të zakonshëm që përpiqeshin të qëndronin përballë një force shumë më të madhe.

Por kujtesa ime për atë luftë nuk përbëhet vetëm nga uniformat. Ajo ka emra. Njëri prej tyre është Haxhiu.

Haxhi Asllan Krasniqi, djali i dajës tim. Moshatari im. Një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar, nxënës i shkollës fillore “Bajram Curri” në Drenoc të Malishevës.

Haxhiu kishte shkollën, shokët, lojërat dhe ëndrrat e një fëmije. Një ditë u nis bashkë me burrat që kërkonin të siguronin miell për familjet tona të ngujuara. Nuk u kthye më. U vra. Për mua, lufta prej asaj dite nuk ishte më një fjalë. Kishte fytyrën e një fëmije që duhej të rritej bashkë me mua, por që mbeti përgjithmonë dymbëdhjetë vjeç.

Padrejtësinë e parë e përjetova si fëmijë. Ishte padrejtësia e të humburit të fëmijërisë, e të ikurit maleve, e shtëpive të djegura, e familjeve të dëbuara dhe e njerëzve që nuk u kthyen kurrë.

Atëherë nuk dija t'i jepja emër. E ndieja vetëm dhimbjen. Sot, dekada më vonë, e gjej veten përballë një ndjenje tjetër padrejtësie.

Shoh njerëz që në kujtesën time të fëmijërisë kishin fytyrën e çlirimtarëve, sot të ulur në bankën e të akuzuarve apo të përballur me gjykime. Dhe kjo më detyron të përballem me një pyetje të dhimbshme: si arritëm deri këtu?

E di se drejtësia ka rregullat e veta. E di se përgjegjësia penale është individuale dhe se gjykatat duhet të vendosin mbi bazën e provave dhe ligjit. Kujtimi im si fëmijë nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë një proces gjyqësor. Por as një proces gjyqësor nuk mund ta zëvendësojë kujtesën time.

Kjo është ajo që shpesh humbet në debatet e sotme. Për ne që e kemi jetuar luftën si fëmijë, historia nuk është vetëm dokument, dosje apo aktgjykim. Historia është edhe një fotografi e vjetër, një shtëpi e djegur, një varr, një lodër e mbetur pas, një emër që mungon në tryezën familjare. Historia ime është edhe Haxhiu.

Prandaj sot e përjetoj padrejtësinë për herë të dytë. Jo në të njëjtën formë. Jo në të njëjtat rrethana. Por përmes ndjesisë se ajo që kemi përjetuar rrezikon të humbasë nën peshën e interpretimeve të mëvonshme.

Më dhemb kur shoh se historia e asaj kohe diskutohet sikur të ishte vetëm një debat juridik apo politik. Më dhemb kur përvoja e civilëve, fëmijëve dhe familjeve që e jetuan luftën reduktohet në statistika dhe paragrafë.

Sepse unë nuk mund ta harroj atë që kam parë. Nuk mund ta harroj frikën. Ikjen. Netët në male. Fëmijët që prisnin shpëtim. Haxhiun që nuk u kthye. Dhe nuk mund t'i harroj as ata që atëherë i pashë duke qëndruar pranë nesh. Kjo nuk do të thotë se individët duhet të jenë mbi ligjin. Askush nuk duhet të jetë.

Por ekziston një dallim thelbësor mes gjykimit të përgjegjësisë individuale dhe gjykimit të një lufte të tërë, të kujtesës së saj dhe të së drejtës së një populli për ta kujtuar lirinë e vet ashtu siç e ka përjetuar.

Prandaj, mes gjithë debateve juridike e politike të ditëve tona, unë kam vetëm një kërkesë; Mos ma gjykoni lirinë.

Mund të gjykohen individët. Mund të shqyrtohen veprimet e tyre. Mund të analizohen dokumentet, urdhrat dhe përgjegjësitë. Por liria ime nuk lindi në sallën e një gjykate.

Ajo u pagua me jetë njerëzish. Me fëmijëri të këputura në mes. Me familje të shkatërruara. Me burra e gra që dolën për të mbrojtur njerëzit e tyre atëherë kur ne, fëmijët, nuk dinim më nga t'ia mbanim.

Para se të kuptoja politikën, e kuptova frikën. Para se të dëgjoja për drejtësinë ndërkombëtare, e njoha humbjen. Para se të lexoja historinë në libra, e jetova atë. Isha vetëm një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar që ikte maleve.

Sot mund të ndryshojnë interpretimet. Mund të shkruhen libra të rinj dhe të hapen dosje të reja. Por askush nuk mund të hyjë në kujtesën time dhe të më tregojë çfarë kam parë, çfarë kam ndier dhe kë kam parë pranë nesh në ditët kur kishim më së shumti nevojë për shpresë.

Ndoshta kjo është tragjedia e brezit tim: padrejtësinë e përjetuam dy herë; Herën e parë, kur ishim fëmijë dhe na u mor fëmijëria. Herën e dytë, kur si të rritur na duhet të mbrojmë kujtesën e asaj që kemi përjetuar.

Dhe mes këtyre dy kohëve qëndron Haxhiu. Përgjithmonë dymbëdhjetë vjeç.

Ai më kujton pse nuk mund të hesht. Dhe pse, pavarësisht se çfarë shkruhet sot apo nesër, ata që i pashë si heronj në moshën dymbëdhjetëvjeçare, në kujtesën time do të mbesin gjithmonë të tillë.

Lajme të ngjashme