Shefja e re e stafit të Osmanit i quan "shpifje" raportimet : Presidentja falenderoi në fjalim Jahjagën
Learta Hollaj, shefja e re e stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pasi presidenca u kritikua që s’e falenderoi në rrjetet sociale ish-presidenten Atifete Jahjaga për PET skanerin që arriti sot në Kosovë.
Siç u raportua edhe më herët, ardhja e tij në vendin tonë si fondacion i Alwaleed Philanthropies u mundësua përmes Fondacionit Jahjaga.
Megjithatë, Hollaj ka bërë një reagim, sipas saj, ndaj “postimeve shpifese”.
“Presidentja sot në fjalimin e saj, tri herë e ka falënderuar ish-Presidenten Jahjaga dhe Fondacionin Jahjaga (shih linkun e fjalimit në koment). Po ashtu, donatorët janë falënderuar veçanërisht në komunikimet publike të Presidentes, ndërsa udhëheqesit të organizatës, i është ndarë Medalje Presidenciale. Por, donacioni është 100% nga Alëaleed Philanthropies, të cilit jo veç Presidentja, por të gjithë duhet t’i jemi posaçërisht mirënjohës.” – ka thënë ajo fillimisht.
Tutje, Hollaj ka thënë se “me kërkesë të Fondacionit dhe ish-presidentes Jahjaga është realizuar një takim me presidenten Osmani para një viti”.
“Në takim është përmendur mundësia që të sigurohet PET skaneri përmes donacionit bujar të Alëaleed Philantrophies. Mirëpo, sigurimi i donacionit do të mund të përmbyllej me sukses vetëm pas një garance dhe angazhimi të drejtpërdrejt të Zyrës së Presidentes. Menjëherë, Presidentja Osmani ka ofruar bashkëpunim dhe gatishmëri për t’u siguruar që çdo gjë kryhet në kohën sa më të shpejtë.” – u shpreh ajo tutje.
Sipas Hollajt, nga ajo ditë, Zyra e Presidentes ka marrë përsipër koordinimin e procesit.
“Që nga ajo ditë, Zyra e Presidentes e ka marr përsipër koordinimn e të gjithë procesit, përfshirë këtu komunikimin me Alëaleed Philanthropies, Fondacionin Jahjaga dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Si Presidencë, kemi marr përsipër edhe komunikimin dhe koordinimin me institucionet e Arabisë Saudite e në të cilin drejtim ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë edhe ambasada jonë atje.” – ka thënë ajo.
“Në këtë ceremoni, Presidentja ka përmend në veçanti të gjitha palët e përfshira, si dhe Fondacionin Jahjaga.” – u shpreh Hollaj tutje.
Në fund, ajo ka pretenduar se ka pasur “palë të tjera që kanë krijuar pengesa që kanë mundur ta rrezikonin këtë donacion”.
“Pa cilindo akterë të përmendur më lartë, PET skaneri sot nuk do të ishte në Prishtinë! Përtej pluhurit në rrjete sociale (të porositur dihet prej kujt) dhe sulmeve te organizuara të një partie politike, sot lajmi kryesor duhet të ishte - qytetarët e Kosovës më në fund mund të pranojnë shërbime të avancuara shëndetësore në shtëpinë e tyre, pa kosto dhe sfida shtesë!” – ka thënë ajo tutje.
Vlen të theksohet se Hollaj ka marrë këtë pozitë pas largimit të Blerim Velës, i cili njihet për sulmet e tij të shumta ndaj mediave dhe gazetarëve.
Megjithatë, për fund, qëndron ajo që Osmani nuk e falendëron askund në postimet e saj nëpër rrjete sociale ish-presidenten Jahjaga.