Dy çika në Prishtinë flasin anglisht, bullizohen nga 'krejt' Kosova (edhe figura publike) - NACIONALE

Dy çika në Prishtinë flasin anglisht, bullizohen nga 'krejt' Kosova (edhe figura publike)

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy qytetare të Kosovës po bullizohen me të madhe në rrjetet sociale të Internetit... për arsye krejtësisht banale.

Në një video të prodhuar nga KTV, ato pyeten nga një gazetar nëse dëgjojnë muzikë në gjuhën shqipe.

Vajza e parë përgjigjet thjesht “Jo!” ndërsa e dyta thotë që i pëlqejnë vetëm këngët e vjetra rok në gjuhën shqipe. Por, vajza e dytë e elaboron mendimin e saj jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në atë angleze.

Komentet që u bënë ndaj dy vajzave ishin absolutisht tmerruese, por ato më dehumanizuese kemi vendosur që të mos i publikojmë në faqen tonë.

Sidoqoftë, gjithë këtij bullizmi i kanë kontribuar edhe personalitete publike që e kanë ndarë postimin.

Historiani Durim Abdullahu e komentoi në këtë formë videon ku shfaqen këto dy vajza:

“Nevoja e njeriut për identitet është aq e pashterrshme, sa që kur përjetohet me këmbëngulje, prodhon edhe këso subkulturë të përçudnuar dhe me plot injorancë të pandërgjegjshme!” – u shpreh ai në faqen e tij në Facebook.

Duket se z. Abdullahu nuk ka ndonjë ide se çka është subkultura, apo çka janë subkulturat nëpër botë marrë parasysh mbiemrin që i ka vënë (përçudnuar). Më elementarja që duhet kuptuar është se subkulturat jo detyrimisht i nënshtrohen normave të kulturave të mëdha, gjë edhe që i përveçon prej tyre.

Por, Abdullahu s’ishte i vetmi. Edhe analisti Parim Olluri iu bashkua turmës.

“Na nuk ngojna shqip”, e forte ke qikjo. Tanë këtë arrogancë me pasë njerëzit që s’kanë as pasosha me afat. Po me na i ba pasoshat neve. I shkelim në qafë edhe amerikanët.” shkroi ai në Facebook.

Bullizmi mbi injorancë

Në fakt, bullizmi është gjithnjë i papranueshme dhe është i papranueshëm edhe në këtë rast. Por, çka po e frymëzon atë?

Është pikërisht “injoranca e pandërgjegjshme”.

Në radhë të parë, bullizmi në fjalë është i ndërtuar në paragjykimin se vajza që flet anglisht ka detyrimisht prindër shqiptarë dhe se është rritur e edukuar në një ambient vetëm shqipfolës. Por, edhe po të ishte kështu ato duket se i takojnë një gjenerate të re 15-20 ose 20-25 që i është ekspozuar gjuhës angleze qysh në moshë të re.

Gjeneratat e reja në shumë vende të botës po e përdorin gjithnjë e më shumë gjuhën angleze krahas gjuhës amtare.

Sipas të dhënave, vlerësohet që në botë ka aktualisht më shumë fëmijë që flasin dy gjuhë se sa fëmijë që flasin një gjuhë të vetme.

Për fat të mirë, analisti Imer Mushkolaj ka pasur koment krejtësisht tjetër për këtë çështje duke thënë:

“Bash loçka këto çikat. Po m'pëlqen shija e tyne për muzikë. Tash moralista ka me bollëk, po çikat shumë OK po doken.”shkroi z. Mushkolaj.

Videoja:

Lajme të ngjashme