Emrat 'demode' nxisin bullizëm, rrëfimi emocionues i Jerinës që ndërroi emrin nga Nazife: Më ndryshoi jeta - NACIONALE

Emrat 'demode' nxisin bullizëm, rrëfimi emocionues i Jerinës që ndërroi emrin nga Nazife: Më ndryshoi jeta

2 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Këtë shkrim mund ta nisni me emrin Bajram ose larg qoftë Rrahman, por mund të mos e përfundoni bash me atë emër. Më poshtë keni një rrëfim rrëqethës të një vajze që ndryshoi emrin, dhe arsye të forta se pse edhe ju mund ta bëni një gjë të tillë.

"Një fjalë ose grup fjalësh me të cilën/cilat i referohemi një personi, kafshe, vendi apo gjëje". Kështu e përkufizon fjalori i Oksfordit emrin, e që mendoj se është goxha goxha i ngushtë.

Një moment, një situatë, një rrethanë e caktuar dhe një fjalë e lëshuar, menduar, planifikuar më herët apo e thënë spontanisht nga dikush, rreth të cilit ju nuk dini asgjë, është përcaktuesi i fatit tuaj si qenie identifikuese.

Shembull, kur flitet në familje për rrethanat si është vendosur që unë të quhem Burim, tingëllon si një situatë krejt spontane që vjen më shumë në formën e zgjedhjes së zorit dhe të momentit sa për të evituar një emër tjetër të vjetër.

Emri Haxhi po konsiderohej seriozisht. Në fakt, gati ishe punë e kryer. Por, një reagim refleksiv nga një familjar, qartazi në dijeni se nuk do të ishte shumë e këndshme për mua ai tingull kur të bëhesha për të ditur, i cili përmendi emrin "Burim", sa për të vendosur shpejt e shpejt, sepse "Haxhiu" po paraprinte e po fitonte pushtet në debatin diskutues.

Nuk përcakton kurrgjë rreth personalitetit, as pozitën tuaj në shoqëri por, dorën në zemër - me gjithë respektin për Haxhinjtë e kësaj bote - çdo ditë të vitit, tërë jetën, do të zgjidhja Burimin para Haxhisë nëse do t'i kisha vetëm këto dy opsione mbi tavolinë.

Me kalimin e kohës (kur flasim për 'kohën', ecni dëgjoni perlën e NR me të njëjtin emër), kalon edhe trendi i emrave të caktuar, njëkohësisht duke ndjell stres e siklet potencial të një burri a gruaje me emër jo fort relevant.

Jerinë Musliu ka zbuluar një rrëfim emocionues (të paktën për mua. Mund të jeni tip që nuk emocionoheni lehtë, mos më mbani përgjegjës) si vendosi të bënte hapin e madh në jetën e saj për ta ndërruar emrin identifikiues.

Ajo u bë "Jerinë" pasi fillimisht e kishte pasur emrin Nazife, të trashëguar nga gjyshja.

"Për 18 vite me radhë, emrin që e kam mbajtur Nazife, (dhe kjo) më ka bërë të ndihem shumë e ndrojtur, jo shumë e shoqërueshme me njerëz, krejt për faktin se njerëzit që i takoja më pyesnin për emër, të cilin se kisha fare për qejf," - thotë Jerina.

"Madje më sillte një ndjesi të keqe tek e thoja për njerëzit e tjere. Për çudi, unë asnjëherë nuk jam përqeshur nga fëmijët e tjerë për shkak të emrit".

Bullizmi që përjetoi nga profesori i psikologjisë, pika kthyese

Për çudinë e Jerinës, stigma dhe njëkohësisht mini-trauma që përjetoi në kohën kur ju supozoheni të bëni qejfin më të madh të jetës, gjatë shkollimit të mesëm, erdhi në fakt nga vet profesori, e jo nga shokët e klasës/shkollës. Siç do të ishte më e natyrshme të ndodhte.

Ajo ishte nxënëse në Gjimnazin "Sami Frashëri", drejtimi shoqëror, kur ora e psikologjisë ia përcaktoi fatin fjalës që e mbante si emër.

"E përjetova prej njeriut që i fundit duhej të bënte fëmijët objekt talljeje, e stigmatizimi. Ishte profesori im i psikologjisë. Teksa po i thërriste emrat e nxënësve një nga një, u ndal tek emri im. Kur e lexoi për herë të parë dhe pasi i tregova që unë isha personi që e mbaja atë emër (Nazife), u kthye nga unë dhe më tha 'ti vajzë po u dashka me mësu dyfish më shumë se nxënësat tjerë me këtë emër'."

Profesori, i cili - për koicidencë - mbante emrin që për pak isha gati ta mbaja edhe unë, Haxhi, doli të ketë qenë pika kthyese në vendimin e Jerinës për të ndërruar emrin.

"Unë për 17 vite jetë, nuk kisha pasur ndonjë problem me emrin sa i përket marrjes së edukimit dhe vlerësimit të drejtë. Fat në fatkeqësi si thonë," - vazhdon rrëfimin ajo.

"Pasi i tregova nënës se kështu më kishte thënë profesori, nëna më propozoi ta ndryshoja emrin. Përkrahje gjeta edhe nga pjesa tjetër e familjes. Kështu që, posa mbusha 18 vjet, në fund të shkollës së mesme vendosa të ndërroja emrin. Në gjithë këto vite, ndërrimin e emrit e cilësoj si një ndër vendimet më të mira që kam marrë në jetë".

Vendimi më i mirë në jetë

Jerinë, 27-vjeçare, e që tash është duke vazhduar shkollimin e lartë në Lille të Francës, ka treguar për benefitet psiko/sociale pasi mori emrin e ri.

"Me emrin e ri unë kam fituar edhe shumë vetëbesim, më ka bërë njeri tjetër. Prandaj besoj që të gjithë njerëzit që ndjehen keq për shkak të emrit të tyre duhet ta ndryshojnë atë. Siç thashë më parë, ka emra të vjetër që ende tingëllojne mirë, madje janë tejet të veçantë. Njashtu është edhe emri im i ri 'Jerinë' që përdoret nga Gjergj Fishta në vepren e tij 'Jerina ose mbretnesha e luleve', të cilën e shkruan diku nga viti 1914, e që e boton në vitin 1940."

Madje, edhe heroi ynë kombëtar, Adem Jashari – sipas publicistit Nexhmedin Spahiu – e ka ndërruar emrin e tij që më herët e kishte pasur Fazli.

Fatime e Bajram, emrat më të popullarizuar në Kosovë

Sipas një studimi të bërë nga Agjensioni Statistikor i Kosovës (ASK) më 2011, emri më i shpeshtë i grave në Kosovë është Fatime, me gjithësej 8,026 të tillë, ndërsa te meshkujt është “Bajram”, me 6,234 insanë që identifikohen me atë emër.

Procedura për ndërrimin e emrit

Nuk ju pëlqen emri që keni, epo, mos u ndjeni keq e mos humbni as edhe një moment më shumë duke përjetuar ankthe e pasiguri sociale për këtë shkak. Filloni menjëherë procedurën

Në bazë të asaj që thonë nga Komuna, procedura nuk është shumë më e komplikuar se sa, ta zëmë, kur aplikoni për ndonjë vizë pune apo tursitike. Minus kontrata e punës, e qarkullimi bankar për gjashtë muajt e fundit.

Kërkesa për ndërrimin e emrit personal, bëhet personalisht duke i ofruar dëshmitë si në vijim:

  1. Plotësimi i kërkesës dhe arsyetimi me shkrim përse dëshiron ta ndërroj emrin personal;
    2. Certifikata e lindjes,
    3. Ekstrakti i lindjes,
    4. Certifikata e martesës,
    5. Vërtetimi nga arkivi,
    6. Dëshmi nga Gjykata kompetente qe nuk është nën hetime,
    7. Vërtetim nga policia që nuk është nen hetime,
    8. Fotokopja e dokumentit te identifikimit,(letërnjoftimi ose pasaporta),
    9. Ekstrakti i lindjes për fëmijë,(nëse ka fëmijë),
    10.Vërtetim nga administrata tatimore se nuk ka borxh ndaj shtetit;
    11.Vërtetim i tatimit në pronë.
    12. Pagesa 20 Euro, (Kjo pagesë duhet te bëhet në Bankë,)

Dy gjëra janë të sigurta në këtë jetë – vdekja dhe identifikimi me një emër. Andaj, në këtë oqean emrash pafund, më e pakta që mund të bëjmë për pasardhësit është t’ua heqim nga supet të paktën stresin e një emri jo ortodoks për kohën.

Me që ra fjala, rrëfimi i Jerinës më lart, më dha një arsye më shumë për t’u lumturuar që nuk quhem Haxhi. Në fakt, po e mendoj t’i bëj një dhuratë mirënjohjeje familjarit që insistoi të mos e marr atë emër.

Lajme të ngjashme