Nga njohja e Kosovës në qendër te frika e Albinit në qendër - NACIONALE

Nga njohja e Kosovës në qendër te frika e Albinit në qendër

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Qysh erdhëm në pikën kur në vend të heqjes së Asociacionit nga tavolina dhe arritjes së njohjes reciproke po rehatojmë thjesht frikën e një qytetari të vetëm të Kosovës?

Albin Kurti e kishte bërë një ‘ndryshim’ të madh në dialogun e Kosovës me Serbinë. E kishte vënë njohjen e Serbisë nga ‘fundi’ në ‘qendër’. I kishte hequr shtrirjen kohore, për t’i dhënë shtrirje hapësinore. Fundja, pse jo? Fjalët janë pa pare. Por, matanë fjalëve ishte Brukseli, e aty Kurti nuk mbante kompas por orë në dorë. Në hapësirë u shtri veç trupi i tij, por jo edhe njohja nga Serbia që për më keq u zhduk edhe në kohë.

E di që mund të zemërohen ambasadat, por e vërteta duhet thënë troç: plani franko-gjerman nuk i ofron kurrgjë hiç Kosovës, e i jep Asociacionin Serbisë.

Glauk Konjufca mbrëmë tha se “njihet de fakto Kosova nga Serbia” duke e cilësuar si të favorshëm planin. “Unë mendoj që Kosova e ka problem luksin me i thanë jo planit,”- tha ai. Por, Kosova është njohur de fakto tash e të paktën njëmbëdhjetë vjet nga Serbia. Ajo që i duhet Kosovës është njohja de jure.

Kur flasim për njohje, veçanërisht në kontekstin e Kosovës, “de jure” është ajo që vlen. Është e vetmja që vlen. Kushdo që e ka shkruar atë plan, e ka në plan thjesht dhe vetëm të rehatojë Serbinë për një kohë.

Askush nuk mund ta detyrojë asnjë qeveri serbe që brenda “de fakto”-s të mos luajë me ‘fakto-n’ pambarimisht, siç edhe e bën tash. Kjo u konfirmua edhe nga Konjufca, që fjalëpërfjalshëm e tha se “edhe nëse nënshkruajmë planin, nuk do të thotë që Serbia nuk do të na sulmojë”.

Pra, sulmi është thelbi. Pra, frika është thelbi.

Kryeministri tha se ka “bazë të shëndoshë”. Ramush Haradinaj bile tha se “Kosova merr njohje të butë de jure”. Por, qëllimi i vetëm me sa duket është që Serbia të mos na sulmojë. Albini e korri – folur teknikisht - një fitore: donte të nënshkruante traktat mos-sulmimi ushtarak me Serbinë prej verës së 2021-s. E kërkoi në tavolinë negociatash, dhe s’i duket ajo iu mor parasysh. E përmendte rrezikun e luftës vazhdimisht edhe gjatë këtij viti. Edhe në të kaluarën, të paktën prej 2015-s. Dhe, Serbia s’do të na sulmojë (edhe kjo me ndoshta, sipas Glauk Konjufcës)! Trajtimi i frikës së një njeriu duket se ishte e vetmja gjë që e përfitoi Kosova.

Këtu ose ka diçka që ne nuk e dimë, ose ka shumëçka që këta politikanë nuk e dinë. Unë e besoj – bile fuqishëm – këtë të dytën. Si dëshmi i keni veprimet e të gjithëve (përfshirë në këtë mes edhe Hashim Thaçin) prej shpalljes së pavarësisë e këndej. Problemi ishte fillimisht një fjali e këputur përgjysmë. Kosova ishte shpallur e pavarur, por pavarësinë e kishte shpallur nga dikush. Dhe kjo pavarësi nuk ishte njohur nga ky dikushi. Pra, Serbia. Deri në vitin 2014, Albin Kurti s’donte të negocionte për kurrgjë. As negociata teknike. Hiç. Deri në vitin 2012, Hashim Thaçi s’e pranonte kurrqysh që kishte negociata politike. Deri në vitin 2020, Ramush Haradinaj s’kishte haber se çka po ndodhte dhe bëhej herë me njërin e herë me tjetrin. A mori dikush përgjegjësi për krejt këtë kohë të çuar dëm? Absolutisht askush.

Dështim total i çfarëdo mekanizmi për t’i mbajtur këta njerëz përgjegjës. Dështim total i demokracisë tonë. Dështim total i secilit prej nesh.

*Në këtë shkrim nuk fola për presionin e Amerikës, kërkesat e Amerikës, marrëdhëniet me Amerikën për çështjen e targave sepse e konsideroj thjesht një lojë për ta ‘shitur’ marrëveshjen te publiku kosovar. Është Kurti ai që ka thënë “po të na thotë Amerika kërceni, ne nuk pyesim pse por sa!” Këtu kemi një kërcim gjigant për një njeri, e krejt të vogël për popullin e Kosovës.

Lajme të ngjashme