U fol edhe për Planin Franko-Gjerman: Çka tha Albin Kurti? - NACIONALE

U fol edhe për Planin Franko-Gjerman: Çka tha Albin Kurti?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë e ka konfirmuar ekzistencën e planit franko-gjerman dhe për më tepër ka ndarë me popullin edhe disa përshtypje të përgjithshme. Cilat ishin ato përshtypje?

Kryeministri i Kosovës në mënyrë direkte e ka pranuar ekzistencën e planit franko-gjerman për herë të parë, duke folur - megjithëse përgjithësisht - gjerë e gjatë për të.

Ai u shpreh se tensionet e reja në veri që rezultuan me dorëheqjet masive të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës ishin rrjedhojë e përpjekjeve që Serbia ta kundërshtonte atë plan, por që këtë kundërshtim ta bënte në formë të maskuar.

“Unë e thashë shumë qartë se qëllimi i Beogradit nuk është për të mos e pranuar planin. Por, për ta maskuar refuzimin e planit. Ata e kanë refuzuar planin. Por, duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje."

Në lidhje me këtë çështje, gazeta Nacionale kishte raportuar qysh dje ndërkohë që opinionistë të ndryshëm shqiptarë e serbë kishin dhënë paralajmërimet e tyre.

Mendimi i Kurtit për planin franko-gjerman

Kryeministri i vendit u pyet nëse e përkrahte këtë plan dhe përgjigja e tij në këtë çështje nuk ishte krejtësisht e qartë.

“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur meqenëse konceptet që aty përdoren janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi te ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur."

Këtë vlerësim e kishte bërë edhe në samitin e Berlinit më 3 nëntor derisa po fliste për kornizën e përgjithshme.

Ai shpjegoi edhe një pjesë të procesit që çoi deri te plani franko-gjerman. Sipas kryeministrit, gjithçka nisi më 18 gusht në Bruksel, kur ishte diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.

“Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë) por më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhë në zyren time këtu përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez."

Por, Kurti ka pasur edhe vërejtje për planin franko-gjerman.

“...ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë. I kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre. Por, unë nuk e kam kundërshtuar,”

Kurti u shpreh edhe se plani franko-gjerman ka mbështetjen e Brukselit dhe të Washingtonit.

Por, pse targat?

Kurti tha në mënyrë eksplicite se ajo që po ndodhte nuk kishte të bënte me targat e as me Asociacionin.

Serbia e kishte përdorur pikërisht një arsyetim të tillë (që rezultoi më pas në vendimin për suspendimin e drejtorit të policisë në veri, Nenad Gjuriq).

Sidoqoftë, Kurti nuk tregoi pse po i jepte/i kishte dhënë Serbisë telashet që u krijuan aktualisht për të penguar diskutimet mbi planin franko-gjerman.

Kujtojmë se Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur "i shqetësuar dhe i zhgënjyer" me Qeverinë e Kosovës për mos-shtyrjen e vendimit për targa, ndërkohë opozitari Ramush Haradinaj e ka akuzuar se po e ndihmonte Serbinë në përpjekjen për të penguar këtë plan.

Lajme të ngjashme