Zhgënjim e shqetësim: A po bie Kosova në grackën e Serbisë për të minuar propozimin franko-gjerman? - NACIONALE

Zhgënjim e shqetësim: A po bie Kosova në grackën e Serbisë për të minuar propozimin franko-gjerman?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekzistenca e propozimit franko-gjerman tashmë është pranuar nga i madh e i vogël. Nga kancelari Scholz e nga kryeministri Kurti (tërthorazi). Por, sipas analistëve duket që Serbia nuk po mjaftohet me tavolinën e bisedimeve. Lëvizjet e fundit që kanë ngritur tensionet, po shihen si përpjekje për të penguar propozimin.

Në Samitin e Berlinit, kancelari Olaf Scholz e pranoi ekzistencën e një përpjekjeje franko-gjermane për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Padyshim që duhet të ndodhë një lloj pajtimi mes Kosovës e Serbisë. E vërtetë, kemi propozuar diçka, por duhet durim dhe shpresojmë se do ta shohim së shpejti rezultatin për këtë çështje,” – tha kancelari federal i Gjermanisë.

Po ashtu, nga Qeveria e Gjermanisë i kishte thënë Nacionales se normalizimi i raporteve duhej bërë në formë më të vendosur dhe më të shpejtë,”

Por, duket se kjo vendosmëri dhe shpejtësi po e pengon Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiqin.

Shqetësim e zhgënjim

Tashmë, jemi në fazën e ‘qortimit’ të serbëve të Kosovës me targa ilegale. Kryeministri Kurti nuk e kishte plotësuar (sic) “kërkesën personale” të Sekretarit amerikan Antony Blinken për shtyrje të zbatimit të vendit për targa për 10 muaj.

Fatkeqësisht, Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një komunikatë mjaft rënduese për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesat për ta bërë (shtyrjen e afatit) nga partnerët e saj ndërkombëtarë.”

Targat si mjet

Targat janë mjet identifikues për vetura, ashtu si letërnjoftimet për njerëz. Por, targat duket se po shërbejnë edhe si mjet tjetër për pushtetin në Serbi.

Sipas asaj që analisti serb nga Kosova Ognjen Gogiq i tha gazetës Nacionale, Serbia po i përdor targat si pretekst për të rritur tensionet në mënyrë që të pengohen bisedimet për propozimin franko-gjerman.

“Është mendimi im i përgjithshëm që Serbia nuk dëshiron të ngutet me marrëveshjen (propozimin franko-gjerman) dhe po kërkon forma të pengojë bisedimet. Kjo paevitueshëm do të shtyjë diskutimet rreth marrëveshjes. Kjo është arsyeja kryesore për atë lëvizje.” – tha ai.

I të njëjtit mendim është edhe analisti shqiptar nga Kosova, Agon Maliqi, por i cili shkon edhe më tej me fjalët e tij.

“Synimi i Vuçiqit është që të mos realizohet propozimi franko-gjerman, por që ky dështim të bëhet asisoji që në sytë e Perëndimit faji t’i mbetet edhe Kosovës. Ky skenar është i vetmi që Serbisë ia siguron mundësinë për ta vazhduar balancimin mes Perëndimit dhe Rusisë, dhe që Vuçiqit ia garanton pushtetin.” – argumenton Maliqi.

Pozicioni i Qeverisë

Pozicioni i Qeverisë Kurti, mund të habiteni, por në vija të trasha është në pajtim me dy analistët e lartpërmendur.

Sipas Zv. Kryeministrit Besnik Bislimi – asaj që thoshte në qershor pas arritjes së marrëveshjeve për energjinë - pala serbe kishte interes që procesi të shtyhej për kohë të gjatë.

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-s dhe 15-s, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar ta fus në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse,” – shprehej Bislimi.

Në anën tjetër, dje shkroi edhe kryeministri Albin Kurti duke pranuar në një mënyrë se mund të kishte “lojëra gjeopolitike” në mes.

“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike.” – tha Kurti.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të statusit ai interpretoi atë që po bënte Serbia edhe me pretendime se aty po bëhej edhe një luftë e brendshme për pushtet:

“Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet.” – interpretoi kryeministri.

Serbia

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq, është shprehur për mediat serbe se plani franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë.

“Konkluzioni nga seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është se ai propozim është i papranueshëm për ne dhe të gjithë votuan njëzëri ashtu. Nuk na ofron mundësi të flasim, sepse baza nga e cila nis, që Kosova është shtet i pavarur, është e papranueshme për ne.” – u shpreh Daçiq.

Lajme të ngjashme