Kurti për situatën në veri: S'bëhet fjalë për targa as për Asociacion - Serbia po provon ta pengojë planin franko-gjerman - NACIONALE

Kurti për situatën në veri: S'bëhet fjalë për targa as për Asociacion - Serbia po provon ta pengojë planin franko-gjerman

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mban konferencë për medie aktualisht sa i përket zhvillimeve të fundit në veri të vendit që kanë kulmuar me largime masive të zyrtarëve serbë nga institucionet ku adresoi mes tjerash edhe planin franko-gjerman por edhe çështjen e partneritetit me ShBA-në.

Kjo konferencë u paralajmërua në paraditen e sotme prej vetë kryeministrit. Postimi i tij i fundit në Facebook ishte thirrja që iu bëri zyrtarëve serbë që të mos braktisnin institucionet e vendit, e një të tillë e ripërsëriti edhe sot.

Prej datës 5 tetor, Kurti nuk ka folur për këtë çështje ndërkohë që deklarimet e zyrtarëve serbë kanë qenë të vazhdueshme, dhe shpesh me gjuhë të pakujdesshme. Ata u shprehën edhe në tubimin e djeshëm të mbajtur në qendër të Mitrovicës së Veriut, ku pretenduan se po iu shkileshin të drejtat.

Reagimi i Listës Serbe erdhi menjëherë pas suspendimit të drejtorit të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Në anën tjetër, Kurti ka mbi krye edhe kërkesat e përsëritura të bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targa. Kjo u quajt nga Gabriel Escobar edhe “kërkesë personale” e Sekretarit amerikan Antony Blinken.

Kjo konferencë e Kurtit është pritur me shumë ankth nga opinioni publik në Kosovë. Ajo ndodhi menjëherë pas një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës që u raportua se ndodhi paraprakisht.

Çka tha Kurti?

“Pavarësisht zhvillimeve gjatë kësaj jave, institucionte kanë vazhduar përmbushjen e detyrave të tyre,” - tha mes tjerash Kurti.

Ai njoftoi edhe se po vazhdohej me lehtësimin për qytetarët serbë që të ndërrojnë targat.

"Nga data 1 nëntor janë shënar 856 qortime apo vërejtje," - vazhdoi ai. Më pas, Kurti foli edhe për kërcënimet e Serbisë.

"Këto kërcënime janë praktikisht të orientuara ndaj qytetarëve të vendit tonë, nëpërmjet ngjarjes së frikës dhe panikut." - foli ai duke vazhduar më pas akuzat ndaj Serbisë se po koordinohej me Rusinë e Kinën.

"Ajo çka po ndodh tani është përpjekja për ta ambalazhuar kundërshtimin e propozimit franko-gjerman. Nuk bëhet fjalë as për targa, as për Asociacion, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit." - vazhdoi ai.

Duhet të kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, u shpreh se propozimi franko-gjerman ishte i papranueshëm për ta. Nuk dihet nëse ky është pozicioni zyrtar i shtetit serb.

Kryeministri më pas theksoi se djegia e veturave në veri, është pjesë e planit serb dhe strukturave kriminale në veri.Albin Kurti:

"Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëvshje, dhe rruga që e ka zgjedhur është me grupet kriminale në veri të vendit. Kjo rrugë nuk është e paqes e as ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore. Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme, sepse shteti ynë është i fortë sepse ka rritje ekonomike e shoqërore", tha Kurti.

"Asnjë serb nuk dyshon që djegia e veturave ka ndodhur nga shqiptarët. Asnjë serb nuk dyshon që automjetet që u dogjën, janë djegur nga strukturat që financohen nga Beogradi. Bojkotet nuk janë zgjidhje. Institucionet nuk kanë alternativë, andaj iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë, as mos i bojkotoni e as braktisni institucionet e Kosovës sepse ato janë shërbime publike për të gjithë qytetarët. Mos bini pre e manipulimeve politike", deklaroi më tutje kryeministri i vendit.

Ai vazhdoi të denonconte Serbinë dhe destruktivitetin e saj derisa u shpreh se Kosova do të mbetej e përkushtuar për paqe e për siguri dhe se nuk do të shantazhohej.

“Për fund, më lejoni t’ju njoftojë që pjesa dërmuese e veturave që vijnë nga Serbia nuk janë me targa ilegale... përafërsisht çdo e dymbëdhjeta veturë ka targa ilegale. Njëmbëdhjetë të tjera nuk janë.” – tha kryeministri.

“Serbët e Kosovës i kanë gjithsej mbi 135 mijë letërnjoftime të Kosovës. Vetëm një pakicë ekstreme është ajo që insiston në targa ilegale dhe që rrezikon të tjerët që i ka konvertuar apo po konverton ato.”

Pas Kurtit, fjalën e mori ministri Xhelal Sveçla.

Duke adresuar pyetjet e gazetarëve, Kurti tha se nuk e ka kundërshtuar planin franko-gjerman.

"Pra, ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë. I kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre. Por, unë nuk e kam kundërshtuar,” - u shpreh ai.

Në anën tjetër, kryeministri tha se kishte komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LAJMI NË PËRDITËSIM...

Lajme të ngjashme