Pranoi "kombin kosovar", bëri grimasa të çuditshme: Konjufca në intervistën më të pazakontë në histori - NACIONALE

Pranoi "kombin kosovar", bëri grimasa të çuditshme: Konjufca në intervistën më të pazakontë në histori

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mbrëmë ka dhënë një prej intervistave më të pazakonta të viteve të fundit. Çka mora vesh prej kësaj interviste?

*Shkrimi i këtij artikulli është bërë duke përdorur teknikën e z. Glauk Konjufca në të folur. Pra, teknikën e z. Glauk Konjufca në të folur gjatë intervistës. Pra, gjatë intervistës.

Ai dha intervistë për gazetarin Adriatik Kelmendi në zyret e tij në Kuvendin e Kosovës. Por, megjithëse ndodhej praktikisht në shtëpinë e tij, në fakt Konjufca ishte ai që dukej i humbur e i huaj në atë mes.

Konjufca përsëriste gati secilën fjali, bënte grimasa të çuditshme, kruante këmbët, nuk kishte takt. Ishte në një siklet të paparë, përkundër që bëri çmos ta fshihte – pra, bëri çmos ta fshihte – përmes qeshjeve të panatyrshme.

Por, por, por, duhet të ndalemi te përsëritja e tij e fjalëve – pra, te përsëritja e tij e fjalëve – që në vend se të ndërtonte koherencë, pra koherencë, prishte çfarëdo rrjedhe logjike.

Plani, pra plani

Konjufca, pra Glauk Konjufca, e ka lexuar Planin franko-gjerman dhe ky duhej të ishte lajm i mirë për Kosovën. Pra, lajm i mirë për Kosovën. Pse? Sepse Konjufca në një mënyrë mund ta ndihmonte të kuptuarit e kryeministrit Kurti dhe mund t’i këshillonte që të mos ngutej. Pra, të mos ngutej e të merrte veprime të pakuptueshme si ai për targat, pra ky për targat, që dikush mund të thotë se i shkojnë në favor Serbisë.

Por, Konjufca dukej “në hava”, pra krejt ‘në hava’, edhe për këtë çështje duke dhënë përgjigje – që e pakta që mund të thuhet – është se ishin të çuditshme. Pra, të çuditshme, jashta asaj që e prisnim. Pra, jashta asaj që prisnim.

“Nuk është se pajtohemi 100 për qind me atë plan, i kemi vërejtjet tona. Nëse ai (plani) është fruti, e ka një bërthamë. E bërthama është me e pranu sovranitetin e ndërsjelltë Kosova me Serbinë. Është një plan, baza e të cilit, bërthama e të cilit është e shëndoshë. Nëse mundemi me ia bo një krahasim, plani i Ahtisaarit ka qenë më shumë për Kosovën, sepse e ka krejt rregullimin e brendshëm, ky është më shumë për Serbinë. Qiky tjetri,” – u shpreh kryekuvendari.

Mirëpo, Konjufca i bëri edhe një varg pranimesh – pra një varg pranimesh gjërash të këqija - për të cilat ndoshta partia e tij do të protestonte ashpër: pranoi se nuk do të vinte njohja formale nga Serbia, pranoi se duhej të respektoheshin marrëveshjet e arritura (pra, duhej formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe) dhe e pranoi që Serbia mund ta shkilte në çdo moment marrëveshjen duke e sulmuar Kosovën.

Qysh mbërritëm në këtë pikë ku përsëritja, pra përsëritja e fjalëve – përsëritja e fjalëve, përsëritja e fjalëve – është e vetmja masë që na mbron nga ndërrimi i qëndrimeve. Për vetëm 5-6 sekonda.

Për më keq, të tepërta e konfuzuese ishin edhe mënyrat se si Konjufca, pra Glauk Konjufca, zgjidhte të niste përgjigjet e tij: “Me sa e kom kuptu...”, “Më duket se...”, “Unë mendoj se...”

Kryetari i Kuvendit u vu në siklet edhe kur gazetari i tha se po shpaloste detaje për herë të parë. U ‘shfajësua’ duke përmendur Ramush Haradinajn, pra liderin e partisë së tretë opozitare në vend, pra Ramush Haradinajn.

Targat

Gazetari Kelmendi bëri një përpjekje titanike gjatë kësaj interviste. Provoi të shtronte një pyetje të vetme për 30 deri në 40 minuta, duke e formuluar e riformuluar atë: nëse plani franko-gjerman ishte i favorshëm për Kosovën, atëherë pse vendi ynë po i jepte pretekst Serbisë që ta pengonte atë?

Përkundër që e dëgjoi të njëjtën pyetje në shumë e shumë variante, Konjufca nuk ngurroi që praktikisht të mos ofronte përgjigje. Pra, të fliste në mënyrë krejtësisht të pakuptueshme e joserioze, pra joserioze.

Por, megjithatë kishte diçka domethënëse. Domethënësja ishte “Qeveria e di më mirë”. Apo edhe tjetra, se Kosovës i ishte kërkuar që në emër të sigurisë të shtynte përkohshëm zbatimin e sundimit të ligjit, por se kryeministri Kurti “i kishte siguruar (partnerët ndërkombëtarë) se mund t’i bënte të dyja.” Pra, se mund t’i bënte të dyja. Por, si mund të thuhet kjo në kohën kur zyrtarët serbë të vendit janë larguar masivisht nga institucionet e Kosovës? A po ia ‘ngulte’ Konjufca kryeministrit Kurti?

Pra, Konjufca po pyetej e ripyetej për të njëjtën gjë sepse përgjigjet e tij në këtë pikë mund të ishin tepër të rëndësishme. Ndoshta, gazetari dinte diçka mbi qëndrimin e Konjufcës (pra, qëndrimin kundër kryeministrit Kurti) dhe të cilin po provonte ta nxirrte prej tij.

Duhet kujtuar se kryeministri i Kosovës ka akuzuar Serbinë se po maskon refuzimin e saj, përkundër që Qeveria e tij ka provokuar reagim të ashpër nga ShBA-të që ka shprehur “shqetësim” e “zhgënjim” me veprimin e saj për targat.

Kombi kosovar

Nuk e di nëse foli e pavetëdijshmja apo e vetëdijshmja e tij, por kryekuvendari Glauk Konjufca pranoi ekzistencën e asaj që është mohuar vazhdimisht e me ngulm nga Vetëvendosje: kombin kosovar.

“As Serbia nuk na pranon neve si komb, nuk na pranon si Kosovë... dmth a e ke pa Kosova nuk ekziston. Ata dëshirojnë të flasin për neve me Edi Ramën. Dmth për Serbinë nuk ekziston Kosova. Ashtu si për Putinin nuk ekziston kombi ukrainas. Kështu që pa u zgjidhë këto dy problematika, lej targat ti,” – tha Konjufca.

Personalisht, nuk mund të mos ndihem mirë pas këtyre fjalëve marrë parasysh që një prej pikave kryesore të mospajtimit me Vetëvendosjen e kisha (dhe e kam) pikërisht çështjen e interpretimit të kombit.

Intervista e plotë:

Lajme të ngjashme