Luftë apo Paqe: A po rrezikohet status quo-ja me Serbinë? - NACIONALE

Luftë apo Paqe: A po rrezikohet status quo-ja me Serbinë?

2 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Që dhjetë vjet, Kosova ka dy qasje të kundërta sa i përket dialogut. E para e sheh status quo-në me Serbinë si të rrezikshme për Kosovën dhe prandaj kërkon me ngulm marrëveshje finale. E dyta, në të kundërt, nuk e sheh status quo-në si të rrezikshme për Kosovën dhe prandaj nuk kërkon me ngulm marrëveshje finale. Trandja e status quo-së nga zhvillimet e fundit na frikëson por edhe na i paraqet në një dritë tjetër qasjet në fjalë, e me këtë edhe fatin tonë.

Bruksel, 8 Mars 2011 – Edita Tahiri si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës, Borko Stefanoviq si udhëheqës i delegacionit të Serbisë, dhe Robert Cooper si ndërmjetësues, bënë histori duke u ulur në një tavolinë për të nisur një proces të luhatshëm që përcaktonte raportet e dy kombeve. Kështu nisi dialogu. Mirëpo, bitisja doli të ishte më e ndërlikuar.

Prishtinë, 13 mars 2022 - Megjithëse dialogu solli një varg të mirash, sipas Bashkimit Evropian (BE), vetëm një marrëveshje finale duket të jetë zgjidhja për problemin e madh mes Kosovës dhe Serbisë.

Lufta në Ukrainë së fundi shpluhurosi kujtimet e hidhura të kosovarëve për luftën që u solli lirinë më 1999. Sidoqoftë, shqetësimi se një ‘fat’ i tillë mund të përsëritet mungon përkundër konfliktit të ngrirë dhe përkundër që shqetësimi duket se mungonte edhe më 1998, njësoj si sot, kur një pjesë kosovarësh sipas gazetarëve të asaj kohe, pinin kafe krejt rehat në qytetet e tyre. Këtyre të fundit, fjala luftë mund t’u asocionte me Bosnjen apo Ruandën, por kurrqysh me një ‘fat’ që do ta përjetonin vetë.

Shqetësimi duket se mungon edhe sot kur rendi botëror po pëson luhatje të ndjeshme. Thyerja e status quo-së është imagjinuar kolektivisht si diçka që do të ndodhte në Bruksel apo Uashington, në ndonjë tavolinë në Bruksel a Uashington, por jo në Kiev, dhe sidomos jo në imazhet traumatike që të kujtojnë 1999-n me refugjatë, tanke, bomba e kallashnikovë. Sa rrezikon Kosova nga një prishje e tillë e status quo-së?

Status quo-ja e Kurtit

Ekziston skenari më i mirë dhe ai më i keqi edhe për thyerjen e status quo-së, si për çdo situatë tjetër. Më e mira do të ishte njohja e Kosovës nga Serbia, kërkimfalja për krimet e luftës dhe pagesa e dëmshpërblimeve. Më e keqja, lufta...

Po e nisim edhe një herë!

Derisa liderët e partive opozitare kosovare duket se e shohin luftën si një pjesë të mbyllur të së kaluarës tonë - te e cila do të mund të shkonim vetëm me anë të ndonjë ‘makine kohe’ (ang. Time machine) - kryeministri aktual Albin Kurti duket më mendjehapur.

Aktualisht, Kurti ka themeluar Fondin e Sigurisë ku nxiten qytetarët që të dhurojnë para për të forcuar Forcat e Sigurisë së Kosovës. Glauk Konjufca, kryekuvendar, e arsyetoi një iniciativë të tillë edhe me mundësinë e një agresioni serb ndaj Kosovës.

“Kurrë s’duhet ta përjashtojmë mundësinë dhe potencialitetin e një agresioni serb mbi Republikën e Kosovës.” – tha ai.

Por, frika nga një mundësi e tillë është e mëhershme. Vitin e kaluar, në negociata me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Albin Kurti kishte propozuar nënshkrimin e një zotimi ku thuhej se Kosova dhe Serbia nuk do ta sulmonin ushtarakisht njëra-tjetrën.

Po ashtu, ai e ka parë luftën me Serbinë si pjesë të mundshme të së ardhmes edhe gjatë kohës së gjatë si opozitar.

“Në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë.” – Kurti, shtator 2016.

...brenda 4-5 viteve në Ballkan ka më shumë gjasë që të krisë lufta se sa të mos bëhet luftë.” – Kurti, po më 2016, duke folur për Demarkacion e për ‘Zajednicën’ (Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe).

“Të flasësh për ndarje dhe ndërrim territoresh do të thotë të përgatitesh për luftë të re,” –Kurti, shkurt 2018, duke folur kundër idesë së korrigjimit të kufijve.

Të gjitha këto shqetësime nga Kurti për mundësinë e luftës janë bërë ndaj marrëveshjeve të caktuara nga pushtetet e kaluara në proceset negociatore. Përveç marrëveshjeve të arritura në Bruksel nga pushtetet e kaluara, kryeministri Kurti ka kundërshtuar edhe Marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington, që mësynte “normalizim ekonomik” me Serbinë duke premtuar se kur të vinte në pushtet nuk do ta respektonte. Në anën tjetër, temën e dialogut e ka cilësuar si ‘prioritetin e gjashtë a të shtatë’ të agjendës së tij.

Lufta pra, ishte një gjë që mund të vinte si pasojë e ndonjë “marrëveshjeje të keqe” eventuale me Serbinë dhe jo nga status quo-ja e stërzgjatur. Gjithnjë sipas kryeministrit.

Kurti me ushtarë të FSK

Por, akterë të tjerë relevantë kanë qëndrim diametralisht të kundërt.

Status quo-ja tjetër

Në procesin e dialogut, Kosovës po i bëhet presion, madje edhe nga aleatët më të mëdhenj të saj, që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Siç dihet, kryeministër Kurti ka pasur qëndrim të prerë kundërshtues për këtë çështje, gjë që mund të çojë në një bllokim të ri dhe në një ‘trashje’ të mosndryshimit të gjendjes ekzistuese.

Por, rendi botëror po ‘shembet’, nëse flasim me fjalorin e analistit politik Agon Maliqi. Kur forcat ruse u futën në territorin e Ukrainës në mëngjesin e 24 shkurtit, analisti do të shkruante si vijon:

“Prej vitesh shkruaj dhe e paralajmëroj këtë mundësi, me shpresën se njerëzit në Kosovë do ta kuptonin më mirë rrezikun, të mos jetonin në iluzione, dhe ta kuptonin nevojën që një shembje e tillë (e rendit botëror) të mos na gjejë me hesape të pambyllura me Serbinë dhe pa perspektivë anëtarësimi në NATO (për shkak të 4 shteteve që nuk na njohin), sepse gjëja e fundit që na duhet edhe neve (por edhe Serbisë dhe gjithë rajonit) është edhe një luftë.”

Pak a shumë në të njëjtën vijë ishte edhe qëndrimi i administratës së kaluar (Trump) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për status quo-në mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që tash, administrata aktuale amerikane (Biden) ka emëruar diplomatë me përvojë në rajonin tonë si Jeff Hovenier dhe Christopher Hill në pozitën e ambasadorëve në Kosovë dhe Serbi respektivisht. Një gjë e tillë nga analistët politikë në Kosovë por edhe jashtë vendit është parë si përpjekje për të dinamizuar procesin e dialogut, ose thënë me fjalë tjera, si përpjekje për të thyer status quo-në.

Ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi - i sulmuar nga Kurti për shumë prej marrëveshjeve të arritura me Serbinë në Bruksel përgjatë dekadës 2010’ - ndoshta e kishte shprehur arsyen e ‘ngutisë’ së tij në procesin e dialogut në Forumin e Paqes në Paris që ishte mbajtur rrafsh një vit para se të dorëhiqej si president e të nisej për në Hagë.

Thaçi, para se të shkonte për në Hagë

“Status quoja për Kosovën është e rrezikshme dhe nuk duhet pritur që konfliktet me Serbinë të priten edhe nga një gjeneratë. Kush nga ne, që jemi këtu, dëshiron të mendojë për pasojat afatgjate në rast se nuk arrijmë marrëveshje: [mund të ndodhin] ndoshta luftëra, tragjedi dhe rritje të populizmit e të nacionalizmit.”

Por, të harrojmë fjalën ‘luftë’ për një moment. Cilat janë pasojat diplomatike nëse status quo-ja zgjatet? Gazeta Nacionale pyeti për këtë çështje ish ambasadorin e Kosovës në Uashington, Avni Spahiun, i cili po ashtu konsideron që status quo-ja nuk është në favor të Kosovës:

“...sa më shumë që zgjatet koha që Kosova nuk anëtarësohet në organizma ndërkombëtarë, aq më shumë rrezikohet. E anëtarësimi në organizma ndërkombëtarë varet nga njohjet e Rusisë e Kinës për anëtarësim në OKB, dhe njohja nga Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia e Qipro për anëtarësim në BE, NATO, Këshill të Evropës, OSBE etj. Por të gjitha këto njohje po varen nga njohja e Serbisë. Prandaj marrëveshja me Serbinë për njohje të Kosovës është e nevojshme, dhe sa më shumë vonohet, çmimi që duhet ta paguajë Kosova për këtë njohje do të rritet.”

Gjithnjë vigjilent

Por, ka një lidhëz ‘por’ edhe në meselen e status quo-së. Rusia (të paktën deri në momentin që po shkruajmë) nuk ka arritur të pushtojë Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, dhe turpërimi eventual i saj bashkë me pasojat që do t’i bartte Serbia për mos-denoncimin e agresionit rus mund t’i shkojnë në favor Kosovës.

Madje, analisti Fadil Hoxha konsideron që thjesht me krizën në Ukrainë, Serbia është vënë në pozitë “tepër të palakmueshme”.

“Nëse Serbia nuk e dënon agresionin rus kurrë më nuk do të mund të thirret në të drejtën ndërkombëtare dhe “shkeljen” në vitin 1999 kur NATO kishte bombarduar Serbinë. Nëse e dënon agresionin rus, Serbia do të përballet me hidhërimin e ariut rus dhe pasojat mund të jenë të mëdha në aspektin politik, duke mos përjashtu ndryshimin e kursit politik të Moskës ndaj Kosovës.”

Amerika dhe UÇK

Serbia nga kjo pozitë ‘e palakmueshme’ sërish ka provuar të shpëtojë përmes një qëndrimi të papërcaktuar që thotë: “nuk i vëmë sanksione Rusisë, por respektojmë integritetin territorial të Ukrainës.”

Sidoqoftë, nuk ishte Kosova por Serbia ajo që pranoi një telefonatë falenderimi nga ShBA-të për qëndrimin e saj mbi Luftën në Ukrainë.

Por, edhe nëse situata e re në marrëdhëniet ndërkombëtare i konvenon vendit, vet ndryshimi i saj i beftë na bën të kuptojmë që konflikti i ngrirë me Serbinë – si pasojë e mungesës së njohjes – është një bast i madh i politikës kosovare. Çka nëse Rusia ka/do të kishte sukses?

Profesori amerikan Daniel Serwer për një medium kosovar e shprehu haptas shqetësimin e tij për shtetin tonë pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë:

“Ambiciet irredentiste të Serbisë janë të qarta. Ata gjithnjë e kanë synim të rikthejnë nën kontroll Kosovën, e nëse nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë, atëherë do të tentojnë ta shkëpusin veriun e Kosovës. Nato duhet të jetë vigjilente për këto situata të tmerrshme që mund të ndodhin në Kosovë.”

Nëse status quo-ja do të thyhet për të mirë apo për të keq është e vështirë të thuhet, por të çarat e para të saj kanë nisur të vërehen.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, politikani serb Nenad Çanak – i cili kishte vizituar varrezën e Mejës ku ishin vrarë 377 civilë – u shpreh i shqetësuar për situatën duke bërë thirrje për kokëftohtësi.

“Tani, ndoshta më shumë se kurrë, është e nevojshme që të ruhet kokëftohtësia, duke qenë të vetëdijshëm se çdo fjalë e thënë mund të ndezë fitilin e kësaj fuçie baruti. Duhet të jemi gjithashtu të vetëdijshëm se shumë njerëz janë të interesuar - (dhe regjimi i Putinit është sigurisht në vend të parë, por jo i vetmi) - që më në fund ta shfrytëzojnë rrjetin që ata kanë thurur në këtë rajon për kusuritjet dhe lojërat e tyre gjeostrategjike.”

Së fundi edhe kryeministri Kurti i bëri thirrje Natos dhe BE-së për vigjilencë dhe syçeltësi në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nëse kjo thirrje do të përkthehet edhe në qëndrim të ndryshuar nga kryeministri për status quo-në (e për rrjedhë edhe në ndryshim të qasjes në dialog), mbetet të shihet.

Autorët: Jetlir Buja & Kreshnik Beqiri

Lajme të ngjashme