Rama në Ditën e Marshit: Hashim Thaçi do të triumfojë, farsa në ditët e fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka dalë në përkrahje ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë, derisa në Kosovë sot pritet të organizohet Marshi i madh i Lirisë.
Rama në një shkrim në rrjetin social Facebook ka thënë se farsa në Hagë është në ditët e fundit. Ai mes tjerash ka thënë se Hashim Thaçi do të triumfojë.
“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë”, ka shkruar Rama.
Marshi në Prishtinë pritet të mbledhë qytetarë, familjarë, veteranë dhe përkrahës të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Organizatorët e kanë paraqitur këtë ngjarje si një shprehje solidariteti dhe mbështetjeje për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, të cilët prej vitesh ndodhen në paraburgim dhe në proces gjyqësor në Hagë.
Në qendër të mesazhit të marshit është kërkesa për drejtësi dhe ruajtja e kujtesës për luftën e Kosovës. Përkrahësit e organizimit kanë thënë se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të vlerësohet mbi bazën e provave dhe standardeve të drejtësisë.
Marshi vjen gjithashtu në një moment kur vëmendja publike në Kosovë është përqendruar fuqishëm te Haga. Për shumë qytetarë, emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit lidhen drejtpërdrejt me periudhën e luftës dhe me zhvillimet politike që pasuan çlirimin e Kosovës.
Nga Prishtina, pjesëmarrësit pritet të përcjellin sot mesazhin e tyre të solidaritetit, ndërsa vëmendja e opinionit publik do të vazhdojë të jetë e përqendruar në Hagë dhe në zhvillimet e ardhshme të procesit gjyqësor.
Në tubim pritet të marrin pjesë shumë figura, përfshirë këtu edhe liderët opozitarë, Bedri Hamza dhe Ardian Gjini.
“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të Marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje. Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit. Programi do të shoqërohet edhe me këngë, të cilat do të jenë pjesë e mesazhit të këtij tubimi, këngë patriotike, natyrisht, që na kanë frymëzuar dhe na kanë kujtuar gjithmonë për përkushtimin tonë për liri”, ka njoftuar Eliza Hoxha.
Ndërkohë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk janë shprehur në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje.